Arrigo Saki ka folur për të ardhmen e pankinës kuqezi dhe Stefano Piolit. Ky i fundit, pavarësisht një kontrate deri më 30 qershor 2025, nuk duhet të jetë në krye të “Djallit” në sezonin e ardhshëm, ndaj edhe ish-trajneri nuk i ka kursyer këshillat dhe sugjerimet.

Mendimi juaj për atë që po ndodh te Milani?

Kam lexuar se, për të zënë vendin e Piolit, qarkullojnë emrat e Galtie, Fonsekës, Gazhardos, Tedeskos, Van Bomelit dhe De Zerbit, teknikë që njoh dhe për të cilët kam respekt. Megjithatë, pavarësisht nga CV-ja, më duket se nuk po merret parasysh një aspekt themelor.

Cili aspekt nuk po merret parasysh?

Fakti që nëse është e komplikuar që një lojtar i huaj të ambientohet në futbollin italian, është edhe më shumë për një trajner. Për mendimin tim duhen të paktën dy sezone për të kuptuar se çfarë është dhe si funksionon futbolli italian. Dhe këtë e them pa marrë parasysh vlerën e trajnerëve. Kushdo që vjen ka nevojë për kohë për t’u përshtatur me një realitet të ndryshëm në krahasim me të gjitha vendet e tjera.

Çfarë do të bënit nëse do të ishit drejtues i Milanit?

Pse të mos e mbahet Pioli? Besoj se ecuria e tij në atë klub është përgjithësisht pozitive. Ai fitoi një titull dhe klubi kishte shpenzuar më pak se kundërshtarët e tjerë. Me atë rast ai i mahniti të gjithë dhe argëtoi të pranishmit. Këtë sezon, nëse gjithçka shkon mirë, ata do të renditen në vendin e dytë në kampionat. Do të thotë se vetëm Interi ka bërë më mirë. Dhe pastaj mund të bëj një pyetje?

Bëjeni ju lutem…

Në merkaton e vitit të kaluar a i donte Pioli të gjithë lojtarët që u blenë. Apo u zgjodhën nga drejtuesit? Sepse, nëse janë zgjedhur nga drejtuesit, përgjegjësitë duhet të ndahen përgjysmë. Besoj se Pioli meriton respekt për atë që i dha Milanit dhe për mënyrën se si u soll. Më duket se konfirmimi i tij nuk do të ishte një hap prapa. Përkundrazi. Ai është një trajner që ka qenë në gjendje të përmirësohet me kalimin e kohës. Është e vërtetë që edhe ka bërë gabime, por kjo është njerëzore. Dhe mbi të gjitha ai është një person i ndershëm që, kam lexuar, kohët e fundit ka pasur përulësinë të pranojë gabimet e tij.

Si do të silleshit ju nëse do të ishit drejtues i Milanit?

Para së gjithash, do të konsideroja konfirmimin e Piolit. Nëse do të kisha një opsion të dytë do të kërkoja një trajner të një niveli edhe më të lartë.

A mund të thoni emrat e trajnerëve që do të dukeshin mirë te Milani?

Epo, emrat e trajnerëve më të njohur janë ata të Klopp, Ançeloti, Guardiola dhe Konte… Por nuk mendoj se këta trajnerë janë në dispozicion për pankinën e Milanit.

Çfarë mundësish duhet të vlerësojë Milani?

Te një profil i ri, te një trajner që dëshiron të dalë na pah dhe që tashmë ka treguar vlerën e tij. Më duket se De Zerbi ishte ndër emrat e ekzaminuar nga drejtuesit e Milanit. Epo, ai do të ishte një trajner që mund të bënte mirë edhe sepse ka pasur eksperienca të rëndësishme, nga pikëpamja njerëzore, të cilat e kanë favorizuar rritjen e tij. Mendoj për kohën që kaloi në Ukrainë. Dhe më pas ai shkoi në Angli, ku u ndesh me kampionatin më magjepsës në botë. Ai e njeh shumë mirë Serinë A, ishte i zoti në Sasuolo dhe përmirësoi lojtarët e vënë në dispozicion të tij. Dhe më pas, një fakt thelbësor për t’u marrë parasysh, De Zerbi u jep skuadrave një identitet në lojë.

Po De Zerbi, është potencialisht gati për Milanin?

Mendoj se po. E përsëris: ka përvojë të mjaftueshme dhe mbi të gjitha ka idetë për të përmirësuar ekipin. Dhe më pas, të them të drejtën, ai mund të bënte atë që bëra unë kur erdha në Milan në vitin 1986. Megjithatë, kisha një klub të fortë pas meje që më mbronte dhe më mbështeste. Drejtuesit e sotëm duhet të sillen me trajnerin e ardhshëm siç u sollën Berluskoni dhe Galiani me mua.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb