NGA ORNELA MANJANI*

TIRANË- Përcaktohen kriteret, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë personat që kanë ndërtuar shtesa pa leje. Kriteret për legalizimin ose përjashtimin nga ky proces të ndërtimeve anash rrugëve si dhe kategoritë e ndërtimeve në zonat e mbrojtura që nuk kualifikohen për pajisjen me leje legalizimi. Këshilli i Ministrave miratoi dje një vendim, ku ka përcaktuar që objektet pa leje, shtesat anësore ose në lartësi, në një ndërtim me leje, që cilësohen si “ndërtime informale”, kualifikohen për legalizim kur kanë minimalisht të ndërtuar një kat, mbi ose nën tokë, kur janë të ndërtuara me materiale të qëndrueshme, të ngritura, të paktën, në strukturë dhe janë të lidhura pazgjidhshmërisht me tokën dhe kur nuk janë në kushtet e nenit 35, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, i cili përcakton se ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private të të tretëve, kur planet e përgjithshme vendore dhe/ose planet e detajuara vendore parashikojnë ndërtime mbi 6 kate nga niveli zero, nuk u nënshtrohen procedurave për legalizim. Sipas VKM-së së miratuar dje, ndërtimi informal nuk është në kushtet e nenit 35, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, kur: Më shumë se 50% e sipërfaqes së truallit, mbi të cilin ai ngrihet, disponohet nga poseduesi i këtij ndërtimi informal, me dokumentacion pronësie, ose rezulton në pronësi shtetërore dhe kur pronari i ligjshëm i truallit të zënë shpreh, paraprakisht, vullnetin për heqjen dorë nga e drejta për të zhvilluar parcelën dhe për trajtimin e tij nëpërmjet kompensimit financiar.

ZONAT E MIRATUARA
Qeveria ka përcaktuar kriteret për legalizimin e ndërtimeve në zonat informale të miratuara. Sipas VKM-së, ndërtimi informal i llojit “objekt”, i ngritur brenda vijës kufizuese të zonës informale të miratuar dhe i përfshirë në fushën e zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, përjashtohet nga legalizimi kur: Shkel distancat e lejuara të rrugëve ekzistuese, të kategorive A e B, ose trupin e rrugëve ekzistuese, të kategorive C, D e E, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, kur cenon sistemin ose shkel brezin mbrojtës të vijës hekurudhore ekzistuese funksionale, të nivelit kombëtar, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9317, datë 18.11.2004, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, kur është ngritur brenda vijës kufizuese të parcelës ndërtimore të ndërtesave publike (institucione shtetërore, shkolla e kopshte publike, spitale, qendra shëndetësore publike, kampuse studentore) dhe kur është ngritur në zonën e sigurisë së centraleve prodhuese të energjisë elektrike, nënstacioneve elektrike ose shkel brezin mbrojtës të sistemit të linjave ekzistuese të interkonjeksionit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar.
PERJASHTIMET NGA LEGALIZIMET
Në vendimin e Këshillit të Ministrave janë përcaktuar kriteret për legalizimin e ndërtimeve jashtë zonave informale të miratuara. Kështu, ndërtimi informal i llojit “objekt”, i përfshirë në fushën e zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe që është ngritur jashtë vijës kufizuese të zonës informale të miratuar, përjashtohet nga legalizimi kur gjendet në kushtet përjashtuese të pikës 2, të këtij vendimi, që përfshin zonat e miratuara, dhe shkel distancat e lejuara në rrugët ekzistuese, të kategorive C, D e E, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të akteve në zbatim të tij. Gjithashtu përjashtohen nga legalizimi rastet kur ndërtimi është ngritur në zonat me rrezik përmbytjeje ose çarje-rrëshqitjeje, sipas evidentimit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar si dhe Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, kur është ngritur brenda kufirit të zonës ekonomike, sipas ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, dhe kur është ngritur në zonat arkeologjike të kategorisë “B”, të shpallura me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe për të cilat nuk është miratuar procedura e legalizimit nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë. Këshilli i Ministrave përcakton se Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka detyrimin për t’u shprehur mbi miratimin ose jo të legalizimit, brenda 30 ditëve nga data e kërkesës së drejtorisë të ALUIZNI-t.
NDERTIMET ANASH RRUGEVE
Legalizimi i ndërtimit informal, të llojit “shtesë në ndërtim me leje”, u nënshtrohet të njëjtave kritere për legalizim, me përjashtim të parashikimit për shkeljen e distancave ndaj rrugëve ekzistuese, të kategorive A, B, C, D dhe E. Për këto vepra të infrastrukturës publike, shtesat do të përjashtohen nga legalizimi vetëm nëse shkelin trupin e rrugës. Ndërtimet informale, të ngritura brenda kufirit të vijës turistike, nëse cenojnë infrastrukturën rrugore, të parashikuar në dokumentet e planifikimit të territorit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi, nuk legalizohen.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb