TIRANE- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Besim Trezhnjeva, pasi akuzohet se ka fshehur pasurinë, duke mos kaluar kështu Vettingun.

KPK ka deklaruar se ai nuk ka qenë bashkëpunues me Komisionin. Por, po kështu, KPK duke iu referuar të dhënave nga ILDKP thekson se gjyqtari i Apelit të Durrësit ka fshehur pasurinë, ndërsa bëhet fjalë për një shifër prej 20 milionë lekë pasuri.

“Trupa e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore për subjektin e rivlersimit, z. Besim Trezhnjeva. Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese e përbërë nga Alma Faskaj, kryesuese, Firdes Shuli relatore, Roland Ilia, anëtar vendosi të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, zotin Besim Trezhnjeva, gjyqtar i Gjykatës së Apelit Durrës”, tha kryesuesja e trupës gjykuese, Alma Faskaj.

Trezhnjeva u mbrojt nga avokati Fatmir Braka, i cili deklaroi se vendimi në fjalë është i padrejtë dhe do ta apelojnë.

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva, dy ditë më parë mohoi akuzat. Ai tha për mediat se pasuria e tij është e ligjshme. “Kemi punuar bashkë me gruan. Të ardhurat kryesore janë nga bashkëshortja. Pasuria ime është e ligjshme”, tha Trezhnjeva.

Skeda grafike e mëposhtme e përgatitur nga reporter.al paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Besim Trezhnjeva nga viti 2003 deri në vitin 2014
Besim-Trezhnjeva-Skeda-e-pasurise
Ky raport është prodhuar pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara tregojnë se gjyqtari Trezhnjeva zotëronte një pasuri familjare me vlerë 9.1 milionë lekë në vitin 2003, ndërsa në vitin 2014 kjo pasuri ka arritur në 39 milionë lekë ose 4.3 herë më e lartë. Shtesa mesatare vjetore e pasurisë familjare nga viti 2003 deri në vitin 2014 ka qenë 2.7 milionë lekë.
Të ardhurat familjare të deklaruara nga zoti Trezhnjeva e kanë origjinën në 49.6 % nga paga e tij për shkak të detyrës dhe 50.4 % nga aktiviteti privat i bashkëshortes, e cila zotëron një farmaci.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që janë identifikuar gjatë kontrollit. Nga 11 deklarata pasurie që iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik, dy deklarata rezultojnë me probleme me një vlerë të pajustifikuar prej 4.1 milionë lekësh.
Në analizën e mësipërme u morën në konsideratë edhe llogaritë bankare në emër të aktivitetit privat të bashkëshortes së Z.Treshnjeva, të cilat gjenden në deklaratat që ai ka dorëzuar në ILDKPKI, ndonëse nuk janë objekt i deklarimit të pasurisë.
Si “flamuj të kuq” janë identifikuar gjithashtu edhe gjendja akumulative në cash prej 3.1 milionë lekësh në fund të vitit 2014 apo luhatje e vlerave të likuiditeve në bankë.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: