Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Lartë për ish-ministrin e Mjedisit Lefeter Kokën. Vendimi i plotë, është siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala.

Në vendimin e arsyetuar, Gjykata e Lartë thekson se kërkuesi, në këtë rast, avokatët e Kokës, kanë paraqitur të njëjtat pretendime si në Apel, e për këtë, Gjykata thotë se përgjigjet janë arsyetuar nga Apeli.

Ndër të tjera, Gjykata e Lartë thotë se rekursi duhet të përmbajë shkaqet për të cilat kërkohet ndryshimi i masës së sigurisë. Nënvizojmë se më datë 4 prill të këtij viti, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
Vlen të përmendet se ish-ministri Koka, bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar masë më të lehtë sigurie.

Rekursi për ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg, në Gjykatën e Lartë u regjistrua më datë 7 mars, pasi Apeli i GJKKO caktoi arrest me burg për të. Në dhjetor të vitit të kaluar SPAK urdhëroi prangosjen ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan.
Ndaj Kokës rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës”, “pastrim të parave” dhe korrupsion”.

SPAK akuzon Kokën se ka përfituar ryshfet në vlerën e 3.7 milionë eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij. Hetimet disa mujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. Ndërkaq, disa javë më parë, po për të njëjtën aferë, në pranga ra edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i këtij dikasteri, Alqi Bllako.

Vendimi i plotë:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
KOLEGJI PENAL

Nr. 61015-00170-00-2022 i Regj. Themeltar
Nr. 00 – 2022 – 255 i Vendimit

VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga gjyqtarët:

Ilir PANDA – Kryesues
Albana BOKSI – Anëtare
Medi BICI – Anëtar

Sot, në datë 31.03.2022 mori në shqyrtim në dhomë këshillimi, çështjen penale, që i përket:

KËRKUES: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oganizuar

KUNDËR: Personit nën hetim Lefter Koka

I DYSHUAR: Për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre”, kyer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, nën rrethanën cilësuese të bashkëpunimit, të parashikuara nga nenet 248, 25, 260 dhe 287 germa a) dhe b) të Kodit Penal.

OBJEKTI: Verifikimi i kushteve të zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

BAZA LIGJORE: Neni 248 i Kodit të Procedurës Penale.

KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi;

V Ë R E N:

I. Rrethanat e çështjes:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oganizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 277, viti 2020 për veprat penale “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendor” ,“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, nën rrethanën cilësuese të bashkëpunimit, të parashikuara nga nenet 248, 245, 25, 260 dhe 287 gërma a) dhe b) të Kodit Penal, në ngarkim të personave nën hetim Lefter Koka, Stela Gugallja, Klodian Zoto, personi juridik “Albtek Energy” Shpk me ortak dhe administrator Stela Gugallja dhe personi juridik “Integrated Techlogy Services” Shpk, me ortak dhe administrator Klodian Zoto.
2. Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore nga të cilat ka rezultuar se, Bashkia Elbasan ka paraqitur kërkesë, të cilësuar si urgjente, në Ministrinë e Mjedisit për zgjidhje koncesionare të partneritet publik privat për trajtimin e mbetjeve urbane, për shkak të mungesës së një vendi për depozitimin e mbetjeve urbane në këtë Bashki. Kërkesa e Bashkisë Elbasan është protokolluar në Ministrinë e Mjedisit me nr. 7594 Prot., datë 08.07.2014 dhe është trajtuar nga punonjësit e këtij institucioni. Në ditën pasardhëse, Ministria e Mjedisit me shkresën nr. 7594/1 Prot., datë 09.07.2014 i ka kthyer përgjigje Bashkisë Elbasan se e vlerëson pozitivisht propozimin dhe në përputhje me ligjin. Propozimi për ndërtimin e një impianti me qëllim prodhimin energjisë nga mbetjet urbane, është konsideruar e pranueshme dhe se paraqet interes publik.
3. Në datë 14.07.2014 është regjistruar në regjistrin tregtar Shoqëria tregtare “Albtek Energy” Shpk. Në objektin e veprimtarisë së kësaj shoqërie përfshihet ndërtimi i termocentraleve të kapaciteve të ndryshme, trajtimi i mbetjeve të ndryshme, ndërtimi i impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie, ndërtim konstruksion, punime të objekteve civile, industriale, etj. Në momentin e rregjistrimit kapitali fillestar i shoqërisë ka qenë në shumën 100.000 lekë. Ortak i vetëm dhe administror i shoqërisë është shtetasja Stela Gugallja. Në datën 11.08.2014 Shoqëria “Albtek Energy” Shpk ka paraqitur në Ministrinë e Mjedisit një kërkesë për shprehje interesi për koncesion. Në këtë kërkesë shoqëria ka shprehur interesin dhe ka propozuar projektin koncesionar/partneritet publik privat, për ndërtimin e impiantit të përpunimit, trajtimit dhe eleminimit të mbetjeve urbane për qytetin e Elbasanit. Në shprehjen e interesit është parashikuar nga shoqëria e mësipërme se vlera investimit është 22.000.000 Euro. Bashkëngjitur kërkesës është dorëzuar edhe një projekt paraprak teknik që shoqëria ka menduar të realizojë.
4. Me Urdhër të Ministrit të Mjedisit Lefter Koka është ngritur komisioni përkatës për dhënien e koncesionit, me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në Qarkun Elbasan, për prodhimin e energjisë”. Në datën 24.10.2014 Shoqëria “Albtek Energy” Shpk ka paraqitur dokumentacionin tekniko-financiar dhe ofertën e rishikuar, në të cilën është shprehur interesi për të reduktuar ofertën financiare për këtë investim nga 22.000.000 Euro në 20.000.000 Euro.
5. I është kërkuar miratimi Ministrisë së Financave, e cila është përgjigjur se: “Nuk mundet të shprehet për këtë praktikë përsa kohë nuk janë plotësuar kushtet, kritere dhe dokumentacioni i kërkuar nga legjislacioni në fuqi për koncesionet dhe partneritetin publik privat.” Shoqëria “Albtek Energy” Shpk ka paraqitur studimin e fizibilitetit për ndërtimin e impiantit, ndërsa ka një studim fizibiliteti edhe nga komisioni i dhënies së koncesionit, i cili rezulton i njëjtë në përmbajtje me studimin e shoqërisë. Sipas këtij studimi, vlera e përgjithshme e investimit rezulton në shumë 21.600.000 Euro, pra më e lartë se shuma 20.000.000 Euro e propozuar në fillim. Vlera e investimit të paraqitur, sipas tabelës përfundimtare të investimit të paraqitur nga shoqëria në datën 27.11.2014 është pa tvsh.
6. Ministria e Mjedisit ka paraqitur një projekt-vendim për Këshillin e Ministrave, ndërsa ka kërkuar mendim nga Ministria e Financave dhe Agjencia e Prokurimit Publik (APP). Ministria e Financave ka kërkuar rishikimin e projektit, pasi ka konstatuar se procedura nuk është kryer konform ligjit. Agjencia e Prokurimit Publik ka kthyer përgjigje me shkresën përkatëse, duke përcaktuar se përcaktimi i Autoritetit kontraktues dhe procedura përzgjedhëse për objektin konkret duhet të bëhet në përputhje me parashikimet ligjore.
7. Pavarësisht këtyre përgjigjeve, Ministria e Mjedisit ka vijuar me procedurën për miratimin e kontratës koncesionare. Në datë 11.11.2014 është zhvilluar mbledhja e komisionit për dhënien me koncesion. Në këtë mbledhje komisioni ka vendosur t’i propozojë Ministrit të Mjedisit që së bashku me Ministrin për Zhvillimin Ekonomik, Tregtëtinë dhe Sipërmarrjen të hartojnë një projekt-vendim për mënyrën e përzgjedhjes “koncesion i përzier” sipas procedurës “me negocim pa shpallje” me subjektin “Albtek Energy” Shpk, si dhe formën BOT të koncensionit me afat 15 vjet.
8. Në datë 12.12.2014 i është dërguar Shoqërisë “Albtek Energy” Shpk ftesa për ofertë nënshkruar nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka. Shoqëria “Albtek Energy” Shpk ka dorëzuar në datën 16.12.2014 ofertën e saj. Në të njëjtën ditë me dorëzimin e ofertës është zhvilluar mbledhja e komisionit në dhënien e koncesionit, me pjesëmarrës Stela Gugallja, Klodian Zoto, Denisa Tollkuçi dhe Ministri i Mjedisit. Në këtë mbledhje është diskutuar kontrata nen për nen. Sipas kontratës rezulton se pothuajse gjithë vlera e investimit për ndërtimin e inceneratorit përballohet nga buxheti i shtetit, ndërkohë që koncesionari përfiton të drejtat për shitjen e energjisë dhe trajtimit të mbetjeve.
9. Ministria e Mjedisit me shkresën nr. 11902 Prot., datë 17.12.2014 i ka dërguar Këshillit të Ministrave për shqyrtim dhe miratim projekt-vendimin për dhënien e miratimit për sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit. Me VKM-në nr. 907, datë 17.12.2014 Këshilli i Ministrave ka vendosur: 1. Dhënien e miratimit për sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë, sipas aneksit B, të kësaj kontrate, që i bashkëlidhet këtij vendimi. 2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Në relacionin që shoqëron këtë vendim, i cili është miratuar ndër të tjera thuhet se: Nga analiza e kushteve, u konstatua se nuk mund të përdoret procedura standarte, por në referencë të pikës 3 të nenit 22 të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik, privat” dhe nenit 33 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, Autoriteti Kontraktor mund të zgjedhi të përdorë “Procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit”.
Nga ana tjetër, Komisioni i dhënies me koncesion, pas studimit të tregut dhe faktit që ndërtimi i këtij lloj impianti realizohet për herë të parë në vend, vendosi se subjekti i vetëm që mund ta marrë përsipër realizimin e objektit të koncesionit, referuar propozimit të pakërkuar të tij dhe fakti që ky propozim shoqërohej me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, gjë që llogjikisht të bën të mendosh se kushdo operator tjetër ekonomik të cilit i paraqitet “ftesa për ofertë”, përveç kohës për vlerësimin e tij personal të leverdisshmërisë së koncesionit, do t’i duhet edhe koha e nevojshme për përgatitjen e dokumentacionit. Sa më sipër, i bëri ftesë për ofertë propozuesit të pakërkuar dhe referuar ofertës së tij negocioi kontratën me të referuar legjislacionit në fuqi. Kjo procedurë koncesionare është e formës BOT, që do të thotë se në përfundim të afatit 7 vjeçar të kontratës së saj, shteti do t’i kthehet impjanti i inceneratorit, i cili do t’i kalojë Bashkisë Elbasan në administrim. Ky relacion është nënshkruar nga Ministri i Mjedisit në atë kohë Lefter Koka, ndërkohë vendimi i Këshillit të Ministrave është nënshkruar nga Zv/kryeministri Niko Peleshi. Sipas këtij relacioni anëtarët e Këshillit të Ministrave që kanë marrë pjesë në mbledhje kanë qenë në dijeni të procedurës së ndjekur nga Autoriteti Kontraktor “Procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit”.

10. Në kontratën e koncesionit të lidhur sa më sipër (pika 13.1) është parashikuar që shuma e investimit do të jetë në masën 21.600.000 Euro. Në formularin e ofertës së paraqitur nga Shoqëria “Albtek Energy” Shpk është parashikuar gjithashtu që shuma e investimit do të jetë në masën 21.600.000 Euro. Ndërsa, në aneksin (B) të kontratës, në tabelën aneks vlera totale e investimit është parashikuar në shumën 21.661.000 Euro, pra më shumë se oferta e paraqitur dhe shuma e përcaktur në kontratë.
11. Me vendimin nr. 01, datë 27.01.2015 të KKT-së është vendosur miratimi i lejes së
ndërtimit për “Impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit dhe prodhimit të
energjisë”, me subjekt kërkues Shoqëria koncesionare “Albtek Energy” Shpk. Në datën 20.02.2015 Shoqëria “Albtek Energy” Shpk, në cilësinë e porositësit, ka lidhur një kontratë private me shoqërinë “Integrated Technology Services” Shpk (ITS Shpk), në cilësinë e ekzekutuesit. Në këtë kontratë është parashikuar që për realizimin e projektit duhet të kryhen një sërë punimesh civile, ku të gjitha këto punime si dhe menaxhimi i landfillit janë marrë përsipër që të realizohen nga ITS Shpk. Duke iu referuar përmbajtjes së kontratës rezulton se: Sipas pikës (4) të kontratës shuma e punimeve të kontratës është në vlerën 3.000.000 Euro (pa TVSH), sipas aneksit 2 që përmban preventivin e miratuar të punimeve objekt të kësaj kontrate. Në aneksin nr. 2 të kontratës janë parashikuar punimet sipas objekteve, që janë në monedhën Euro. Në datën 05.03.2015 është mbajtur procesverbali për fillimin e punimeve për objektin e miratuar. Në datën 30.12.2016 është mbajtur procesverbali për përfundimin e punimeve në objektin për “Impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit dhe prodhimit të energjisë”.
12. Nga dokumentacioni i administruar në Ministrinë e Mjedisit, i konfirmuar edhe me dokumentacionin e sekuestruar në Shoqërinë “Albtek Energy” Shpk, referuar zërave të punimeve, të ditareve të punimeve, të librezës së masave, të dokumentacionit në tërësi të kryerjes së punimeve, të konfirmuar edhe me raportet e mbikëqyrjes së punimeve dhe aktet e kolaudimit për vend depozitimin e mbetjeve dhe për ndërtimin e objektit në tërësi, punime të cilat kanë përfunduar në datën 30.12.2016, nuk rezulton që Shoqëria “Albtek Energy” Shpk të ketë kontraktuar ndonjë subjekt tjetër tregtar për zbatimin e punimeve, përveç Shoqërisë ITS Shpk, veprimtaria e së cilës gjendet e pasqyruar në dokumentacionin e kryerjes së punimeve.
13. Shoqëria “Albtek Energy” Shpk ka deklaruar në librat e blerjes së saj faturat tatimore të shitjeve nga Shoqëria “ITS” Shpk që ka qenë zbatuesja e punimeve, që fillojnë nga data 06.07.2015 dhe vijojnë deri në datë 31.03.2021, të cilat në total janë në vlerën 1.557.242.636 lekë. Kjo vierë që është faturuar nga Shoqëria “ITS” Shpk, që i korrespondon vlera 12.390.835 Euro, është sa rreth 1/2 e vlerës totale të investimit sipas aneksit (B) të kontratës së koncesionit 21.661.000 Euro + 20% tvsh = 25.993.200 Euro. Punimet në impiantin e përpunimit të mbetjeve kanë përfunduar në datën 30.12.2016 dhe kolaudimi i objektit është kryer në muajin maj të vitit 2017. Edhe pse punimet kanë përfunduar në këtë periudhë, Shoqëria “ITS” Shpk vijon që të kryej faturime. Në kontratën private të kryer midis Shoqërisë “Albtek Energy” Shpk dhe “ITS” Shpk të datës 20.02.2015 është parashikuar kryerja e punimeve civile nga zbatuesi “ITS” Shpk, për të cilat vlera e punimeve është parashikuar të jetë vetëm në shumën 3.000.000 Euro. Nga hetimet nuk rezulton që palët të kenë lidhur ndonjë kontratë tjetër për kryerje të punimeve të tjera.
14. Referuar dokumentacionit të administruar gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se Shoqëria “Albtek Energy” Shpk ka përfituar pagesa nga Ministria e Mjedisit në llogarinë e saj Bankën Credins, për periudhën 31.08.2015 deri në 07.09.2017 në total shumën 1.425.438.380 lekë, si dhe ka përfituar pagesa nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për periudhën 07.12.2017 deri në 03.03.2021 në total në shumën 1.841.308.216 lekë. Pra, në total ka përfituar shumën 3.266.746.596 lekë, që i korrespondon shumës 21.661.000 Euro (vlera e kontratës së koncesionit) +20% tvsh= 25.993.200 Euro.
15. Mbi veprimet e mëtejshme financiare të shoqërive “Albtek Energy” Shpk dhe “Integrated Technology Services” Shpk (ITS), nga aktet e prokurorisë rezulton se, Shoqëria “Albtek Energy” Shpk ka deklaruar në librat e blerjeve fatura tatimore të shitjes nga disa shoqëri të tjera, një sërë faturash tatimore nga disa shoqëri të tjera tregtare, të cilat kanë në total vlerën 368.672.760 lekë, si më poshtë vijon:
15.1 Shoqëria “Pivot 04” Shpk, me Nipt L 62128504 T, me seli në Durrës. Shoqëria është krijuar në datën 28.09.2016 me ortak dhe administrator shtetasin Arbër Denizi. Adresa e selisë është lagje nr. 15, Rruga “Aleksandër Goga”, objekti nr. 785. Në datën 25.05.2018 shoqëria ka pezulluar aktivitetin e saj dhe e ka rifilluar në vitin 2020. Për aktivitetin e kësaj shoqërie rezultojnë rrethanat si më poshtë:
1) Subjekti ka bërë shitje tek Shoqëria “Albtek Energy” Shpk në pesë raste në total në
vlerën 108.562.500 lekë. Faturat tatimore kanë të gjitha përshkrimin “Punime sipas listës bashkëngjitur”. Nëpërmjet llogarisë bankare subjekti ka përfituar nga “Albtek Energy” Shpk shumën prej 68.700.000 lekë.
2) Subjekti ka bërë shitje tek Shoqëria “ITS” Shpk në 7 raste, në total në shumën 51.504.000 lekë, duke filluar nga fatura e datës 28.09.2016 (dita e rregjistrimit në QKB) deri në datën 31.01.2017. Në librin e shitjeve ka përshkruar vëndndodhjen e blerësit, që ka qenë në Elbasan. Nga të dhënat bankare rezulton se ky subjekt ka përfituar nga Shoqëria “ITS” Shpk në total shumën prej 145.516.469 lekë. Pra, në total për të dy rastet Shoqëria “Pivot 04” Shpk ka faturuar kryerjen e punimeve në vlerën totale 160.066.500 lekë dhe ka përfituar nëpërmjet llogarisë bankare në total shumën 214.216.469 lekë.
3) Shoqëria tregtare “Sucralba” Shpk, me Nipt J91328501 A, me seli në Durrës, me ortak dhe administrator shtetasin Ilir Koka, vëllai i shtetasit Lefter Koka, i cili më parë ka qenë edhe vetë përfaqësues ligjor i kësaj shoqërie tregtare. Referuar të dhënave të librit të blerjeve, Shoqëria “Pivot 04” Shpk ka bërë “blerje” nga Shoqëria “Sucralba” Shpk në periudhën 19.01.2017 deri në 23.04.2017 të mallrave në vlerën totale 171.562.050 lekë. Në vitin 2017 Shoqëria “Pivot 04” Shpk ka blerë në 45 raste sheqer, ndërsa në vitin 2018 ka blerë në 4 raste sheqer dhe në 36 raste ka blerë oriz. Shoqëria “Pivot 04” Shpk ka transferuar nëpërmjet llogarisë në llogarinë bankare të Shoqërisë “Sucralba” Shpk shumat monetare prej 111.865.950 lekë dhe 95.718 Euro.
4) Në datën 28.12.2018 Shoqëria “Sucralba” Shpk ka pezulluar aktivitetin e saj. Në momentin e sekuestrimit të faturave tatimore të shitjes, rezulton se këto i janë sekuestruar shtetasit Arbi Koka, i cili dispononte këtë dokumentacion. Selia e kësaj shoqërie është “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti”, Rrashbull, Durrës, e njëjtë me adresën e Shoqërisë “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti” Sh.a, ku shtetasi Lefter Koka zotëron 88,19 % të aksioneve.
5) Rezulton se nga Shoqëria “Pivot 04” Shpk është deklaruar si punonjës shtetasi Klement Oketa, me ID nr.309040081 në vitin 2017.
16. Janë kryer verifikime në lidhje me shoqëritë “Pivot 04” Shpk, “Sili” Shpk, “Bellar Intert” Shpk (Bio Blend Fruit), “J.PY” Shpk, “Deto” Shpk, “R.B.- Ital Beton” Shpk (R.B.-General Servis) dhe “SH.SH” Shpk që kanë kryer veprime me Shoqërinë “Albtek Energy” Shpk rezulton që ato kanë lidhje me familjen Koka. Është kryer akti i ekspertimit grafik mbi faturat tatimore të shitjes nga i cili ka rezultuar se Nga analiza e aktit të ekspertimit grafik provohet se shoqëritë “Pivot 04” Shpk, “Sili” Shpk, “Bellar Intert” Shpk (Bio Blend Fruit), “J.PY” Shpk, “Deto” Shpk, “R.B.- Ital Beton” Shpk (R.B.-General Servis) dhe “SH.SH” Shpk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe se faturat janë shkruar dhe nënshkruar nga i njëjti person. Pra, duket se këto shoqëri i menaxhon dhe i shërbejnë të njëjtit person. Po ashtu, edhe vetë Faturat Tatimore (emër, mbiemër dhe nënshkrim Stela Gugallja) që personi nën hetim Stela Gugallja i ka deklaruar në organet tatimore, duket se nuk janë nënshkruar nga i njëjti person. Pra, janë deklaruar fatura nga “Albteg Energy” Shpk me përmbajtje të falsifikuar.
17. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, ka marrë vendimin nr. 4557/7, datë 31.10.2016 “Për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit me rikuperim të energjisë nga trajtimi i mbetjeve urbane”, në qytetin e Elbasanit, nga Shoqëria “Albtek Energy” Shpk. Në këtë vendim ndër të tjera thuhet se: … Shoqëria “Albtek Energy” Shpk do të përfundojnë ndërtimin e impiantit brenda 18 muajve nga fillimi i punimeve të ndërtimit….6. Shoqëria “Albtek Energy” Shpk do t’i paguaj çdo vit ministrisë përgjegjëse për energjinë, një masë të barabartë me 2% të sasisë vjetore të energjisë së prodhuar ose vlerën në lekë të kësaj sasie së bashku me çdo përfitim tjetër, të përfituar në bazë të incetivave të tregut të energjisë. 7. Kohëzgjatja e këtij miratimi është 25 vjet, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi. 8. Miratimi hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për dhënien e këtij miratimi. Sipas këtij vendimi e drejta e shfrytëzimit të impiantit të prodhimit të energjisë është 25 vjet, ndërkohë që në nenin 4 të Ankesit A të Draft Kontratës së Koncesionit, të Formës BOT (Ndërtim-Operim-Transferim) “Për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit”, midis Ministrisë së Mjedisit, përfaqësuar nga ish Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe Shoqërisë “Albtek Energy” Shpk përfaqësuar nga shtetasja Stela Gugallja, datë 16.12.2014, nën titullin “Periudha e Koncesionit” parashikohet se: 4.1. Koncesioni jepet për një periudhë prej 7 (shtatë) vjetësh nga ata efektive dhe përfundon ditën e përvjetorit të shtatë të Datës Efektive (“Periudhë Efektive”). Ndërkohë në nenin 5 të kësaj Kontrate, nën titullin “Të drejtat e Koncesionit”, parashikohet se: 5.2. Dhënia e të drejtave të koncesionit. 5.2.1. Duke filluar nga Data Efektive, Autoriteti Kontraktor i jep koncesionarit, i cili pranon, të drejtat ekskluzive, për të gjithë afatin e koncesionit, për: …(d) shesë dhe të furnizojë me Prodhim Neto të Energjisë Elektrike, rrjetin elektrik në Republikën e Shqipërisë, por edhe operatorë të tjerë jashtë saj (nëse dëshiron), të mbledhë dhe përfitojë të ardhura nga ky aktivitet me kusht që: ….. Me mbarimin e afatit dhe/ose zgjatjeve eventuale, si dhe të shlyerjes së totalit të investimit të përcaktuar në Aneksin x Koncesionari transferon tek Autoriteti Kontraktues të gjitha aksionet/kuotat në kompaninë zbatuese të projektit.
18. Kjo kontratë është miratuar me vendimin nr. 907, datë 17.12.2014 “Për dhënien e miratimit për sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë” të Këshillit të Ministrave. Ky vendim nuk është vetëm për ndërtimin e impiantit të mbetjeve, por edhe të prodhimit të energjisë. Pra, ndërtimi i impiantit të prodhimit të energjisë ka qenë objekt i Kontratës së Koncesionit të datës 16.12.2014, i cili është financuar nga shteti shqiptar dhe së bashku me impiantin e trajtimit të mbetjeve, inceneratori duhet të dorëzohet tek shteti (autoriteti kontraktor) pas 7 viteve nga vënia në funksionim e këtij të fundit. Prandaj, sipas prokurorisë mbetet e paqartë pse Shoqëria “Albtek Energy” Shpk duhet të ketë të drejtën e shfrytëzimit të impiantit të prodhimit të energjisë për 25 vjet në impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit e të përfitoj mbi 98% të të ardhurave nga shitja e energjisë, kur në fakt ndërtimi i impiantit të prodhimit të energjisë ka qenë objekt i Kontratës së Koncesionit të datës 16.12.2014, i cili është financuar nga shteti shqiptar dhe së bashku me impiantin e trajtimit të mbetjeve, inceneratori duhet të dorëzohet tek shteti (autoriteti kontraktor) pas 7 viteve nga vënia në funksion e këtij të fundit.
19. Me vendimin Nr. 792, datë 09.11.2016 “Për dhënien e miratimit për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit me rikuperim të energjisë nga trajtimi mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit, Shoqërisë “Albtek Energy” Shpk, Këshilli Ministrave vendosi: I. Dhënien e miratimit për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit me rikuperim të energjisë nga trajtimi i mbetjeve urbane, në qytetin e Elbasanit, Shoqërisë “Albtek Energy” Shpk, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi. 2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Ky vendim eshtë nënshkruar nga Zv/kryeministri Niko Peleshi dhe ministri propozues Damian Gjiknuri.

20. Sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vlerësuar rezultatet e veprimeve hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal, si dhe vlerën provuese të burimeve të provave, provohet fakti dhe krijohet bindja se në rastin konkret janë konsumuar elementët e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 248, 245, 260 dhe neni 287, germat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.
21. Sipas Prokurorisë, nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr. 125/2013, në kundërshtim me nenet 5, 6, 7, 8, 13, 14/1, 26 të V.K.M nr. 575, datë 10.07.2013, Kreun II, pika 2/c, të V.K.M nr. 01, datë 10.01.2007.
22. Sipas prokurorisë, nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 të ligjit nr. 125/2013, në kundërshtim me dokumentet standarte të tenderit të zbatueshme për koncesionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Në rastin konkret, në procedurën e ndjekur për dhënien e koncesionit dhe lidhjen e kontratës me Shoqërinë “Albtek Energy” Shpk, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, të rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) procedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
23. Sipas prokurorisë, veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e Komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me shtetasin Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit. Veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” Shpk përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë. Ministri i mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qenë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qenë personi përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të procedurës së koncesionit.
24. Gjithashtu, sipas prokurorisë, nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se shoqëritë tregtare “Albtek Energy” Shpk dhe “ITS” Shpk janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për shoqëritë tregtare të mësipërme, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shoqëria “Albtek Energy” Shpk ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë. Shoqëria “ITS” Shpk ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë. Pagesat e këtyre faturave janë kryer sipas pjesës arsyetuese të përshkruar më sipër.
25. Sipas prokurorisë, gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që i’u janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” Shpk dhe “ITS” Shpk dhe që janë paguar si më sipër nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të Shoqërisë “Albtek Energy” Shpk në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.
26. Shtetasja Stela Gugallja, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të Shoqërisë “Albtek Energy” Shpk dhe shtetasi Klodian Zoto, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të Shoqërisë “Integrated Technology Servis” Shpk, kanë përdorur skemën e mësipërm fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vertetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
27. Gjithashtu, sipas prokurorisë, shtetasi Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” Shpk dhe “Integrated Technology Servis” Shpk, që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të skemës fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur tetë shoqëritë tregtare të mësipërme të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës se paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
28. Bazuar në argumentet e mësipërme, sipas prokurorisë krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasit Stela Gugallja dhe Klodian Zoto kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga neni 287, germat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.
29. Po kështu, bazuar në argumentet e mësipërme dhe duke vlerësuar në tërësi provat e administruara, sipas prokurorisë krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi Lefter Koka ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor, të parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 260 te Kodit Penal, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga neni 287, germat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.
30. Gjykata e Posaçme për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr. 100, datë 12.12.2021, ndër të tjera vendosi:
Caktimin ndaj personit nën hetim Lefter Haki Koka, të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi detyrës”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendor”, të parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 260 të Kodit Penal, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287, gërmat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi (2) i Kodit Penal.
31. Gjykata e shkallës së parë ndër të tjera arsyeton se:….ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se lidhur me procedurën për dhënien e koncesionit me objekt: “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, personi nën hetim Lefter Koka, ish ministër i Mjedisit, në bashkëpunim me Komisionin e dhënies së Koncesionit ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal për këto arsye: Së pari, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr. 125/2013 “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”. – Së dyti, nuk është zbatuar procedura e rregullt lidhur me procedurën e përdorur për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me ligjin dhe sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe APP. – Së treti, gjykata çmon se argumenti i përdorur nga Ministri i Mjedisit se ka zgjedhur procedurën me negocim pa shpallje për shkak të emergjencës mjedisore që shpallur në Qarkun e Elbasanit nuk është ligjor dhe në përputhje me provat e administruara. Kjo për faktin se kjo procedurë nga momenti i nënshkrimit të kontratës 16 Dhjetor 2014 e deri në momentin e përfundimit të projektit 30 Dhjetor 2016 ka zgjatur pak më shumë se dy vjet, e në këto kushte, afati prej disa muaj i garës koncesionare jo vetëm që nuk do të ishte pengesë, por përkundrazi, në situatën e një konkurence mund t’i ofronte alternativa të ndryshme dhe kosto më të ulëta Ministrisë së Mjedisit. – Së katërti, gjykata çmon se nga provat e administruara për Shoqërinë “Albtek Energy” Shpk., rezulton se kapitali themeltar i kësaj shoqërie ishte vetëm 100.000 lekë dhe numri i punonjësve të kësaj shoqërie në momentin e paraqitjes së ofertës në datë 16.12.2014 ishte dy, eksperienca e mëparshme apo punët e ngjashme të saj ishin zero punë dhe kishte zero kualifikime apo licenca profesionale. Ndodhur në këto kushte, gjykata nuk krijon bindjen se një kompani me këto të dhëna në momentin e shqyrtimit të kërkesës ishte në gjendje të investojë 21.661.000 Euro, në kushtet kur Autoriteti Kontraktor nuk kishte dokumentacion të mjaftueshëm, për të konkluduar sipas nenit 23 pika 1, gërma “a” të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar. – Së pesti, gjykata çmon se, veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me shtetasin Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit. Veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” Shpk përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë. – Së gjashti, ministri i Mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qënë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qënë personi përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të procedurës së koncesionit. – Së shtati, nga hetimet rezulton që shtetasi Lefter Koka, në cilësinë e ish ministrit të Mjedisit, ka marrë pjesë personalisht në diskutimet që janë zhvilluar. Prania e përfaqësuesve të shoqërisë që para se të vendoset mbi llojin e procedurës e para se të përfundonin veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit dhe para shpalljes së procedurës së dhënies së koncesionit, provon faktin se fituesi i procedurës së koncesionit ka qenë plotësisht i paracaktuar. – Së teti, shtetasi Lefter Koka në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit edhe pse ka pasur dijeni për shkresën Nr. 15649/1 Prot., datë 25.11.2014 të Ministrisë se Financave dhe shkresën Nr. 12303/1 Prot., datě 18.11.2014 të Agjencisë së Prokurimit Publik, ku kundërshtohet zbatimi i procedurës “me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, pasi vjen në kundërshtim me nenin 22 të Ligjit nr.125/2013, me dashje të plotë ka vijuar me veprimet e mëtejshme, në kundërshtim me ligjin, për zbatimin e procedurës “me negocim pa shpallje paraprake të njoftimi të kontratës”. – Së nënti, shtetasi Lefter Koka në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit ka vendosur zbatimin e procedurës “me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” edhe më përpara se kjo të vendosej nga komisioni përkatës për dhënien e koncesionit. Në procesverbalin mbledhjes së komisionit të datës 12.12.2014 përshkruhet se: ….u mblodh Komisioni në mbledhjen e tij të shtatë, ku pasi mori konfirmimin e Ministrit të Mjedisit lidhur me llojin e procedurës së koncesionit që do të përdoret “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit” dhe “ftesën për ofertë” drejtuar subjektit, i cili ka bërë propozimin e pa kërkuar “Albtek Energy” Shpk, për marrjen me koncesion/partneritet publik privat, me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, për një afat 7 vjeçar, hartoi “ftesën për ofertë”, së bashku me termat e referencës së projektit, bashkëlidhur. Në përfundim, me qëllim vazhdimin e procedurës, komisioni vendosi: T’i paraqesë Shoqërisë “Albtek Energy” sh.pk, nëpërmjet Ministrit të Mjedisit “ftesën për ofertë” për procedurën e koncesionit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit” për marrjen me koncesion/partneritet publik privat, me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit” për një afat 7 vjeçar, duke i lënë atij afat të përcaktuar për paraqitjen e ofertës. – Së dhjeti, personi nën hetim Lefter Koka në cilësinë e ministrit propozues, bazuar në ligjin nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave”, nuk duhet të kishte paraqitur për miratim në Këshillin e Ministrave projekt-vendimin “Për dhënien e miratimit për sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë” dhe në kushtet kur ishte paraqitur duhet ta kishte tërhequr atë, me qëllim që mos të miratohej. Kjo për faktin, pasi sikurse rezulton nga provat e administruara në zhvillimin e procedurës së dhënies se koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë” është vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Pra, personi nën hetim Lefter Koka nuk duhet të kishte votuar për miratimin e projektvendimit për sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë. Duke u rikthyer në rastin konkret, gjykata çmon se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se lidhur me procedurën për dhënien e koncensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, personi nën hetim Lefter Koka ish ministër i Mjedisit, ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Kjo për këto arsye: – Së pari, nga aktet e prokurorisë rezulton se personi nën hetim Lefter Koka ka mbajtur detyrën e ministrit të Mjedisit nga viti 2013 deri në muajin shtator 2017. Po nga provat e administruara rezulton se në datë 16.12.2014 është nënshkruar Draft Kontrata e Koncesionit të Formës BOT (Ndërtim-Operim-Transferim) “Për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit”, midis Ministrisë së Mjedisit, përfaqësuar nga ish Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe Shoqërisë “Albtek Energy” Shpk. – Së dyti, nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal kanë rezultuar disa rrethana të tjera, të cilat, duke u vlerësuar në lidhje me sa u parashtrua më sipër, krijojnë bindjen se transaksionet e shoqërive “Albtek Energy” Shpk dhe “ITS” Shpk me shoqëritë tregtare “Pivot 04” Shpk, “Sili” Shpk, “Bellar Intert” Shpk (Bio Blend Fruit), “J.P.Y” Shpk, “Deto” Shpk, “R.B.- Ital Beton” Shpk (R.B. General Servis), “SH.SH” Shpk, janë transaksione fiktive dhe se këto shoqëri tregtare janë krijuar posaçërisht për t’u përdorur për të mbuluar natyrën e vërtetë të kryerjes së këtyre transaksioneve. – Së treti, nga sekuestrimi i faturave me sy të lirë vihet re që janë nënshktruar nga i njëjti person, ndërsa ky rezultat konfirmohet nga akti i ekspertimit grafik. – Së katërti, nga veprimet hetimore të kryera, krijohet dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova se, shoqëritë tregtare “Albtek Energy” Shpk dhe “ITS” Shpk kanë pranuar fatura tatimore dhe janë paguar detyrime financiare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Shoqëria “Albtek Energy” Shpk ka deklaruar në librin e vlerën blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerë 368.672.760 lekë. Shoqëria “ITS” Shpk ka deklaruar në librin e blerjes faturat taturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë. Pagesat e këtyre faturave janë kryer sipas pjesës arsyetuese të përshkruar më sipër. Gjykata çmon se ekziston dyshimi i arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” Shpk dhe “ITS” Shpk dhe që janë paguar si më sipër nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë personit nën hetim Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të Shoqërisë “Albtek Energy” Shpk në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncesionit, etj…..
32. Masa e sigurimit ndaj personit nën hetim Lefter Koka është ekzektuar në datën 14.12.2021. Në datën 15.12.2021 nga Prokuroria e Posaçme është paarqitur këkresë për marrjen në pyetje të personit nën hetim dhe verifikimin e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe vijueshmërinë e zbatimit të kësaj mase.
33. Gjykata e Posaçme për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr. 103 Akti, datë 16.12.2021, ndër të tjera ka vendosur:
Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Lefter Haki Koka me vendimin nr. 100 datë 12.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
34. Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 01, datë 02.01.2022, ndër të tjera ka vendosur:
Miratimin e vendimit nr. 103 akti, datë 16.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të hetuarin Lefter Koka.
35. Gjykata e apelit ndër të tjera ka arsyetuar se: …….siç edhe gjykatësi i vetëm për kërkesat gjatë hetimeve paraprake i shkallës së parë, vlerëson se ekzistojnë nevoja të ruajtjes apo sigurimit për të hetuarin Lefter Koka, sepse ai arsyeshëm dyshohen për kryerjen e krimeve, në përmbushje të të cileve kanë konkurruar disa persona që rrethanat e kryerjes së veprave penale për të cilat hetohet ai, bëjnë të besohet se janë menjëherë të gatshëm për të kryer të njëjtat veprime për tě cilat dyshohet seriozisht se i kanë kryer. Çka në mënyrë të arsyeshme përbën shkak të rëndësishëm që në liri i hetuari Lefter Koka ka rrezik të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me ata për të cilët procedohet (§3, neni 228 KPP). Për ç’ka më sipër, pra sepse verifikohen si kushtet ashtu dhe nevoja e sigurimit për të hetuarin që ka ushtruar Apel, ky kolegj monokratik – siç edhe ai i shkallës së parë – vlerëson se ndaj të hetuarit Lefter Koka, duhet të vendoset masë e sigurimit personal. Ndërsa evidentimi i kushteve të përgjithshme të aplikimit të masave përfshihet në funksionin kontrollues të gjykatës, caktimi konkretisht i masës së sigurimit personal, sipas kritereve të ‘përshtatjes’ dhe ‘raportit të drejtë’, përfshihet në funksionin e gjyqësisë/juridiksionit me liri veprimi vlerësues të kufizuar, në përmbushje të pozicionit të tij të paanësisë dhe garantuesit të lirisë së të hetuarit/pandehurit. Kështu, nëse pas kontrollit gjyqtari konfirmon ekzistencën e ‘dyshimit të arsyeshëm’ dhe nevojën e ruajtjes për shkak të rrezikut të lirisë së të hetuart/pandehurit, ai është i detyruar të caktojë masën e sigurimit, i mbështetur në dy kritere përzgjedhëse, drejtues të vlerësimit, me maturi, në respektim të lirisë së personit. Madje nëse ajo caktohet për të ruajtur marrjen e vërtetësisë së provës, njëkohësisht përcaktohet detyrimisht edhe kohëzgjatja e saj. Dhe duke i’u kthyer konkretisht kërkesës së mbrojtësve, vlerësoj se pikërisht sepse masa e sigurimit të arrestit në burg e caktuar ndaj të hetuarit Lefter Koka është caktuar për shkak se ai ‘ka rrezik që të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet’, gjen pamundësi të parashikimit ligjor caktimi i masës së sigurimit ‘Garancia pasurore’. Kështu sepse vlerësohet se është i drejtë vendimi nr.100, datë 12.12.2021 që ka caktuar masën e arrestit një burg për të hetuarin z.Lefter Koka, po ashtu vlerësohet nga ky kolegj vendimi i gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e posaçme të shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, për vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit të arrestit në burg për të hetuarin Lefter Koka……..
36. Kundër vendimit nr. 01, datë 02.01.2022 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka paraqitur rekurs personi nën hetim Lefter Koka, i cili kërkon: Që personi nën hetim Lefter Koka të vijojë të hetohet me një masë më të butë sigurimi “arrest në shtëpi” apo “garancia pasurore” duke shmangur në këtë mënyrë çdo mundësi të ankuesit për t’u larguar, cënuar provat apo kryer sërish veprën penale.
37. Në rekurs, kërkuesi ka paraqitur të njëjtat pretendime si në ankim, ndër të tjera: Masa e sigurimit personal “arrest në burg” nuk i përgjigjet rrezikshmërisë shoqërore të personit nën hetim Lefter Koka dhe është e papërshtatshme. Nuk ekziston asnjë shkak real që të justifikojë një dyshim të bazuar se i akuzuari do të kryejë një vepër penale më të rëndë dhe aq më pak një vepër penale të së njëjtës natyrë. Kjo ne kushtet kur personin nën hetim, prej më shumë se 4 vitesh, nuk është më në detyrën e Ministrit tanimë nuk është as aktiv në jetën politike. Edhe në përmbushjen e këtij kushti organi i akuzës, nuk arrin të argumentojë në lidhje me provat reale të sjella prej tij, të cilat do të hidhnin dritë mbi rrezikun që i akuzuari do të mund të kryejë një vepër tjetër penale. Për më tepër, kërkojmë nga gjykata të vlerësojë drejt personalitetin e z. Lefter Koka, integritetin e tij të lartë moral dhe profesional, si dhe faktin që ai nuk ka qenë asnjëherë i proceduar apo i dënuar më parë, duke vendosur gjykimin e tij në gjendje të lirë ose aplikimin e një mase shtrënguese të një karakteri më të lehtë. Në vështrim te parashikimeve të neneve 229 e 230 të Kodit të Procedurës Penale, masat e sigurimit vendosen duke u mbajtur në çdo rast parasysh përshtatshmëria e tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret. Është pika 1, e nenit 230 të Kodit të Procedurë Penale, e cila shprehimisht përcakton se: Arresti ne burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit. Organi i akuzës nuk ka arsyetuar në asnjë pjesë të kërkesës për vendosjen e masës se sigurimit, në lidhje me papërshtatshmërinë e masave të tjera të sigurimit, ndërkohë që është detyrim ligjor i tij që të argumentojë se pse masat e tjera të sigurisë nuk janë të përshtatshme për t’u aplikuar. Këtë veprim nuk e kanë kryer as dy gjykatat, të cilat kishin detyrimin për arsyetim të vendimit gjyqësor. Arsyetimi i bërë nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për mos pranimin e kërkesës së mbrojtjes në lidhje me garancinë pasurore të ofruar sipas nenit 236 të Kodit të Procedurës Penale, është sakaq i pabazuar në ligj. Pretendimi se z. Lefter Koka “ka rrezik të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet” dhe rrjedhimisht nuk mund të pranohet garancia pasurore, është i pavend dhe përbën vetëm një justifikim të gjykatës në drejtim të mos pranimit të kërkesës, teksa siç theksuam, kryerja e veprave penale nga personi nën hetim, të njëjta apo më të rënda sesa ato për cilat akuzohet, është e pamundur, për shkak të natyres specifike dhe kohës se kur pretendohet të jenë kryer këto vepra penale. Konkluzionet e mjekëve shprehin qartë diagnozën dhe stadin e sëmundjes nga e cila vuan z. Koka. Ai vuan nga sëmundja e artereve koronare (sëmundje e enëve të gjakut që furnizojnë zemrën me gjak), nga arteroskleroza (dëmtim ose plakje e paretit të brendshëm të enëve të gjakut), i cili duket se në rastin në fjalë është proces difuz (me shpërndarje dhe që prek të gjithë sistemin e qarkullimit të gjakut). Kjo situatë duket që është agravuar, nga trauma emocionale, siç ka qenë humbja e jetës së një personi të afërt (vëllai) dhe vendosja në kushtet e paraburgimit. Sëmundja e arterieve koronare, prezente në rastin në fjalë, shkakton kequshqyerje të muskujve të zemrës me gjak. Është sëmundje me karakter kronik dhe e cila agravohet në terren të sëmundjeve metabolike (çrregullimi i yndyrnave), në stres, në situata ankthi, tensioni psikik të shtuar. Sëmundje e cila, me probabilitet të lartë, mund të shkaktojë kequshqyerje të thellë me gjak
të muskujve të zemrës, duke çuar në atë që njihet rëndom si infarkt i miokardit, i cili
mund të shkaktoje fatalitet, deri në vdekjen e pacientit. Sa më lart, referuar gjendjes së përkeqësuar shëndetësore dhe në vijim të qëndrimit nën masën e sigurimit personal të “Arrestit në burg”, i kërkojmë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të vlerësojë objektivisht gjendjen e rënduar shëndetësore të personit nën hetim, e cila provohet të jetë e papajtueshme me vijimin e qëndrimit në izolim, ç’ka do të sillte pasoja të rënda për shëndetin e z. Koka, duke u cënuar parimi dhe standardi i humanizmit në trajtimin e një të ndaluari nën masë sigurimi personal shtrënguese. Në rekurs është paraqitur edhe një herë procedura e lidhjes së kontratës së koncesionit, ilustruar me legjislacionin në fuqi, duke pretenduar mbrojtja se procedura e lidhur ka qenë në përputhje me ligjin. Në analizë të veprimeve të kryera nga Autoriteti Kontraktor, Komisioni i Dhënies së Koncesionit dhe zyrtarë të tjerë të perfshirë në këtë procedurë, rezulton qartë se nuk ka asnjë veprim që të devijojë nga zbatimi i ligjit, sepse: Është proceduar me negocim pa shpallje paraprake në kuadër të miratimit të një kontrate Koncesioni/Partneritet-Publik-Privat, duke u pranuar dhe vlerësuar një propozim i pakërkuar, në zbatim të neneve, 3/15, 4 shkronja “c” dhe 25 të ligjit nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe PPP”……si dhe VKM Nr. 575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat” Kreu III Vlerësim i Pranueshmërisë, Përmbajtjes dhe Trajtimet e Propozimeve të Pakërkuara, nenet 10-16. Procedura është diktuar nga nevojat ekstreme të krijuara në territorin e Bashkisë Elbasan, e konfirmuar kjo me vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 70, datë 18.09.2014 “Për Shpalljen e Emergjencës Mjedisore në Territorin e Bashkisë Elbasan dhe Marrjen e Masave për Permirësimin e Situatës”. Emergjenca mjedisore krijuar në territorin e Bashkisë Elbasan nuk ka ardhur për faj të entit publik Bashkia Elbasan dhe aq më pak për shkak të Autoritetit Kontraktor, në rastin konkret Ministria e Mjedisit, por për shkaqe të pavarura prej saj. Kjo situatë emergjence mjedisore është konstatuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë, Komiteti i Menaxhimit të Mbetjeve, me propozim të Zv/Ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në datën 05.02.2014 ka vendosur: Shpalljen e fillimit të gjendjes së emergjencës mjedisore në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe marrjen e masave të nevojshme për rehabilitimin e cilësisë së mjedisit. Situata mjedisore dëmtonte interesat e komunitetit te Bashkisë Elbasan dhe më gjerë. Komisioni i dhënies së Koncesionit, pasi i ka propozuar Autoriteti Kontraktor hartimin e një VKM të veçantë për Dhënien e Koncesionit me procedurë “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit” dhe pasi ka administruar mendimet e institucioneve relevante, referuar mendimit nga APP dhënë me Shkresën Nr. 12303, prot, datë 18.11.2014 me të cilën sygjeron që procedura e përzgjedhjes së llojit të tenderimit duhet të bëhen në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat dhe ligjin për Prokurimin Publik”, i ka propozuar titullarit të Autoritetit Kontraktor që të procedohet me procedurën “negocim pa shpallje”. Në rastin konkret, duke analizuar me vëmendje veprimtarinë administrative të zhvilluar nga personat përgjegjës funksionar publik, rezulton se veprimtaria administrative është zhvilluar në pajtim me legjislacionin e fuqi. Nuk evidentohen veprime që do të mund të krijonin perceptimin se persona konkret në zinxhirin e procedurës koncesionare, të kenë tentuar të shantazhojne përfaqësuesit e operatorit ekonomik për të përshtatur sjelljen në raport me kërkesat e tyre. Pretendimi i prokurorisë, është i paprovuar dhe shumë larg veprimeve të ndërmarra nga personi nën hetim Lefter Koka, i cili në cilësinë e Ministrit të Mjedisit, titullar i Autoritetit Kontraktor, nuk ka kryer asnjë veprim, duke mos kërkuar, marrë apo pranuar ndonjë përfitim të parregullt nga cilido person, aq më pak nga operatori i pretenduar. Në lidhje me veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, sqarojmë faktin se kjo vepër nuk lidhet me personin nën hetim Lefter Koka, i cili nuk ka asnjë veprim aktiv në drejtim të tjetërsimit, këmbimit apo transferimit të ndonjë pasurie, produkt i veprës penale. Sa më lart, theksojmë se në rastin në shqyrtim ekzistojnë të gjitha rrethanat për t’u caktuar një masë sigurimi më e lehtë për personin nën hetim Lefter Koka, i cili jo vetëm që nuk është i vetmi person që ka ndërmarrë dhe drejtuar procedurën, pasi kjo procedurë është bazuar në vendimmarrjen e Komisionit për Dhënien e Koncesionit i përbërë nga 7 (shtatë) anëtarë të caktuar nga institucionet përkatëse dhe jo nga Ministri i Mjedisit, por nga aktet dhe faktet e analizuara më lart, provohet se dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në shpërdorim të detyrës, nuk është i pranishëm as në nivel minimal dhe si tillë nuk mund të justifikojë caktimin dhe vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”.

II. Vlerësimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë:

38. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) vlerëson se, rekursi nga kërkuesi është paraqitur brenda afatit ligjor të parashikuar në nenin 435 të Kodit të Procedurës Penale. Rekursi është nënshkruar prej kërkuesit dhe mbrojtësit të tij. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është njoftuar për rekursin dhe nuk ka paraqitur kundër-rekurs.

39. Shkaqet e rekursit në Gjykatën e Lartë parashikohen nga neni 432 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo dispozitë në pikën 1 të tij, parashikon se rekursi kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të bëhet kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji material ose procedural i cili është me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore; kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave; ose kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
40. Kolegji vlerëson se, asnjë nga pretendimet e ngritura në rekurs nuk i referohet shkaqeve që parashikohen nga 432 i Kodit të Procedurës Penale. Pjesa e pretendimeve në rekurs që ngre çështje të vlerësimit të provave del jashtë juridiksionit ekskluzivisht ligjor të Gjykatës së Lartë. Në të gjitha rastet kur rekursi nuk i përmbahet shkaqeve të përcaktuara shprehimisht nga neni 432/1 i Kodit të Procedurës penale, Kolegji Penal vendos mospranimin e rekursit. Qëndrimi që mban Kolegji për rastin në shqyrtim, bazohet edhe në jurisprudencën e konsoliduar të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, e cila referon në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave shkaqet e parashtruara në rekurs që rezultojnë haptazi të pabazuara vlerësohen si të papranueshme për pranimin e rekursit.
41. Kolegji vlerëson se kërkuesi ka paraqitur si shkaqe rekursi të njëjtat pretendime si në ankimin e paraqitur përpara gjykatës së apelit, pretendime për të cilat ai ka marrë përgjigje të arsyetuar nga gjykata e apelit. Është momenti për tu vënë në pah se, Gjykata e Lartë është vetëm një gjykatë ligji, e cila shqyrton pretendimet e palëve për zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural, ose kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Pra, kjo gjykatë nuk është një gjykatë fakti dhe pretendimet për vlerësim të gabuar të provave janë një çështje që del jashtë juridiksionit ekskluzivisht ligjor të Gjykatës së Lartë.
42. Me ndryshimet e K.Pr.Penale të miratuara me ligjin nr. 41/2021 rezulton se rekursi duhet të përmbajë shkaqet për të cilat kërkohet prishja apo ndryshimi i vendimit, si dhe argumentet që mbështesin pretendimin se ekzistojnë shkaqe për rekurs sipas parashikimeve të nenit 432 të këtij Kodi. Paraqitja e rekursit për shkaqe të ndryshme nga ato të parashikuara në nenin 432 të Kodit të procedurës Penale, apo pa u argumentuar ato, përbën shkak që Kolegji të vendosë mospranim të rekursit sipas nenit 433 të K.Pr.Penale, i cili parashikon se: “Rekursi nuk pranohet në qoftë se bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që lejon ligji, si dhe kur Gjykata e Lartë çmon se çështja nuk duhet të shqyrtohet prej saj, sipas përcaktimeve të paragrafit 1, të nenit 432, të këtij Kodi.”
43. Kolegji rikonfirmon edhe një herë qëndrimin e tij se, është i nevojshëm disiplinimi i palëve dhe avokatëve që përfaqësojnë interesat e tyre në Gjykatën e Lartë, që rekursi nuk mund të jetë një përsëritje e shkaqeve të ankimit, për të cilat kërkuesi ka marrë një herë përgjigje nga gjykata e apelit. Është thelbësore që ky akt procedurial me të cilin vihet në lëvizje Gjykata e Lartë duhet të përmbajë patjetër argumentim nëse nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji material ose procedural, i cili është me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore; kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave; ose kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Në rastin konkret nuk rezulton që kërkuesi të ketë argumentuar nëse nga gjykatat më të ulëta ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural, apo nëse vendimet e tyre bien në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal apo Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
44. Kolegji vlerëson se, gjykatat e faktit kanë arsyetuar drejtë, së pari në lidhje me dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova që i dyshuari mund të ketë kryer veprat penale, të cilat i atribuohen nga prokuroria. Gjykatat kanë arsyetuar gjithashtu edhe në lidhje me kushtet dhe kriteret për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Lefter Koka dhe përse kjo masë sigurimi personal përbën masën më të përshtatshme dhe në përputhje me nevojat e sigurimit në rastin objekt shqyrtimi.
45. Në lidhje me pretendimet për provueshmërinë e akuzës ndaj kërkuesit, Kolegji vlerëson se këto çështje nuk i përkasin kësaj faze procedurale. Në fazën e hetimeve paraprake në të cilën ndodhet çështja, gjykata e hetimeve paraprake ka arsyetuar në lidhje me masën e sigurimit të caktuar ndaj personit nën hetim. Pretendimet e tjera që i përkasin themelit të çështjes do të gjykohen në një fazë të mëvonshme, gjatë shqyrtimit të çështjes në themel (nëse çështja penale do të avancojë deri në atë fazë).
46. Në lidhje me pretendimet për kushtet shëndetësore të rënduara të kërkuesit, që nuk përligjin vijueshmërinë e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, Kolegji vlerëson se këto pretendime janë shqyrtuar një herë dhe kanë marrë përgjigje të arsyetuar nga gjykata e apelit. Gjatë shqyrtimit të rekursit në dhomën e këshillimit nuk konstatohet se ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural në vendimmarrjen e kësaj gjykate, vendimi i së cilës është rekursuar në Gjykatën e Lartë.
47. Sa më sipër, Kolegji arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka kundër vendimit nr. 01, datë 02.01.2022 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk përmban asnjërin prej shkaqeve të parashikuara në nenin 433 të Kodit të Procedurës Penale, prandaj si i tillë ai nuk duhet të pranohet.

PËR KËTO ARSYE,

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenet 433 dhe 441/1/a të Kodit të Procedurës Penale;
V E N D O S I:

Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka kundër vendimit nr. 01, datë 02.01.2022 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tiranë, më 31.03.2022

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb