TIRANË

Shefja e Spitalit Infektiv ose COVID 1, Najada Çomo tha se lehtësimi i masave do të ndodhë, por se duhet të jemi të kujdesshëm për atë që ndodh brenda spitaleve. E ftuar në “Frontline” në News24, Çomo foli dhe për procesin e vaksinimit.

“Sigurisht që mund të ketë lehtësime. Jemi në një kohë kur mund të kemi reduktime të masave të marra, por duke qenë i vëmendshëm për çfarë ndodh brenda spitaleve. Numri është i ulët për ata që dëgjojnë, por për ne që jemi brenda nuk është i ulët.
Vaksinimi është një armë e madhe për t’u mbrojtur dhe mbi të gjitha për t’u mbrojtur nga format e rënda të virusit.
Efektet anësore kanë qenë minimaliste në grupet që janë vaksinuar. Më mirë të kesh disa efekte anësore si dhimbje muskulare, një temperaturë e moderuar, një dhimbje në vendin ku është injektuar vaksina, krahasuar me sëmundshmërinë e cila është problematike në një pjesë të rasteve. Vaksina krijon dhe një efekt psikologjik pozitiv tek njerëzit për t’iu rikthyer normalitetit, pasi në fund të fundit nuk është vetëm sëmundja, por dhe shumë aspekte që duan njerëzit.
Lehtësimi i masave? Nuk parapëlqej të flas për një gjë që nuk e di saktë. Besoj do vendoset shpejt nga Komiteti i Ekspertëve.
Janë mbi 600 mijë të vaksinuar. Ritmi që po ecën popullata shqiptare në procesin e vaksinimit, unë ndihem e gëzuar që njerëzit janë shumë koshientë, të bindur për të bërë vaksinën dhe ka shumë pak që e refuzojnë”, tha Çomo.

Sa i përket deklaratave apo skepticizmit për vaksinat, ajo deklaroi se të 4 vaksinat që kanë hyrë në Shqipëri janë shumë të mira.
“Vaksina Pfizer apo Moderna ishin të parat që u lançuan në vështrim mjekësor. Është një komitet që vendos. Vaksina kineze dhe ruse u panë me rezultatet që kishin. Personalisht një mendim nga ana profesionale janë vaksina shumë të mira. Nuk po them se kush është më e mira. Në Shqipëri kanë hyrë 4 vaksina shumë të mira, kanë ecur shumë mirë dhe pa efekte anësore dhe janë përdorur në vende që realisht kanë ulur numrin e të infektuarve.
Kina është një vend që sot deri diku i është kthyer normalitetit në sajë të vaksinës së saj dhe masave të tjera. Vaksina ruse ka vlerat e veta, e vënë në gojën e km është vënë në vendin e duhur, në kohën e duhur.
Në qoftë se vaksina ruse apo kineze nuk do rezultonte e mirë të gjithë do akuzonin pse ke prurë një vaksinë jo të suksesshme, prurja e tyre u bë në mënyrë graduale që komiteti i imunizimit të kishte kohën e duhur. Shqipëria ka një kalendar vaksinimi në kohë. Duke pasur një kalendar ke hallkat gati. Nuk mund të marrësh një vaksinë sapo është lancuar në botë.
Shqipëria është një nivel shumë të mirë të procesit të vaksinimit. Këtë proces vaksinimi duhet ta mbajmë fort. Vaksina është i vetmi mjet që na çon drejt normalitetit”, tha Çomo.

Sa i përket shifrave dhe rënies së tyre, ajo dha disa arsye. “Kjo shifër është një shifër reale sot që flasim. A do jetë në vazhdimësi do shikojmë në vijim? Do ketë ulje besoj. Shifra e ulur që nga 1 prilli natyrisht që ka lidhje dhe me procesin e vaksinimit. Qëndrimi në ambiente të hapura ka efektin e saj”, tha Çomo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb