KUKËS- Protestë e dhunshme në “Rrugën e Kombit”, kundër taksës së vendosur nga kompania koncesionare. Protestuesit janë përplasur me policinë dhe kanë qëlluar me gurë mbi efektivët, e më pas i kanë vënë zjarrin sporteleve ku do kryhej pagesa.

Kukes protesta (1)

Ata protestojnë kundër taksës së vendosur për rrugën, e janë të vendosur të qendrojnë deri sa nga qeveria të marrin lajmin për heqjen e taksës. Kujtojmë se nga konfrontimet ka mbetur i plagosur një efektiv, i identifikuar si Adem Visha, por edhe disa protestues.

Kukes

Arrihet marrëveshja për mbylljen e protestës në “Rrugën e Kombit”
Ora 14:10- Protesta është thirrur nga këshilli bashkiak dhe është mbështetur nga shoqëria civile dhe të gjitha bizneset, të cilat kanë mbyllur qepenat e tyre. Po kështu me qindra shtetas kosovarë janë nisur nga Kosova për t’iu bashkuar protestës.

Pas rreth 4 orësh, drejt mbylljes protesta tek “Rruga e Kombit”. Gazetari Armir Mehaj raporton për “BalkanWeb” se është arritur një marrëveshje mes protestuesve dhe disa zyrtarëve por ende nuk dihen detaje. Drejtori për rendin dhe sigurinë si dhe Nëndrejtori i Policisë Gjovalin Loka ka qenë pranë protestuesve e me sa duket ka ndikuar në arritjen e marrëveshjes.

Protesta nisi rreth orës 10:00 me tubimin e qytetarëve nga Kukësi dhe i gjithë veriu por edhe nga Kosova. Fillimisht e qetë, protesta degjeneroi në dhunë dhe përleshje mes punonjësve të policisë dhe protestuesve. Këta të fundit, shkatërruan me gurë por edhe i vunë flakën objektit të koncesionarit për mbledhjen e taksës. Ka nisur edhe lëvizja e makinave.

Kërkesa e protestuesve për qeverinë
Ora 14:00- Gazetari Armir Mehaj raporton për “BalkanWeb” se pasi i kanë vënë zjarrin sporteleve, protestuesit nga Kukësi e Kosova nuk largohen nga tuneli i Kalimashit. Ata shprehen se do të qëndrojnë aty deri sa të marrin lajmin e anulimit të taksës nga qeveria.

Ja kush është zyrtari i parë që shkon në Kalimash
Ora 13:50- Zyrtari i parë që ka shkuar në vendin e protestës ka qënë e zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka.

Qytetarët i vënë zjarrin kabinave të sportelit
Ora 11:50- Tre persona dyshohet se kanë mbetur të plagosur nga përleshja mes protestuesve dhe forcave të policisë në protestën e sotme në “Rrugën e Kombit” kundër tarifës së pagesës së re të kësaj rruge.

Ambulanca ka mbërritur në vend për të marrë të plagosurit, ndërsa gazetari Armir Mehaj raporton për “BalkanWeb” se protestuesit i kanë vënë flakën kabinave të sporteleve të vendosura për mbledhjen e taksës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse. Protestuesit thanë për News24 se janë provokuar nga policia, e cila sipas tyre i ka goditur me shkopa gome.

Forcat e policisë fillimisht janë përgjigjur me shkopinj gome por më pas me sa duket ka pasur një tërheqje dhe turma ka avancuar duke dëmtuar traun e vendosur nga firma për mbledhjen e pagesës. Protestuesit kanë deklaruar se do të tërhiqen vetëm nëse hiqet trau.

Protestuesit i vënë flakën sporteleve që do mblidhnin taksat
Ora 12:00- Pasi kanë zmbrapsur policinë, protestuesit kanë nisur t’i vënë flakën sporteleve të pagesës, siç shihet edhe në videon e siguruar nga “BalkanWeb”.

“Do qëndrojmë deri në vdekje”, mes protestuesve ka të plagosur
Ora 11:40- Ndonëse në Bashkinë e Kukësit është marrë një leje për dy orë, axhenda ka ndryshuar. Protestuesit flasin për “News 24” dhe “BalkanWeb” tregojnë se nuk do të ndalen me kaq, por do të vijojnë rezistencën, për të mos pranuar taksën e rrugës së Kombit, të cilën e konsiderojnë vjedhje.
“Deri në vdekje do qëndrojmë këtu”, -shprehen mes zhurmës protestuesit.
“Kjo taksë është paguar qysh në kohën e Majkos. Kjo është vjedhje. Gjithë populli të vijë këtu”,- thotë një protestues.
“Situata degjeneroi se na provokoi policia me shkopa gome, tani nuk ndalemi më”, thotë një tjetër protestues.
Ndërsa situata vazhdon të jetë kaotike, raportohet edhe për persona të plagosur. Gazetari Armir Mehaj konfirmon për “BalkanWeb” se në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë, e cila do t’ju vijë në ndihmëe të plagosurve.

Degjeneron situata në rrugën e Kombit, “dorëzohet” FNSH
Ora 11:30- Zhurma të forta, gurë e irritim masiv. Situata në rrugën e Kombit, pikërisht në pikën ku është vendosur trau e janë ngritur sportelet që do të vjelin taksat e rrugës, ka degjeneruar.
Prej disa minutash, siç raporton për “BalkanWeb” edhe gazetari Armir Mehaj protestuesit nga Kukësi e Kosova po qëllojnë me gurë në drejtim të policisë e forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Siç raportohet, FNSH-të, rreth 40 apo 50 efektivë që monitoronin situatën, janë tërhequr në pozicionet e tyre. Ndërkohë, protestuesit janë ndarë në dy grupe dhe po sulmojnë me gurë kabinat me qëllim që t’i shkatërrojnë.
Por, ndërkohë që protesta vijon, qindra automjete presin në radhë që të zhbllokohet situata e të mund të kalojnë normalisht.

Përleshje mes qytetarëve e policëve
Ora 11:10- Është përshkallëzuar protesta e qytetarëve dhe bizneseve kundër taksës së Rrugës së Kombit. Qindra qytetarë kanë bllokuar sot këtë rrugë, në shenjë proteste kundër taksës së re të vendosur nga kompania koncesionare.

Protestuesit, nga Kukësi por edhe nga Kosova kanë qëlluar me gurë mbi efektivët e policisë, ndërsa policia është përgjigjur me shkopinj gome e dhunë. Gazetari Armir Mehaj ka siguruar për “BalkanWeb” pamje nga përleshjet.
Policia po përpiqet të mbajë larg nga objekti ku ndodhen aparaturat e kompanisë ku paguhet bileta. Efektivët kanë krijuar një kordon policie për të ndalur protestuesit që qëllojnë me gurë.

Nesër bëhet një javë nga nisja e testimit të taksimit për të gjitha automjetet që kalojnë në Rrugën e Kombit. Specialistët e firmës koncesionare janë parë duke testuar aparaturat e TOLL-it, por drejtuesve të automjeteve u është dhënë një faturë me 0 lekë, por kjo nuk do të zgjasë gjatë. Pasi këtë javë vendoset se kur do të aplikohen tarifat të cilat janë jo pak të kripura për shqiptarët.

TAKSA E “RRUGËS SË KOMBIT”
Klasa 1/ Motorët – 2.5 Euro
Klasa 2/ Veturat – 5 Euro
Klasa 3/ Autobus & kamionçina – 11.2 Euro
Klasa 4/ Kamion i mesëm – 16.2 Euro
Klasa 5/ Kamion i rëndë – 22.5 Euro

Ministria e Infrastrukturës dhe Transporteve thotë se të ardhurat do të shërbejnë për mirëmbajtjen e këtij aksi.

(m.a/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb