ShHKODËR- Më pak se 24 orë nga vrasja e 54-vjeçarit Prendush Fusha në Shkodër policia ka lokalizuar dhe ka arrestuar autorin e dyshuar. Ngjarja ndodhi natën e kaluar rreth orës 19:15 në lagjen “Mark Lula”.

Policia thotë se kapja e autorit Alfred Pllumbaj, 33 vjeç u bë e mundur si rezultat i rrethimit të zonës në një perimetër të gjerë nga efektivët.

Po kështu është kryer një punë intensive nga Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me FNSH Shkodër.

Pllumbaj dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Prendush Fusha, ndodhur mbrëmë, ku pas një konflikti për motive të dobëta e ka goditur me mjet prerës (thikë).

Viktima e kishte akuzuar 33-vjeçarin se i kishte vjedhur një shumë parash. 54-vjeçari madje e kishte denoncuar në polici e cila e kishte marrë në pyetje të riun dhe më pas e kishte lënë të lirë. Por sapo ka dalë nga policia, 33-vjeçari ka shkuar në shtëpinë e akuzuesit dhe pas një konflikti verbal e ka qëlluar me thikë. Më pas ai është arratisur, ndërsa 54-vjeçari Prendush Fusha humbi jetën.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “Vrasja me dashje” e “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 76 e 279 të Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: