Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha në konferencen e zhvilluar paraditen e sotme në Parkun e Apolonisë për sekuestrimin e objekteve të vjedhura se ruajtja e pasurive kulturore të vendit tashmë është një strategji kombëtare, por edhe detyrë e të gjithëve.

“Dua ta përsëris, sepse nëse do të jemi të vetëdijshëm për thesaret e jashtëzakonshme që kemi, konkretisht banorët e Fierit dhe ne të gjithë, do të dimë t’i mbrojmë ato. Sepse është e pamundur që çdo gur të mbrohet me një roje apo me një polic, nëse ne të gjithë nuk i mbrojmë. Është pikërisht ky sensibilizim i të gjithë faktorëve, që nga komuniteti, shkolla, pushteti lokal, padyshim qeveria, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kanë treguar sesi kur jemi bashkë mund t’i mbrojmë vlerat tona.

Kemi tre vjet që punojmë me strukturat e policisë për të pasur një strategji kombëtare. Në fakt është një strategji kombëtare e aprovuar vitin e kaluar nga qeveria shqiptare, për luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore, të cilat në 25 vitet e fundit, fatkeqësisht kanë humbur”, u shpreh Kumbaro ne këtë konferencë ku ishte i pranishem dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ministrja e Kulturës u shpreh se ky është një tjetër operacion i suksesshëm pas atij të koleksionit të ikonave. Ajo e quajti këtë një fitore të jashtëzakonshme, ku 264 objekte të periudhave të ndryshme dhe me vlera specifike, janë sot të sekuestruara nga Policia e Shtetit dhe të sigurta.

Në fjalën e saj ministrja e Kulturës theksoi faktin se me investimin që po kryhet aktualisht në Apoloni, ky park do të kthehet një ndër më të rëndësishmit në vend.

Ky projekt është pjesë e listës së projekteve të kombinuara që vijojnë Procesin e Lubjanës – Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Evropën Juglindore, iniciativë e përbashkët e Këshillit të Europës dhe Komisionit Evropian dhe për të mbështetur restaurimin e trashëgimisë historike, si një gjenerator i kapitalit social dhe ekonomik, i cili sjell përfitime të prekshme për popullsinë lokale, duke inkurajuar turizmin kulturor.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb