Publikohet dokumenti arkivor i nxjerrë nga Arkivi i Forcave të Armatosura pranë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili i përket vitit 1972 dhe është një letër e Ramiz Alisë, ish-sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së (që mbulonte propagandën, artin e kulturën), dërguar kryeministrit, Mehmet Shehu. Memorie.al shkruan se letra ishte shkruar lidhur me disa probleme të punës dhe mbarëvajtjes së saj në Institutin e Studimeve dhe Kërkimeve Shkencore Ushtarake pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Edhe pse në fund të asaj letre, Ramiz Alia shprehet se nuk ka njohuri mbi problemet ushtarake, ai ka marrë në analizë punën që bëhej aty, duke përmënduar disa nga kuadrot e njohur ushtarakë të saj, si Spiro Shalësi, Enver Begeja, Rasim Bazo, etj., të cilët ishin diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe konsideroheshin si “truri” i Ushtrisë Shqiptare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Puna studimore shkencore nuk mund të fillohet mbas moshës 50 vjeçare. Aq më tepër kur deri në këtë moshë kuadri nuk është marrë fare me një punë të tillë. Spiro Shalësi apo Esat Golemi nuk punojnë dot (për arsye shëndetësore) as 1-2 orë në ditë. Enver Begeja gjithë jetën s’është marrë fare me punë studimore etj. Mendoj se Institutit duhen t’i jepen gradualisht njerëz të aftë, me kulturë ushtarake politike, të vjetër e të rinj. Që kanë të dhëna e prirje për punë studimore. Këto janë disa mendime të mijat për punën e detyrat e Institutit të Studimeve Ushtarake. Mund të gaboj, e theksoj këtë, sepse vetëm artin ushtarak, si dhe problemet konkrete të ushtrisë, unë nuk i njoh”. Kështu thuhet në mes të tjerash në fundin e një letre që ish-sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, i ka dërguar Mehmet Shehut në shkurtin e vitit 1972, ku ai e informon kryeministrin për punë e dobët që është bërë në Institutin e Studimeve Ushtarake. Në atë dokument i cili është nxjerrë së fundi nga Arkivi i Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes, gjëja kryesore që bie në sy, është ajo që: me kontrollin e punës që bëhej në Institutin e Studimeve dhe Kerkimeve Shkencore Ushtarake, është ngarkuar që të merrej edhe Ramiz Alia, i cili si sekretar i Komitit Qëndror të PPSH-së, që nga fillimi i viteve ’50-të kur u zgjodh në atë funksion të lartë partiak, e deri në vitin 1985-së, kur zëvëndësoi Enver Hoxhën në krye të PPSH-së, ishte marrë vetëm me problemet e propagandës, artit e kulturës?! Por në fakt, ajo letër e shkruar nga Ramiz Alia, është një përgjigjie e letrës që i ka dërguar atij, kryeministri Mehmet Shehu, i cili konsiderohej si një nga njohësit më të mirë të çështjeve ushtarake në radhët e udhëheqjes së lartë, ku përveçse kishte komanduar Brigadën e Parë Sulmuese gjatë Luftës, ai kishte studiuar pak kohë në një Kolegj Ushtarak në Napoli të Italisë në mesin e viteve ’30-të, ndërsa pas mbarimit të Luftës, kishte kryer një specializim pranë Akademisë Ushtarake “Frunxe” në Moskë, të cilën nuk arriti ta përfundonte, pasi u kthye me urgjencë në Shqipëri në vitin 1947-të, pasi Enveri e kishte emëruar si Shef të Shtatmadhorisë të ushtrisë Shqiptare, pasi kishte shkarkuar nga ajo detyrë, gjeneral-major, Spiro Moisiun, një ushtarak të vjetër të karrierës. Ndryshe nga Mehmet Shehu, edhe pse Ramiz Alia nuk kishte fare njohuri nga problemet ushtarake, (gjë të cilën ai e ka pohuar vetë atë në fundin e kësaj letre që po e botojmë të plotë në këtë shkrim), është detyruar dhe ka trajtuar aty probleme teknike të karakterit ushtarak, sikur të ishte një ushtarak i vjetër i karrierës, siç ndodhte shpesh në udhëheqjen e lartë të asaj kohe gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist?!

Letra e Ramiz Alisë për kryeministrin Mehmet Shehu
Shoku Mehmet

E lexova materialin që ju ka dërguar Drejtoria Politike. Edhe nga ky material, më duket mua, del se nuk është pa baza ç’qetësimi që kishim për punën e këtij Instituti.
Më duket se nga vetë Ministria e Mbrojtjes nuk vlerësohet nevoja dhe roli që duhet të lozi ky Institut. Një tregues është ç’kuadro i jepen. Nuk e kam fjalën tek fakti që dërgohen njerëz me raporte apo aftësi të kufizuara pune. Kjo nuk përbën ndonjë të keqe të madhe. Por shpreh një konsideratë për punën dhe rolin e Institutit nëse ky shihet si vend strehimi për kuadro që nga një anë janë të sëmurë dhe të pa aftë për shërbim aktiv dhe nga ana tjetër nuk kanë të dhëna apo prirje për punë studimore.
Më konkretisht: Puna studimore shkencore nuk mund të fillohet mbas moshës 50 vjeçare.
Aq më tepër kur deri në këtë moshë kuadri nuk është marrë fare me një punë të tillë. Spiro Shalësi apo Esat Golemi nuk punojnë dot (për arsye shëndetësore) as 1-2 orë në ditë. Enver Begeja gjithë jetën s’është marrë fare me punë studimore etj. Mendoj se Institutit duhen t’i jepen gradualisht njërëz të aftë, me kulturë ushtarake politike, të vjetër e të rinj. Që kanë të dhëna e prirje për punë studimore.
Instituti të ngarkohet nga Ministria për studime dhe jo të konsiderohet si një aparat suplementar e operativ i Drejtorisë Politike apo Shtabit të Përgjithshëm. Sot me sa di unë, shpesh shokët e Institutit ngarkohen për të bërë inspektime, për të asistuar si të dërguar të Ministrisë në stërvitje apo lojëra ushtarake etj. Ose Instituti shndërrohet në një organizëm për propagandim të tezave të ndryshme politiko-ushtarake, që është detyrë e Drejtorisë Politike apo Shtabit të Përgjithshëm, por jo e Institutit. Mund të thonë kjo i shërben Institutit që të lidhet me trupa me praktikën. Pa dyshim Instituti duhet të lidhet me praktikën, por jo formalisht, por efektivisht dhe lidhur me studimet që kryen e që rrjedhin nga plani i aprovuar i studimeve.

Për sa i përket planit të të punës studimore:
a) Thuajse gjithë puna e Institutit është përqëndruar në përpilimin e tekstit që paraprakisht titullohet “Disa probleme të Artit ushtarak Popullor të Forcave të Armatosura të RPSH” (Shif fundin e faqes 4 të relacionit) si dhe punën e përkthimeve.
Më duket se nuk është kjo thelbësorja.
Së pari, përpilimi i këtij teksti sipas mendimit tim është më tepër sistemim materialesh e dokumentesh (që ekzistojnë sot në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, në Rregullore apo dokumente të Ministrisë së Mbrojtjes) se sa punë krijuese studime në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Së dyti, përkthimet janë një sektor pune, por jo thelbësore për Institutin.
b) Me se duhet të merret Instituti?
Të përpunojë një varg problemesh të mbrojtjes mbi bazën e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe të eksperiencës së luftës Nc-Çl. Unë mund të gaboj sepse s’e njoh këtë çështje, por me duhet të flasim për artin ushtarak shqiptar (jo për megallomani, as për nacionalizëm) por për artin ushtarak të përshtatur dhe të lidhur me eksperiencën e kushtet ekonomike, politike, ideologjike të vendit tonë.
Tezat e Këshillit të Mbrojtjes mua më duken shumë të rëndësishme e shumë sinjifikative në këtë drejtim. Për të bërë këtë punë Instituti duhet të orientohet nga kolegjumi i Ministrisë Mbrojtjes, nga problemet që i dalin atij. Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, puna për zbatimin e tyre në lojrat që organizohen dhe eksperienca që del nga këto, më duket se nxjerrin shumë probleme që kanë nevojë për studim e thellim të mëtejshëm.
Të fillojë nga studimi i përvojës së Luftës N.Çl., jo për histori, por me qëllim që të nxirren konkluzione shkencore e mësime për të sotmen (Sot kjo punë i është ngarkuar vetëm Rasim Bazos. A e bën dot?) Të njoh konceptet revizioniste e borgjeze mbi mbrojtjen dhe të argumentojë shkencërisht kritikën ndaj tyre. Të studiojë konceptet e armiqve mbi luftën antiguerile (sa sabotime amerikane ka për këtë) jo vetëm për të nxjerrë konkluzionet e nevojshme, por edhe për të parë këtë çështje në kushtet e sotme të zhvillimit të teknikës luftarake të ndërlidhjes etj.

Për dijeni: Na kanë ardhur disa dokumente gjermane të luftës ku flitet dhe për luftën tonë N.Çl. dhe operacionet e komandës gjermane në Shqipëri (akoma s’i kemi përkthyer).
Siç më thonë shokët, ka material të dobishëm. Është interesant të studiohet taktika e armikut, manovrimi i forcave antiguerile, sepse këtej jo vetëm njihesh me metodat e armikut, por sheh edhe aftësinë tekniko-strategjike të ushtrisë N.Çl. në aksione të veçanta, në ballafaqim edhe me planin taktiko-operativ të armikut.

Këto janë disa mendime të mijat për punën e detyrat e Institutit të Studimeve Ushtarake. Mund të gaboj, e theksoj këtë, sepse vetëm artin ushtarak, si dhe problemet konkrete të ushtrisë, unë nuk i njoh.
Përshëndetje
Ramiz Alia
28. II. 1972

P.S. Ju kërkoj ndjesë që e vonova shumë përgjigjen, por isha në Shkodër e Korçë pikërisht këtë muaj.

Në 1974-ën pjesa më e madhe e kuadrove të Institutit u burgosën
Letra që sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia, kishte dërguar në adresë të kryeministrit Mehmet Shehu, ku ai e informonte në lidhje me punën e dobët që bëhej në Institutin e Studimeve Ushtarake i përket vitit 1972, kur akoma Enver Hoxha nuk kishte filluar goditjen ndaj ushtarakëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të kryesuar prej Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, të cilët dy vjet më pas ai i etiketoi si “koka e grupit puçit në ushtri”. Ndërsa nuk kishin kaluar më shumë se dy vjet nga ajo letër e Ramiz Alisë, vala e goditjes që lëshoi Enver Hoxha ndaj Ushtrisë Shqiptare preku dhe një numër kuadrosh të lartë e drejtues kryesore të cilët kishin shërbyer ndër vite apo shërbenin pranë Institutit të Studimeve dhe Kërkimeve Ushtarake e Shkencore. Ndër ushtarakët kryesorë që u goditën nga paranoja e Enver Hoxhës dhe që kishin shërbyer pranë atij instituti, ishin: Ernest Jakova, (ish-gjeneral-major) Sadik Bekteshi, (gjeneral-leitnant, “Hero i Popullit”) Dilaver Radëshi, (kolonel) Spiro Shalësi, (gjeneral-major) Elami Hado, (kolonel) Abaz Fejzo, (gjeneral-kolonel, “Hero i Popullit”) Vaskë Gjino, (gjeneral-kolonel) etj., të cilët u internuan, u burgosën apo vdiqën nëpër burgje dhe kampet e punës së detyruar. Një nga akuzat kryesore që u bë në adresë të ushtarakëve të Institutit të Studimeve Ushtarake, ishte ajo e përkthimit të literaturës së huaj ushtarake. Kjo akuzë ishte krej absurde, pasi në atë kohë në Artin Ushtarak theksohej me të madhe: “Që ta luftosh armikun, më parë duhet ta njohësh atë”. Pas eleminimit të këtyre ushtarakëve kryesorë që përbënin dhe trurin e Ushtrisë Shqiptare, pjesa më e madhe e të cilëve ishin diplomuar me rezultate të shkëlqyera në akademitë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik, në Institutin e Studimeve Ushtarake u emëruan kuadro të tjerë, krejt të paaftë, një pjesë e të cilëve sapo ishin thirrur në ushtri, duke u marrë nga klasa punëtore/Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb