Familja e Roland Sinanit, që vrau kunatën Migenën dhe më pas veten, pas ceremonisë mortore në Tufinë kanë hapur dyer e mortit në shtëpinë e tyre në Shkozë. Gëzim dhe Ikbale Sinani, presin ngushëllime nga të afërmit, por nuk e fshehin dot dhimbjen për humbjen e nuses dhe të djalit të tyre.

“Më duket e pabesueshme që Landi bëri këtë punë, nuk e di, ai ishte një fëmijë shumë i dashur. Bënte muhabet me Migenën, sikur ta kishte motër. Po kjo hataja që u bë tashi… Kështu, mërzit njëra, mërzit tjetri”, thotë nëna e 43-vjeçarit për klan news.

E ëma e autorit tregon momentet para krimit makabër. “Ishte këtu te ky këndi ‘nuk kam gjumë më tha’. I thashë ‘shko shtrihu’, sepse kishim bërë në plan me blerë disa pula, sepse kishin çuni edhe nusja ditëlindjen, njëri me 11, tjetri me 13 Prill. ‘Mirë’ tha ‘mirë’, ‘do shkoj të shtrihem’. Edhe shkova u shtriva. Do blija qumështin në 05:00 të mëngjesit, thashë të kisha fuqi me nejt”.

Nëna e Rolandit tregon edhe momentet pas vrasjes së Migenës dhe komunikimin që kishte me Rolandin.

“Dëgjova krismën, pas 20 minutash, edhe u çova. Pashë derën e nuses të hapur. Landi ishte në korridor. Po qante goca, e ulur. Dhe unë ‘o Migena, o Migena se po të qan goca’. Landi tha ‘e vrava Migenën’. Mu duk dhe i qetë, nuk e di sesi e bëri dhe atë punë, as vetë nuk e di. Atëherë unë mora gocën në krahë dhe thashë ‘çohu mër burrë se na ka zënë hataja’”.

Babai i Rolandit gjeti forcën për të treguar si e gjeti të birin e pajetë në oborrin e shtëpisë.

“Ai në fakt kishte vrarë Migenën, brenda. Kur dëgjova zhurma pau-pau dy herë, kam ardhur e kam gjetur shtrirë, gjaku deri në gju… është ekzagjerim deri në gju, por dua të them që ishte larë me gjak. Aty kam ngritur njerëzit e shtëpisë, ‘çohuni mor çohuni’. Shkonte gjaku deri atje poshtë, vura duart në kokë, nuk kisha çfarë të bëja. Lerë që ishte errësirë, me gjet ndonjë fashë, ndonjë gjë, që mos derdhej shumë gjak…”

Ata pranojnë se i biri kurohej prej disa vitesh nga problemet e shëndetit mendor, por nuk e mendonin kurrsesi tragjedinë. “Ka pas qenë kuruar prej vitesh, 7-8 vjet, ka shumë kohë që mjekohej…”. Policia e Tiranës ka konstatuar se arma e krimit ndodhej pas banesës së familjes Sinani në rrugën “Xhemollari” dhe ka ngritur dyshime se dikush e ka zhvendosur. Një nga të dyshuarit është edhe vetë babai, Gëzim Sinani, i cili mohon akuzat.

“Prej meje, jo njëherë, se unë jam 70 vjeç, kam bërë ushtri, e zbor, i kam bërë të gjitha dhe i di mirë këto gjëra, se ku shkon po të bësh atë punë”.

Dy të moshuarit një motiv më shumë për ngjarjen e shohin edhe tek ngarkesat që i ishin krijuar nga puna me orë të zgjatura në gomisteri, punë të cilën Rolandi e kishte lënë ditët e fundit. “Punonte jashtë orarit, vetëm për gjumë vinte në shtëpi. Ikte në mëngjes, në 19:30 vinte në shtëpi. Blozë, duart e surrati, gomist…”, tregon nëna e tij. Mbetet enigmë si për familjen, por edhe për policinë se si 43-vjeçari mundi të siguronte pistoletën që kreu krimin e dyfishtë në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: