TIRANË- Një ditë pasi ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka botuar Kushtetutën e re të Shqipërisë ku reflektohen projekt-amendamentet kushtetuese të reformës në drejtësi të cilat ende nuk janë miratuar në parlament ka reaguar një prej zërave të Kishës katolike shqiptare, Dom Gjergj Meta.

Ai njihet si një prej njerëzve që ndjek zhvillimet politike duke i komentuar shpesh herë, por këtë radhë, Gjergj Meta kërkon shkrirjen e parlamentit shqiptar, duke vënë në diskutim rolin e deputetëve që nuk ngurron t’i quajë palaço cirku.

“Nëse ky lajm është i vërtetë atëherë të shkrihet menjëherë parlamenti shqiptar. Jemi në kufijtë, madje përtej kufijve të absurdit. Nuk kanë pse rrinë më në ato karrige deputetët e Shqipërisë. Ky gjest i bën ata deputetë palaço cirku. Ky vend nuk ju meriton asnjërin përfshi miqtë dhe miket e mia deputete. Ju nuk e meritoni atë karrige…E keni çu veten në atë pikë? E pabesueshme….”, shkruan Gjergj Meta në profilin e tij zyrtar në facebook.

Kushtetuta e re e botuar nga ambasada e SHBA-ve, OPDATE, OSBE, Euralius etj., iu është vënë në dispozicion deputetëve nga administrata e kuvendit, pavarësisht se maxhoranca dhe opozita nuk kanë rënë ende dakord për ta votuar.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sqaron që në krye të dokumentit se ai nuk është një botim zyrtar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk konfirmon ndonjë të drejtë dhe nuk parashikon ndonjë detyrim.
Ambasada sqaron se qëllimi është informimi i publikut shqiptar rreth amendamenteve të mundshme të Kushtetutës së tyre dhe se Shtetet e Bashkuara nuk marrin përsipër asnjë përgjegjësi për gabimet që mund të ketë drafti.

Botimi vjen në një kohë që ende reforma në drejtësi nuk ka marrë votën e parlamentit, dhe palët janë ende larg konsensusit për të vetmen çështje që i ndan ajo e emërimeve në institucionet e reja në drejtësisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: