Midis nesh

KUR ARTISTI VDES NË HARRESË

Në ndërdijen e artistit me kohë ngulitet konstatimi se ai i detyrohet popullit dhe vetëm popullit, se i ka borxh gjithçka popullit, prandaj natë e ditë shkrihet për popullin e vet, mendon, vepron, frymon, ec, lëviz, djersitet, sikletoset, vuan, flijohet vetëm për popullin. Po populli çka bën për artistin? Gjithçka! Me gjasë, vetëm populli shqiptar mundet të jetojë pa artistët e vetë, mund t’i anashkalojë, t’i mohojë, t’i harrojë. T’i harroj deri në vdekje! Pastaj, vetëm në çastin komemorativ, mund të “ndërmendet” dhe të vlerësojë se sa i madh ishte artisti që iku sot në përjetësi, atje ku do të ngrohet me respektin e yjeve, të cilët edhe do t’ia bëjnë një vend në yjësi.

Na la edhe një artiste e madhe e popullit shqiptar. Kaloi në amshim Silvana Bajçinovci! Ajo vdiq edhe më herët, vdiq që kur u la në harresë totale! Gjeneratat e lindura viteve ’80, ’90, 2000 nuk e njohin, madje edhe mund të mos kenë dëgjuar asgjë për të. Këto gjenerata nuk dinë se Silvana Bajçinovci në rininë e saj ishte femër model, artiste e cila ëndërrohej prej të rejave që të bëhen si ajo! Ishte mbretëreshë e skenës teatrore. E nderuar dhe e respektuar prej kolegëve, prej regjisorëve, prej kritikës teatrore. Ishte protagoniste e mbi 30 roleve kryesore dhe e dhjetëra e dhjetëra roleve të tjera dytësore. Në secilin rol shkëlqeu, në secilin rol ndjeu dashurinë e teatërdashësve që e duartrokitën në mënyrë frenetike. Silvana shkëlqeu edhe në ato role që thyenin tabu ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Veprat teatrore sikur përgatiteshin ekskluzivisht për të krijuar një hapësirë, në të cilën do të shkëlqente ylli, Silvana Bajçinovci. Teatri, repertori vjetor, publiku i teatrit, aktorët, dramaturgët kombëtar, regjisorët, askush nuk mund të duronte kohë të gjatë pa e parë atë shkëlqim prej ylli të Silvanës në Skenën e Teatrit.

Sot, ky Yll “u shua”! Për fat të keq, ngelën gjenerata të tëra pa e shijuar kënaqësinë e të qenët publik i Silvana Bajçinovcit! Këto gjenerata nuk dinë se çka është aktrimi! Jo, e dinë, por sikur ta kishin parë vetëm një herë në skenë Silvanën, do të bindeshin se deri më sot, nuk paskan parë gjë!

Silvana, pas një tragjedia familjare, u tërhoq nga jeta publike, si një askete e devotshme u mbyll brenda vetes, duke i kyçur aty shkëlqimet e saj skenike, grandiozitetin skenik, zërin, lëvizjet, shikimin komunikues, mesazhet e heshtjes, copëzat e thyera të tabuve – të gjitha i mori me vete dhe u mbyll brenda vetes! Kurse shoqëria shqiptare u përkujdes që këtë mbyllje t’ia çelikoste me llavën e harresës. Sikur e dëboi nga kujtesa! A është harresa (të harruarit e vlerave të kombit) vetia më karakteristike dhe më e pa përfolu e popullit tonë?!

Asnjë dokumentar për Silvana Bajçinovcin; asnjë monografi e porositur nga institucionet kulturore kombëtare; asnjë iniciativë për ta përfshirë (qoftë edhe “dhunshëm” në ndonjë ngjarje kulturor); asnjë përpjekje popullore për ta tërhequr qoftë një minutë nga ajo heshtja e saj, asnjë respekt nga faktori politik shqiptar, kontributi tredekadësh kulturor i së cilës nuk mund të matet as edhe me dy-tri role të Silvana Bajçinovcit që bëri të kuptojnë të gjithë se femra shqiptare në Maqedoninë e Veriut, është e bekuar me vlera të larta artistike-estetike. Asnjë orë artistike kushtuar veprimtarisë së saj të pamohueshme; asnjë takim të gjallë me publikun, asnjë intervistë teatrale për ta shpalosur madhështinë dhe dhembjen e heshtjes së saj.

Silvana Bajçinovci u hidhërua me fatin, me jetën, por jo me publikun, jo me kolegët e saj, jo me artistët e rinj, jo me mediat, jo me drejtuesit politik të popullit, jo me publikun! Të gjithë u hidhëruan me Silvanën dhe e lanë në harresë, sepse ajo u hidhërua me fatin e vet tragjik!

Mbase sot, Silvana Bajçinovcin, teatri, artistët, kolegët e saj, do ta përkujtojnë dhe do ta nderojnë (shih ironinë!!!) me një minutë heshtje! Në fakt, këtë nderim do t’ia bëjnë nga frika prej harresës së ngjashme që do ta përjetojnë që të gjithë; do ta përkujtojnë duke përcjellë mesazhin: të paktën, kështu të na përkujtoni edhe ne, me një minutë heshtje! Artistët e mëdhenj e meritojnë përkujtimin në të gjitha format dhe përherë, sa të jetë jeta. Vetëm një minutë heshtje për artistin është ekstrakti i mallkimit më të rëndë.

Pusho Silvanë, arti yt do të të mbajë zgjuar në kujtesën e popullit; harresa kolegiale nuk mund ta kaplojë kujtesën e popullit, sepse ajo ngacmohet nga ndriçimi verbues i Yllit që po përgatitet të të bëj pak vend në yjësinë e të mëdhenjve të kombit.

/HEJZA/

FOTO: Silvana Bajçinovci dhe Selman Jusufi në dramën e Beqir Musliut, “Unë Halil Garria”

435589862 440299458387341 6575591773790409427 N

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb