Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim, duke folur në një konferencë për mediat, e cila zhvillohet disa kohë përpara zgjedhjeve, kishte disa mesazhe me rëndësi për liderët politikë shqiptarë.

Kim theksoi se liderët politikë duhet të mos vënë kriminelë në listë, kurse shtoi se partitë duhet të bëjnë transparencë për financimet.

“SHBA ka punuar dhe do të punojë për të përmirësuar demokracinë në Shqipëri. Përfaqësuesit në parlament duhet të përfaqësojnë të gjithë shqiptarët. Liderët e partive të largojnë politikanët e korruptuar nga lista. Partitë të bëjnë transparente financimet.

Të kontrollohen mirë kandidatët, populli shqiptar nuk duhet që të votojë për kriminelë. Shqipëria mund të ndërtojë një sistem më të mirë elektoral. Ne inkurajojmë të gjithë partitë, që të kenë transparencë për gjithçka për zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.

Fjala e plotë:

Jam e kënaqur që jam pjesë e kësaj konference sot, duke përmbyllur një nismë të rëndësishme, qëllimi i së cilës është t’i bëjë proceset zgjedhore të Shqipërisë më të lira dhe më të drejta. Demokracia mbështetet në një themel transparence dhe besimit të publikut, prandaj kjo vëmendje në financimin e partive dhe fushatave zgjedhore është kaq e rëndësishme. Ndërsa Shqipëria kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të sigurojë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, me kandidatë me integritet, të cilët mund të përfaqësojnë me nder interesat e popullit shqiptar.

Jam krenare që Shtetet e Bashkuara e mbështetën këtë nismë dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekje të tjera që përmirësojnë integritetin e zgjedhjeve të Shqipërisë. Populli shqiptar meriton të ketë besim në institucionet e tij, ai meriton ta hedhë votën e tij në një proces transparent, të lirë nga presioni kriminal dhe spektri i korrupsionit, si dhe meriton të shohë udhëheqjen e partive politike dhe përfaqësuesit e tyre në kuvend, duke iu shërbyer interesave të të gjithë shqiptarëve.

Por, përgjegjësia për të përmirësuar sistemin zgjedhor të Shqipërisë nuk bie mbi një person, një institucion apo një parti politike. Në fakt – TË GJITHË duhet të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje. Secili nga ju që merr pjesë në këtë aktivitet, si dhe njerëzit e organizatat që ju përfaqësoni. Të gjithë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në farkëtimin e demokracisë, që ju dëshironi dhe meritoni.

Këshilli Politik ndërmori hapa vendimtarë për reformën zgjedhore përmes marrëveshjes së 5 qershorit, një hap i rëndësishëm përpara për integrimin e Shqipërisë në BE.

Tani, ne po ndjekim nga afër procesin e zbatimit. Jemi duke ndjekur punën e institucioneve përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve, për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 prillit të jenë të lira, të drejta dhe transparente. Gjithashtu, ne po punojmë me partitë politike, duke i nxitur që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe të punojnë për të ndërtuar besimin e popullit shqiptar duke paraqitur lista kandidatësh që nuk fyejnë votuesit, nuk minojnë demokracinë apo nuk promovojnë korrupsionin. Fillimisht, drejtuesit e partive duhet të heqin nga radhët e tyre  çdo politikan të korruptuar apo të lidhur me krimin dhe të mos i vendosin ata në fletën e votimit. Zbatimi i plotë i dekriminalizimit është thelbësor për të ardhmen Euro-Atlantike të Shqipërisë.

Por, kush shfaqet në fletën e votimit është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Partitë politike duhet t’a marrin seriozisht detyrimin e tyre për të siguruar transparencën e financimit të partive. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të bëjnë transparente financimet e partive dhe fushatave të tyre, si dhe të bëjnë publike deklaratat e pasurive të të gjithë kandidatëve. Ashtu siç kemi punuar me sistemin e drejtësisë për të kontrolluar integritetin e gjyqtarëve, kështu po kërkojmë edhe kontrolle – kontrolle të hollësishme – të kandidatëve për poste publike. Populli shqiptar e meriton këtë.

Votuesit shqiptarë duhet gjithashtu të marrin përgjegjësi – përgjegjësinë për të mos pranuar pará në këmbim të votës së tyre dhe për të mos votuar për kriminelë. Në një demokraci, qytetarët janë në fund të fundit përgjegjës për politikanët që zgjedhin.

Shoqëria civile ka një rol jetësor për të luajtur në shumë aspekte të procesit zgjedhor, përfshirë mbajtjen e institucioneve dhe partive politike llogaridhënëse për administratën zgjedhore dhe për rritjen e ndërgjegjësimit tek qytetarët për rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Anëtarët e shoqërisë civile kontribuojnë edhe përmes studimeve dhe rekomandimeve të tyre – si ato që do të dëgjojmë sot – për t’u siguruar që Shqipëria të mbajë zgjedhje në përputhje me standarde demokratike të njohura ndërkombëtarisht.

Shtetet e Bashkuara janë krenare që kanë mbështetur këtë nismë të KRIIK Albania. Duke identifikuar mangësitë e kuadrit ligjor dhe duke bërë rekomandime për përmirësimin e tij, Shqipëria mund të ndërtojë një sistem zgjedhor më të mirë.

Megjithëse këto rekomandime janë kryesisht mbi ligjin e ri për financimin e partive, ne nxisim të gjitha partitë politike dhe të gjithë aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor, të ripohojnë zotimin e tyre për një sistem transparent, përfshirë financimin e partive në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb