Konstitucionalisti Shkëlqim Hajdari ka folur mbrëmjen e sotme në “Frontline” në Neës24 për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar dhe se cila palë fitoi. Ai tha se kur flet Gjykata Kushtetuese të gjithë duhet të heshtin, teksa e cilësoi të qartë vendimin duke e zbërthyer në tre pika.

“Nëse për akte të tjera administrative të gjykatave mund të bëjmë komente, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese shqiptarët duhet të binden që kur jep vendim Gjykata Kushtetuese të tjerët heshtin. Gjykata Kushtetuese nuk ka krijuar konfuzion.


Kjo histori që politika bën komente sipas interesit të vet me ngjarje të rëndësishme, është një histori që na ka shoqëruar për 30 vjet. Unë për nga formimi e dua shumë shtetin dhe Gjykata Kushtetuese për mua, kur flet me një vendim, ne të tjerët në dorë kemi të interpretojmë çfarë ka thënë ajo, por që të marrim anësi a ka bërë mirë a keq është abuzim i madh dhe unë nuk ia lejoj vetes.
Gjykata Kushtetuese ka thënë:
1. të gjitha aktet ligjore që e kanë transferuar pronën nga qeveria shqiptare tek bashkia e Tiranës për të ndërtuar teatrin me firmë preferenciale është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe urdhëron që prona të kthehet tek Ministria e Kulturës dhe qeveria shqiptare.
2. Vendimin e Këshillit Bashkiak për prishjen e teatrit nuk e quan antikushtetues.
3. Nuk ka asnjë pengesë ligjore që qeveria shqiptare në të ardhmen, brenda rregullave, qofshin këto të ligjeve të brendshme, por edhe ndërkombëtare të çelë një garë për ndërtimin e TK, qeveria.
Nëse politika, qoftë maxhoranca, artistët, qoftë opozita duhet të reflektojnë dhe nëse do ndërtohet një teatër të merren parasysh dhe qëdrimet e opozitës dhe të artistëve që të gjitha palët të ndihen të kënaqura”, deklaroi Hajdari.

Ai theksoi më tej se është vendim që deri diku ka rregulluar disa gjëra. “Ka rregulluar faktin që do bëhet garë për ndërtimin e teatrit. Pra jo me ligj të posaçëm, por me garë, duke bërë ç’është e mundur të ruhen dhe elementë të trashëgimisë kulturore të teatrit të vjetër.
Zoti Veliaj është politikan dhe e quan fitore sepse vendimi për prishjen nuk u quajt antikushtetues dhe nga pozita e maxhorancës thotë të ecim para, të bëjmë teatrin.
Arrestimet që kërkojnë politikanët për njeri-tjetrin janë kthyer qesharake. I kërkojnë në televizor por jo duke çuar prova. Ne arrestimet i presim nga organet e posaçme, deklaratat e politikanëve shqiptarë, t’i matin mirë fjalët e tyre”, u shpreh Hajdari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb