Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke folur për çështjen e inceneratorëve dhe urdhër-arrestin ndaj tij. Në një intervistë me “Çim Peka Live”, Ahmetaj pretendoi se procedurat për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit janë përdorur për ta bërë atë “kokë turku”, ndërsa mohoi përgjegjësinë për vendimet që, sipas tij, i atribuohen.
“17 vendime fap e fap për inceneratorin e Elbasanit! Çfarë bëra unë? Unë s’kam firmosur këto gjëra. Kalojmë te inceneratori i Fierit, a shihni ndonjë emër Arben Ahmetaj? Pse? Sepse kreu i organizatës donte kokë turku”, deklaroi ai. Ahmetaj bëri edhe një pretendim të drejtpërdrejtë për Erion Veliajn, duke thënë se ky i fundit kishte festuar pasi ishte lëshuar urdhër-arresti ndaj tij.
“Kur më doli emri për t’u arrestuar, Erion Veliaj hapi një shishe uiski. Këta do festonin, do hapnin dhe një shishe tjetër, kur unë në burg, për shkak të gjakxehtësisë time, do isha eliminuar”, u shpreh Ahmetaj. Ish-zëvendëskryeministri pretendoi gjithashtu se ndaj tij kishte ekzistuar një plan për ta eliminuar gjatë qëndrimit në burg, duke e lidhur këtë me atë që ai e quan “kreu i organizatës”. Ahmetaj vijoi deklaratat e tij duke përmendur edhe rastin e inceneratorit të Fierit dhe persona të tjerë të përfshirë në çështje, ndërsa akuzat e tij mbeten pretendime të tij dhe jo fakte të provuara gjyqësisht.
