Altin Lala nuk e ka takuar De Biazin pas Europianit dhe aq më pak të ketë biseduar për çështjen “Rashica”. Ish-kapiteni kuqezi është i kujdesshëm në përgjigjet që jep në këtë rast, pasi nuk kërkon të hapë polemikë për një çështje që ai e cilëson si pjesë të së kaluarës. E, megjithatë, njeriu që gjithnjë është shquar për të qenit i drejtpërdrejtë, preferon që disa detaje t’i saktësojë, duke mos u fshehur pas gishtit.

“De Biazin nuk e kam takuar pas Europianit dhe nuk e di se pse ka thënë ‘kur jemi takuar’. Por, nuk kam ndër mend të bëj polemika me të. Nuk do të ishte etike sepse kjo pjesë i përket së kaluarës”, thotë fillimisht ishkapiteni legjendar i kuqezinjve. Ai ndërkohë vë në dukje edhe faktin se nuk ka këmbëngulur ndonjëherë se nëse Rashica do të ishte me kuqezinjtë në Europian, nuk do të kishte shkuar te Kosova.

De-Biazi-Lala-dhe-Bushi-ne-stolin-e-kombetares
“Po e saktësoj një herë e mirë këtë pjesën e Rashicës. Po, është e vërtetë që unë jam menaxheri i tij dhe nuk e kam fshehur asnjëherë. Kam thënë në të kaluarën se po të kish shkuar në Europian, ndoshta do t’ia kishim bërë më të vështirë largimin nga Kombëtarja jonë. E kam thënë këtë sepse ndjesia që u krijua atje në Francë është e jashtëzakonshme dhe mund të kish pasur një efekt tjetër mbi lojtarin.

Por nuk kam thënë se po të shkonte në Euro do qëndronte patjetër me ne. Asnjëherë. Rashica është i lidhur shpirtërisht me Kosovën dhe nëse bëri atë zgjedhje, sigurisht që ka pasur gjithë të drejtën për ta bërë. Unë nuk kisha të drejtë të influencoja te zgjedhja e tij. Në fund të fundit, ai nuk ishte 16 vjeç”.

Ndeshja me Spanjën
Lala mendon se Shqipëria luajti mirë me Spanjën edhe pse kjo mund të mos u ketë pëlqyer tifozëve. “E di që e kritikuan pa masë De Biazin për ndeshjen, por Shqipëria realisht ishte e vendosur mirë. Qartazi do mbroheshim në atë ndeshje dhe do të përpiqeshim të bënim ndonjë surprizë me kundërsulm sepse Spanja nuk të jep asnjë shans tjetër. Ndoshta po të mos kish kërcyer topi keq te rasti i Berishës dhe të mos ishte bërë ai gabim në pasim, mund të flisnim për një rezultat tjetër”, rrëfen ish-kapiteni për “Panorama Sport”.

Mundësia për Rashicën
Gjithsesi Lala thotë se me një lojtar më teknik dhe më të shpejtë në lëvizje dhe në mendim, Shqipëria mund të kish pasur ndonjë lehtësi më shumë ndaj Spanjës. “Ndoshta po të kishim një si Rashica në atë ndeshje, që di të veprojë mirë dhe shpejt në 30 metrat e fundit të fushës, mund të kishim pasur ndonjë shans më shumë. Por gjithnjë me ndoshta, sepse tani pas ndeshjeve ka shumë hamendësime dhe kalkulime…”, thotë ish-kapiteni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: