Goditet grupi i strukturuar kriminal që realizoi megagrabitjen në pistën e aeroportit të Rinasit mesditën e 9 prillit.

Të paktën 4 persona përfunduan në pranga, gjatë një aksioni policor që u zhvillua të dielën qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij.

Alkond Bengasi, Saimir Çela, Renaldo Sula nga Elbasani dhe Oltian Veseli nga Fushë Kruja, dyshohen si të përfshirë në në ngjarje, fill pas së cilës gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj, një eksponent i njohur i botës së krimit.  Të gjithë të arrestuarit dyshohen se kishin rolin e bashkëpunëtorëve dhe ndihmësve.

Në duart e policisë nuk është asnjë prej personave që shpërthyen rrethimin e aeroportin dhe ekzekutuan grabitjen spektakolare. Megjithatë në kërkim janë shpallur  Klement Çala dhe vëllai i tij, Eldi Çala si dhe dy persona të tjerë.

Klement Çala njihet për lidhjen miqësore me Admir Muratajn, pasi u arratisën së bashku nga burgu i sigurisë së lartë në Trikalla të Greqisë në 2013. Përgjimet telefonike ndihmuan hetuesit të drejtonin sytë nga eksponentë të botës së krimit në Elbasan dhe të binin në gjurmët e një servisi.

Në këtë servis që ndodhet në rrugën e vjetër Elbasan -Rrethrrotullimi i Bradasheshit, dyshohet të jetë modifikuar automjeti tip Volsvagen me mbishkrimin “hetimi tatimor” që u përdor në megagrabitjen e 9 prillit në pistën e Aeroportit.

News24 kontaktoi me Gentian Sharrën, i cili tha se servisin pronë të tij ia kishte dhënë me qira Eldi Çalës që në shtator të 2017. Sharra sqaroi se me qiramarrësin nuk kishte kontratë noteriale, për shkak se servisi ishte në proces legalizimi. Ai tha se këto fakte ua kishte rrëfyer edhe hetuesve. Përgjatë ditëve të fundit, grupi hetimor ka marrë dëshmitë e dhjetra personave, mes tyre të afërm të Admir Muratajt e Klement Calës.

Por ndonëse grupi është goditur, deri më tani nuk janë gjetur paratë e grabitura, ndërsa mbetet e paqartë nëse 47-vjecari Murataj është ekzekutuar nga policia apo miqtë e tij gjatë shkëmbimit të zjarrit.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb