Analistët Artur Zheji dhe Fatos Lubonja kanë komentuar sot në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, aksionin opozitar të Sali Berishës dhe deklaratat e tij për zgjedhje të parakohshme. Për analistin Zheji, Breisha nuk duket të ndalet te sulmet ndaj Ramës apo Alibeajt, por duhet të merret me oligarkët.

“Vetëm zbërthimi i oligarkëve, që qëndrojnë pas skandaleve të zbuluara deri më tani, të ndihmon, sepse ata i tjetërsojnë paratë. Nëse nuk merresh me çmontimin e një strukture, thjesht thua “ik Rama ti, se do vij unë”. Këtu është një politikë, që nuk bën zgjerim, por bëhet thjesht për kolltuk”, tha Zheji.

Nga ana e tij, pasi komentoi aksionin e Berishës, Lubonja parashtroi një tjetër tezë, duke u shprehur se “Ndoshta më reale është që bandat të kthehen në parti. Bandat, duke korrigjuar njëra-tjetrën, me ndihmën e shoqërisë civile, ndihmën evropiane apo presion, mund të kthehen në parti. Është më mirë të jenë të treja në luftë, sesa një bandë e vetme, që ka shkuar shumë larg dhe që do të eliminojë të tjerat. Shoh një mundësi më të pisët, por ajo është e vetmja mundësi që shoh te Shqipëria”.

Pjesë nga diskutimet:
Zheji: Nëse do të respektohet 2023, 2025, atëherë gjithë ai momenti i vrullshëm dhe ajo stuhi, që pretendon se solli Berisha në krye të PD, mendoj se nuk i mban pika e vlimit. Jam shumë kureshtar të di prej tij, por edhe të kupto nëse ka një frymë për të tejkaluar kalendarin normal të vendosur ën zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar.

Lubonja: Radikalizimi, goditja më e fortë, premtime të fuqishme, ky është stili i Sali Berishës. Me këtë, ai në një far mënyre kërkon edhe të kompensojë atë mungesë, që sipas tij, ka pasur PD në kohën e Bashës, që nuk ka qenë pra kaq luftarake. Kjo të krijon përshtypjen e asaj që vërtet kërkon ta kthejë pak më përpara atë datën e zgjedhjeve, dhe kush nuk do të donte ta bënte këtë. Por, problemi është se cila do të ishte rruga që të shkohet në zgjedhje në mënyrë sa më të suksesshme. Duhet bërë opozitë, pavarësisht nëse fiton apo jo në zgjedhje me Edi Ramën. Por, çfarë duhet të bëjë ndryshme një Berishë i tretë, siç pretendon ai vetë, në këtë hark kohor. Besoj se ka nevojë për dalje nga stili i Berishës, që hajdeni bashkohuni të gjithë me mua nën udhëheqjen time dhe pastaj kur marr pushtetin, bëj si di vetë. Këtu duhet ndërtuar një opozitë, që ajo pjesa tjetër që mund të bashkohet, të mos jenë si ushtarë që futen aty, por të jenë në lojë. Mendoj që zgjedhjet e 2023, që s’ke si i sjell dot më përpara, do të ishin treguesit, nëse duhen bërë zgjedhje të parakohshme, sepse duhet parë rezultati i zgjedhjeve lokale. Nëse ke triumf në zgjedhjet lokale, mund të kërkosh zgjedhje të parakohshme.

Zheji: Nëse vjet, që në fillimet e Foltores, e më tej në kongrese, ka thënë se do jetë kryetari i PD, kryeministri i ardhshëm dhe që do të përzë Edi Ramën, tani ai nuk mund të marrë Kryesinë e partisë e të dalë të shohë kalendarizimin e avashtë të një procesi normal. Berisha erdhi përmes një procesi jo normal. Provoi përcarje të partisë dhe largoi Bashën, me akuza se ai nuk ishte opozitar i vërtetë, dhe tani Berisha nuk mund të jetë një opozitar i rehatuar. Ai nuk bëhet një opozitar i rehatuar në kolltukun e kryetarit të PD. Mendoj se të gjitha shenjat dhe skandalet, që po dalin, kërkojnë diçka ndryshe, diçka aspak në përputhje me kalendarin normal. Dihet se kur plasin skandale të këtyre përmasave, që në mënyrë të drejtpërdrejta apo tërthorazi qeveria është përgjegjëse, qeveria bie, pra rrëzohet. Por, shoh goditje ndaj Ramës apo Alibeajt, por nuk shoh një listim të oligarkëve. Vetëm zbërthimi i oligarkëve, që qëndrojnë pas skandaleve të zbuluara deri më tani, të ndihmon, sepse ata i tjetërsojnë paratë. Nëse nuk merresh me çmontimin e një strukture, thjesht thua “ik Rama ti, se do vij unë”. Këtu është një politikë, që nuk bën zgjerim, por bëhet thjesht për kolltuk.

Lubonja: Mendoj se është shumë e vështirë edhe sikur të dilte një lëvizje e besueshme, pa të kaluarën që Berishës i krijon probleme. Nëse do ta quajmë regjim, ky nuk është një regjim që përmbyet me zgjedhje normale. Unë e konsideroj regjim, që kontrollon të gjitha pushtetet, ndaj është shumë e vështirë të merret. Strategjia për t’i rezistuar këtij regjimi është tjetër nga ai normal. Në këtë aspekt, mendoj që opozita ka nevojë për shumë krijimtari. Nuk është vetëm cështja e oligarkëve. Duhen njerëzit që janë viktima të këtij sistemi, të afrohen sa më shumë. Që të krijosh besimin tek ata që nxjerr në rrugë, e krijon ose me një forcë të madhe, punë të jashtëzakonshme, me organizim, ose e krijon vetë gjendja pastaj. Nëse bie ekonomia, siç ndodhi në Sri Lanka, apo sic ishte në 1997, atëherë i lehtësohet puna opozitës, por Shqipëria prapë në gropë ngelet. Ne e kemi të kompromentuar gjithë klasën politike dhe nukshoh nga mund të dalin të tjerë. Ndoshta më reale është që bandat të kthehen në parti. Bandat, duke korrigjuar njëra-tjetrën, me ndihmën e shoqërisë civile, ndihmën evropiane apo presion, mund të kthehen në parti. Është më mirë të jenë të treja në luftë, sesa një bandë e vetme, që ka shkuar shumë larg dhe që do të eliminojë të tjerat. Shoh një mundësi më të pisët, por ajo është e vetmja mundësi që shoh te Shqipëria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb