Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar ankimimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ky i fundit kishte çuar çështjen në këtë gjykatë ndërkombëtare, pasi kundërshtonte shkarkimin e tij nga detyra, duke paditur kështu Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendin.

Padia e tij u regjistrua në këtë gjykatë më datën 22 nëntor të vitit 2019 dhe më pas Strasburgu solli pyetjet për Shqipërinë nëse janë respektuar procedurat ligjore.

Pas shkarkimit Fullani fitoi në gjykatë edhe dëmshpërblim për ‘shkarkimi të padrejte nga posti i guvernatorit’.
Por pavarësisht këtij fakti, Fullani pretendoi se për rastin e tij është shkelur neni 8 i Konventës, për shkak të dështimit të gjykatave vendase për ta rikthyer atë në detyrë dhe mos dhënien e dëmshpërblimit për dëmet e shkaktuara në reputacionin dhe nderin e tij. Në arsyetimin e saj, Gjykata e Strasburgut thekson se kërkesa e Fullanit është e papranueshme.

Kujtomë se Fullani u shkarkua në 2014 pasi u akuzua për shpërdorim detyre, pas zhdukjes së 713 milionë lekëve. Më pas ai u arrestua dhe gjykata e la në arrest shtëpie. Në dhjetor të 2015, u shpall i pafajshëm nga Apeli.

VENDIMI I GJYKATES SE STRASBURGUT
Në vendimin për çështjen Fullani kundër Shqipërisë (kërkesa nr. 4586/18) Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka shpallur unanimisht kërkesën të papranueshme. Vendimi është përfundimtar. Çështja kishte të bënte me vendimin e Kuvendit në vitin 2014 për të shkarkuar z. Fullani nga detyra si Guvernator i Bankës Qendrore të Shqipërisë, pas arrestimit të tij me dyshimin për ‘shpërdorim detyre’. Më pas ai u shpall i pafajshëm. Ai ngriti veprime ligjore për të kundërshtuar shkarkimin e tij dhe gjykatat i dolën në favor, por hodhën poshtë kërkesën e tij për kompensim shtesë dhe rikthim në detyrë. Gjykata konstatoi se z. Fullani nuk kishte përdorur të gjitha mjetet juridike të brendshme në dispozicion të tij. Në veçanti, ai nuk kishte paraqitur një ankesë kushtetuese e cila, që nga ndryshimet në Kushtetutë në vitin 2016, kishte qenë në parim, një mjet efektiv në lidhje me pretendimet për çdo shkelje të të drejtave të mbrojtura nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Protokollet e saj që janë ratifikuar nga Shqipëria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: