Qeveria e Shqipërisë financon me 40 mijë euro shkollat shqiptare në Luginën e Preshevës për blerjen e teksteve shkollore.

Këtë vit për herë të parë do të lejohet që në shkollat shqiptare të përdoren teskte shkollore nga Shqipëria për mësim.

Pas këtij vendimi, qeveria ka akorduar një kontribut financiar prej 40 mijë eurosh kundrejt Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, që kjo e fundit të mundësojë blerjen e këtyre teksteve shkollore dhe pajisjen e shkollave shqipe në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë me tekste shkollore.

 

VENDIMI NGA QEVERIA, KESHILLI I MINISTRAVE

V E N D I M
PËR

DHËNIEN E KONTRIBUTIT FINANCIAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR KËSHILLIN KOMBËTAR SHQIPTAR NË SERBI, PËR BLERJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Dhënien e kontributit financiar, në shumën 40 000 (dyzet mijë) euro ose kundërvlerën e saj në lekë, për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, për t’u përdorur për blerjen e teksteve shkollore për shkollat shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
  2. Kundërvlera në lekë e shumës së sipërpërmendur të transferohet në formën e transfertës në llogari të përfituesit, nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2020, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programet buxhetore “Arsimi bazë”, “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”, “sporti” dhe “rinia”.
  3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb