Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, i cili sot qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, porositi se BE-ja do të jetë e plotë atëherë kur në të do të integrohet Ballkani Perëndimor dhe u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e caktuar, për t’u prononcuar për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe për perspektivën evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

Me një ceremoni solemne, Kurz sot u prit në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë nga ana e kryeministrit të këtij vendi, Zoran Zaev. Pas takimit të mbajtur mes kancelarit Kurz dhe kryeministrit Zaev, u organizua konferencë e përbashkët shtypi.

Kurz theksoi se Austria është investitori më i rëndësishëm i Maqedonisë, si dhe mik i Maqedonisë dhe tërë rajonit. Ai tha se e ndan mendimin se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin e tyre në Bashkimin Evropian (BE), si dhe BE-ja do të jetë e plotë atëherë kur në të do të integrohet Ballkani Perëndimor.

“Përzemërsisht e përshëndes atë që është arritur me kompromis në këtë fushë dhe do të dëshiroja që Maqedonia të marrë pjesë në këtë referendum dhe para se gjithash të prononcohen për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe për perspektivën evropiane. Sigurisht se ky është vendim i secilit individ dhe vërtetë nuk më mbetet mua të marrë vendim për dikë tjetër, por si mik i Maqedonisë dhe si vend-aktiv anëtar i Bashkimit Evropian ne do të konsiderojmë se është shumë pozitive nëse ka pjesëmarrje të madhe dhe epilog pozitiv në referendumin”, porositi Kurz.

I pyetur se cili është mesazhi i tij deri te VMRO-DPMNE-ja opozitare me të cilën janë parti simotra në EPP, kancelari Kurz tha se është po i njëjti si deri te qytetarët. Ai theksoi se është me rëndësi që Maqedonia dhe shtetet ballkanike të kenë perspektivë evropiane dhe ta shfrytëzojnë, ndërsa pjesë e kësaj është edhe zgjidhja e çështjes së emrit.

Kryeministri Zoran Zaev falënderoi kancelarin Kurz për vizitën e tij në Maqedoni, duke theksuar se mbështetja e Austrisë për vendin ka ardhur në periudhën e gjetjes së zgjidhjes për kontestin e emrit me Greqinë.

Ai theksoi se me Marrëveshjen e arritur në Prespë janë hapur dyert për anëtarësim të plotëfuqishëm të Maqedonisë në NATO dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE.

“Vizita juaj është mesazh i fuqishëm dhe nxitje për ne në vigjilje të referendumit në të cilin qytetarët e vendit tonë do ta zgjedhin ardhmërinë, do ta hedhin votën për miratimin e Marrëveshjes me Greqinë, me të cilën na garantohet vendi ynë në BE dhe në NATO. Vizita juaj na përcjell mesazhin se Republika e Maqedonisë është kthyer në rrugën e duhur, në rrugën evropiane”, tha Zaev, duke shtuar se bota ka njohur ndjenjën e rivendosur të optimizmit, energjisë dhe shpresës, që ndajnë qytetarët e Maqedonisë.

Zaev shtoi se Austria është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik, kompanitë e së cilës janë investitorët më të mëdhenj në Maqedoni.

I pyetur për atë çfarë do të ndodh nëse Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me emrin nuk kalon në Greqi, kryeministri i Maqedonisë tha se pret që të dyja vendet ta përfundojnë pjesën e tyre të punës dhe të ratifikohet në Parlamentin e Greqisë, ndërsa procesi tërësisht të kryhet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: