Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është treguar i ashpër me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten e vendit Vjosa osmani, në një reagim në lidhje tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe pasojat që një situatë e tillë ka sjellë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

Haradinaj u shpreh se në vetëm 3 vite në pushtet ato kanë arritur të zbehin çdo sukses të vendit, ndërsa ka kërkuar që pas situatave të fundit, Kurti ka në dorë të bëjë vetëm një gjë të mirë për Kosovës, që është të japë dorëheqjen.

Kreu i AAK u shpreh se “Kurti është shumë i vogël që të ndryshojë orientimin e Kosovës”, referuar krisjes së marrëdhënieve me SHBA, pas deklaratave të saj të fundit për anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet e Defender Europe 2023 dhe paralajmërimin për të tjera veprime si pasojë e moskoordinimit të veprimeve në veri mes saj dhe qeverisë Kurti.

Postimi i plotë:

Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa.
Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?
Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë.
Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj.
Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb