Një aksion blic i forcave të RENEA-s është zhvilluar gjatë mbrëmjes së të enjtes në Nikël të Fushë-Krujës, zonë e krehur edhe herë të tjera nga policia për shkak të personave me rekorde kriminale.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala. Referuar burimeve policore ajo bëri të ditur se policia ka kryer kontrolle në disa banesa të personave me rekorde kriminale. Mes tyre policia ka ushtruar kontroll në banesën e Durim Bamit, që njihet si “i forti” i Niklës.

Kjo nuk është hera e parë që RENEA troket në derën e tij. Bami u ndalua edhe në shtator të 2018 nga një operacion i RENE-as në Nikël pas informacioneve se në banesat e të fortëve në këtë zonë kishte armë, drogë dhe sasi eksplozivi.

Mësohet gjithashtu se e gjithë Nikla është mbajtur në shtetrrethim për disa orë. Një tjetër banesë e kontrollur është ajo e shtetasit Bedri Hakës. Ky i fundit u arrestua policia e Durrësit në 2014 si i akuzuar për vrasjen e Leonard Muratajt, por mohoi autorësinë.

KUSH ESHTE DURIM BAMI
Durim Bami njihet edhe si personi që ka trazuar politikën shqiptare. Në 2015 Bamit i kanë vënë ekspoliz në makinën e tij tip “BMW X5″ me targa AA 858 IS, por nuk pati lëndime. Në 3 mars të 2015 ai është arrestuar nga Policia pas akuzave të Tom Doshit, se ishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës.

Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi. Pas arrestimit ai tha se ishte vrasës me pagesë. Më 4 korrik të 2018 ai u lirua nga Gjykata, pasi kjo e fundit e dënoi me 1 vit burg, por që dënimin ta kryente në “shërbim prove”.

41-vjeçari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafuka (i zhdukur pa gjurmë). Më herët ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes.

Po ashtu në 8 shkurt 2020 Operacioni Forca e Ligjit i ka sekuestruar atij një makinë të blinduar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb