TIRANË

Profesor Mark Marku e sheh kuvendin e sotëm kombëtar të PD si një moment të një pjekurie politike. Marku tha në emisionin “Kjo Javë” në News24 se pjesëmarrja tregoi një vetëdijësim të anëtarësisë së PD-së që s’ka të bëjë me Lulzim Bashën apo Sali Berishën, por me ekzistencën e PD-së.

Sipas tij, sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë aktet politike të z. Berisha do vlerësohen gjithnjë e më shumë në mënyrë kritike.

“Mendoj që kjo pjesëmarrje që ka pasur, një lloj vetëdijësimi i anëtarësisë së PD-së nuk ka të bëjë shumë me Bashën apo Berishën, por me vetë ekzistencën e PD-së. Ne nuk jemi më të zgjuar se anëtarësia, ne dimë më shumë për shkak të profesionaleve, profileve, por në thelb shoqëria dhe anëtarësia ka intuitën. Në qoftë se diçka që bëhet ajo di ta dallojë, po çon ujë në favor të interesave të një personi apo të PD-së. Kush është më e rëndësishme, interesat e një personi apo PD-ja? Mendoj që njerëzit i kthehen arsyes. Kuptojnë që qëndrimi dhe lëvizja që ka marrë Sali Berisha, kanë qenë në funksion të interesave të një personi. Personi mund të ketë të drejtë të luftojë për nderin e vet, por nuk ka të drejtë të marrë me vete një formacion politik. Para proceseve të kësaj natyre në kohë të ndryshme kanë qenë figura të rëndësishme të politikës europiane. Zhak Shirak, figura kryesore politike franceze pas Sharl De Gol. Sharl De Gol pati një aferë, dhe ka vdekur në proces gjyqësor. Partia nuk u përfshi në këtë aferë. Të gjithë e dinin që ai ishte i pafajshëm, por nuk u përfshi partia. Është betejë personale. Në qoftë se dikush akuzon Mark Markun për një aferë personale, nuk ka arsye që të përfshihet departamenti në aferën time personale. Beteja e z. Berisha është e moralshme në planin individual, por duke dashur të përfshijë PD-në dhe t’i shkaktojë një kosto shumë të madhe, është vlerësuar nga intuita e individit të thjeshtë dhe sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë aktet politike të z. Berisha do vlerësohen gjithnjë e më shumë në mënyrë kritike. Më vjen mirë që ky Kuvend tregoi një pjekuri politike. Përfaqësuesit erdhën aty, të shumtë në numër, biseduan, diskutuan.
Dy janë mesazhet e këtij Kuvendi: Dhënia fund e dualizmit të lidershipit në PD. Prej këtij moment ika vetëm një lider në PD. Pas kësaj kemi të drejtë t’i kërkojmë llogari z. Basha për çdo gjë”, deklaroi Marku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb