Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, të akuzuar për përfshirje në një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare, e cila dyshohet se trafikoi të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës gjatë viteve 2019–2021.
Në dosjen e SPAK, të bazuar edhe në komunikimet e përftuara nga platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, përshkruhet mënyra se si funksiononte rrjeti, ndarja e roleve mes personave të përfshirë, kostot e transportit dhe kodet që përdoreshin për të komunikuar rreth aktivitetit të paligjshëm.
Sipas hetimeve, Ervis Çela dhe Franc Gergely, i njohur edhe si Franc Çopja, kishin funksione bashkëdrejtuese, por mbulonin hallka të ndryshme të trafikut. Çela merrej kryesisht me sigurimin e kokainës në vendet e origjinës, kontaktet me furnizuesit në Amerikën Latine, financimin e blerjes dhe organizimin e transportit drejt Paraguait. Ndërsa Gergely koordinonte financimin e fazave të mëtejshme, transportin ndërkombëtar, nxjerrjen e ngarkesave nga portet europiane dhe shitjen e kokainës në tregjet e Europës.
“Kuzhina”, “Hipja” dhe “Dalja”, kuptimi i kodeve
Në komunikimet e analizuara nga SPAK, laboratorët e prodhimit të kokainës në zonën e Andeve, veçanërisht në Bolivi, referoheshin me termin “kuzhina”. Në këtë fazë, sipas dosjes, rolin kryesor e kishte Ervis Çela, i cili koordinonte furnizimin dhe transportin e drogës drejt Paraguait.
Pas mbërritjes në Paraguai, kokaina grumbullohej, magazinohej dhe përgatitej për t’u dërguar drejt Europës. Për transportin nga Bolivia përdoreshin edhe avionë të vegjël, ndërsa në komunikime përmenden ngarkesa që arrinin deri në rreth 500 kilogramë. Më pas, lënda narkotike transferohej në kamionë të tonazhit të rëndë dhe përgatitej për eksport.
Për të kamufluar drogën, sipas hetimeve, përdoreshin shoqëri tregtare në Paraguai, përmes të cilave kokaina fshihej në ngarkesa me produkte të ligjshme, si stuko patinimi, bojëra dhe produkte të tjera industriale.
SPAK ka zbardhur edhe kostot e kësaj veprimtarie. Kokaina blihej me rreth 4,100–4,200 dollarë për kilogram, çmim që përfshinte edhe transportin deri në portin e Villetës në Paraguai. Për imbarkimin në anije paguheshin edhe 1,300 dollarë për kilogram, në formën e ryshfetit për kalimin e ngarkesës.
Në komunikime, faza e ngarkimit në anije quhej “hipja”, ndërsa termi “dalja” përdorej për nxjerrjen e ngarkesës nga porti europian i destinacionit. Për këtë fazë të fundit, kostoja llogaritej në 15% të ngarkesës dhe, sipas SPAK, zakonisht shlyhej në natyrë, duke dorëzuar një pjesë të kokainës.
Roli i Franc Gergelyt në portet europiane
Sipas dosjes, kokaina transportohej nga Paraguai përmes korridorit lumor Paraguaj–Paraná drejt portit të Buenos Airesit në Argjentinë. Prej aty, kontejnerët ngarkoheshin në anije transoqeanike me destinacion portet europiane, përfshirë Hamburgun, Anversën, Barcelonën dhe Roterdamin.
Një nga elementet e identifikuara nga hetuesit ishte ndryshimi i destinacionit të kontejnerëve gjatë lundrimit, për t’i orientuar drejt porteve ku ishin krijuar kushtet për dorëzimin dhe nxjerrjen e kokainës.
Në këtë fazë, sipas SPAK, Franc Gergely kishte kontakte me persona të lidhur me strukturat doganore dhe të sigurisë portuale në Anversë të Belgjikës, përfshirë persona që operonin skanerin dhe kryenin shërbime sigurie. Pas nxjerrjes nga portet, Holanda shërbente si një nga qendrat kryesore të magazinimit dhe shpërndarjes me shumicë, nën koordinimin e tij.
Paratë transferoheshin përmes “Hawala” dhe kodeve “token”
Një tjetër element i përshkruar në dosje është mënyra e qarkullimit të parave të përfituara nga trafiku. Sipas hetimeve, organizata përdorte mekanizma informalë transferimi, të njohur si “Hawala”, si dhe kode identifikuese të quajtura “token”.
Sistemi Hawala mundësonte transferimin e shumave përmes një rrjeti ndërmjetësish në vende të ndryshme, pa përdorur transferta bankare apo transport fizik të parave. Ndërsa token-i shërbente si identifikues për të realizuar dhe verifikuar dorëzimin e shumave monetare. Në këtë skemë përmenden si pika tranziti apo destinacione Paraguai, Bolivia, Brazili, Shqipëria, Turqia dhe Dubai.
SPAK vlerëson se Ervis Çela dhe Franc Gergely kishin kompetenca vendimmarrëse mbi hallka të ndryshme, por të ndërvarura, të aktivitetit. Ndarja e detyrave, sipas dosjes, nuk nënkuptonte domosdoshmërisht një marrëdhënie hierarkike, por një model bashkëpunimi ku secili kishte autonomi dhe përgjegjësi për fazën që mbulonte.
Nga ndërthurja e komunikimeve të enkriptuara me provat e mbledhura përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, SPAK thotë se organizata ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve europiane gjatë viteve 2019–2021.
Në dosje përmenden edhe pesë episode të sekuestrimit të sasive të mëdha të drogës: rreth 255 kilogramë në Roterdam në dhjetor 2019, 495 kilogramë në Barcelonë në prill 2020, 300 kilogramë të tjera në Roterdam në maj 2020, 600 kilogramë në Holandë në nëntor 2020 dhe rreth 17 tonë në Hamburg në shkurt 2021.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar pasuri të paluajtshme, subjekte tregtare, automjete dhe para cash. Vlera totale e pasurive dhe shumave monetare të sekuestruara përllogaritet nga SPAK në rreth 9.18 milionë euro.
