TIRANË- Mospërfshirja në fushatë duket se është një vendim shumë i vështirë për punonjësit e administratës.

Duke cituar burime nga Ministria e Financave gazetarja Erjola Jata bëri të ditur për “BalkanWeb” se ka filluar procedimi disiplinor për tre drejtorë të lartë të ministrisë të cilët kanë refuzuar zbatimin e vendimin e këshillit të ministrave numër 473 që njihet ndryshe si Task-Forca për monitorimin e veprimtarisë së administratës shtetërore gjatë procesit të zgjedhjeve 2017.

Emrat e drejtorëve ndaj të cilëve ka nisur procedimi disiplinor nuk bëhen të ditur.

Së fundmi, Ministria e Financave e drejtuar nga ministrja teknike Helga Vukaj bën të ditur se në bazë të informacioneve të marra, rezulton se punonjës të administratës fiskale, në tatime dhe dogana, po përdorin si mjet justifikues raporte mjekësore afatgjata, me qëllim shkëputjen nga puna për tu angazhuar në fushatë elektorale.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme ligjërisht.
Ministria e bën thirrje qytetarëve si dhe subjekteve tregtare që ti denoncojnë këto raste dhe garanton marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre punonjësve”, deklaroi Ministria e Financave.

Po sot një tjetër ministri, ajo e Arsimit pezulloi drejtoreshën e DAR Vlorë për mosbindje ndaj urdhrit të titullarit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb