Anita Jella, e cila u emërua sot në krye të Prokurorisë së Durrësit, nuk është një emër i panjohur për pubikun. Në mars të vitit 2018, Prokurori Dritan Gina, i shkarkuar nga detyra si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit, me urdhër të Kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, ka hedhur akuza të forta ndaj Jellës.

Teksa Gjykata e Durrësit shqyrtonte ankimimin e bërë nga prokurori Dritan Gina në lidhje me shkarkimin e tij nga detyra, ai ka kërkuar që prokurori i kësaj çështje të mos ishte Anita Jella, pasi sipas tij, ajo është shoqe me Arta Markun.

“Prokurori i çështjes ka lidhje shoqërore me Arta Markun, ka qenë shok klase me të”, ka thënë Gina në sallë.

Prokurorja Anita Jella i është përgjigjur dhëmbë për dhëmbë Ginës.

Unë kam qenë në një grup me Prokuroren e Përgjithshme por edhe me bashkëshorten e kallëzuesit. Kam qenë një brez në universitet me paditësin. Por kjo nuk përbën shkak. Kërkojmë që të mos fillojë çështja sepse vërejmë që nuk ka arsye për nisje të hetimeve. Procedimin disiplinor le ta ndjekë me rrugë tjetër. Kërkoj prishjen e vendimit dhe kalimin e çështjes prokurorisë kompetente”,- ka thënë ajo.

Gina po ashtu pretendonte se nuk ishte marrë në pyetje nga prokurorja Anita Jella.

Ditën e sotme, kjo e fundit u emërua në krye të Prokurorisë së Durrësit, duke zëvendësuar Donika Prelën, e cila u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi Kryeprokurorja Arta Marku shkarkoi nga kjo detyrë Besim Hajdarmatajn, i njohur si prokuror i çështjes “Tahiri”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb