Laçi merr një tjetër trepikësh dhe futet në garë për një vend në zonën evropiane pas fitores 4-3 ndaj Teutës. Kurbinasit përmbysën durrsakët në një ndeshje me bollëk golash dhe emocione deri në fund.

Fitorja e dytë radhazi për bardhezinjtë me poker, duke dëshmuar se mbetet një rival i fortë. Nga ana tjetër, përfundon magjia e të besuarve të Edi Martinit, teksa pësojnë humbjen e parë për këtë vit. Miqtë durrsakë e nisën mjaft mirë ndeshjen.

Pasi kaluan në avantazh në minutën e 12-të me anë të Lorenc Vilës, në të 16-ën dyfishojnë shifrat me Kallakun, i cili tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Por Laçi reagon shpejt dhe në minutën e 21-të ngushton shifrat me Adeleken, që nuk fal përballë Qirkos.

Pa kaluar as tri minuta është Babatunde që barazon shifrat në 2-2, rezultat që çon skuadrat në dhomat e zhveshjes. Kurbinasit vijuan me presionin dhe në minutën e 68-të shpërblehen me një gol të bukur të Ujkës, që kalon skuadrën në avantazh.

Teuta mundohet të reagojë, por ndëshkohet me një kundërsulm. Është sërish Adeleke që shënon në minutën e 72-të për Laçin. Djemtë e Detit provojnë të rifuten në lojë, arrijnë të ngushtojnë në minutën e 90-të, kur Gruda çon shifrat në 4-3, por të pafuqishëm për të shkuar më shumë, pasi vendasit mbrojnë fitoren në minutat shtesë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb