TIRANË

“News24” dhe “BalkanWeb” zbulojnë detaje të reja mbi strehimin e shtetasve afganë në Shqipëri.

Pak më herët, “Zëri i Amerikës” njoftoi se brenda javës do të strehohen në vendin tonë grupi i parë prej 250 shtetasve afganë, ndërsa në vijim pritet të vijnë edhe të tjerë.

Ndërkohë, “News24” dhe “BalkanWeb” mësojnë se afganët do të strehohen në struktura konviktore dhe hotelerie në Tiranë dhe Durrës. Gjithashtu, siç mëson “News24” dhe “BalkanWeb”, shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit do të mbulohen nga NATO.

Ende nuk ka detaje lidhur me ditën e mbërritjes së shtetasve afganë në vendin tonë, por “VOA” theksoi se do të vijnë “përkthyes dhe bashkëpunëtorë të SHBA”, të cilëve iu rrezikohet jeta pas marrjes së Afganistanit nga talebanët.

Lajmi për ardhjen e afganëve në Shqipëria u zbulua pak ditë më parë nga gjiganti mediatik “Reuters”, ndërsa u konfirmua ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama, i cili theksonte se “Nuk i themi ‘jo’ SHBA-së”.

“Eshtë e vërtetë po, se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara. Dhe padiskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria! Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me Zakon, e as me Moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje. Ne nuk jemi të pasur, por s’jemi as pa kujtesë, as pa zakone, as pa moral dhe është në nderin tonë t’u gjendemi të tjerëve, siç të tjerë na janë gjendur ne, po sidomos të mos u kthejmë kurrizin hallexhinjve të huaj, siç shpesh na e kthyen ne dikur, kur ishim të huaj hallexhinj. Kjo është arsyeja morale pse ende pa ardhur kërkesa e qeverisë amerikane, ne kemi mikpritur dy kërkesa prej dy institucionesh shoqërore shumë të respektueshme përtej oqeanit, për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit”, bëri me dije Rama një ditë më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb