Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për hapjen e shkollave në shtator, pavarësisht shifrave të larta të infektimeve dhe viktimave nga koronavirusi.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila tha se nxënësit do të ndahen në grupe të vogla nëpër klasa, duke e zhvilluar mësimin me turne.

Ministrja Shahini bëri me dije se nga sondazhi i zhvilluar mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve rezultoi se 87% e tyre dëshironin kthimin në shkolla dhe vetëm 13% ishin për vijimin e mësimit online.

Sa i takon rrezikut nga koronavirusi, Shahini tha se do të merren masa për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve.

“Ne duam t’i hapim shkollat për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave që kanë shkollat. Në shkollat që kanë pak nxënës mësimi do vijojë normalisht, në shkollat me më shumë nxënës mësimi do të bëhet me turne, duke i ndarë nxënësit në grupe të vogla, në mënyrë që të ruhet distancimi mes tyre”, tha ministrja mes të tjerash.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb