LEZHË – Operacioni policor “Babagjyshët”, që vuri në pranga një bandë kriminale që vepronte e maskuar me veshjet e Santa Klausit, ka vënë në pranga të tjerë persona sot, këtë radhë në Lezhë, dy bashkëpunëtorë të njerit prej “babagjyshëve”.

Policia ka arrestuar 25-vjeçarin Angjelin Ndreka nga fshati Rrile i Lezhës dhe 26-vjeçarin Paulin Kala nga fshati Zhejë i Kurbinit, si autorë të vjedhjes së shtëpisë së qytetarit Kol Gega në 26 nëntor 2014.

Ata janë kapur pas shtrirjes së hetimeve për njerin nga “babagjyshët”, Agustin Sulën, të arrestuar në dhjetor të vitit 2014 për një sërë ngjarjesh kriminale dhe që rezulton bashkautor në vjedhjen e banesës së Gegës.

Policia e Qarkut të Lezhës njoftoi se “gjatë kontrollit të banesës së Angjelin Ndrekës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale, nje automjet i tipit BMV, disa skeda telefonike të kompanive të ndryshme, disa aparate telefonikë, një sasi prej rreth 100 gr lëndë e dyshuar si kanabis sativa si dhe shumat prej treqind mijë lekësh dhe 14 mijë eurosh.”

Tashmë, dosja e të arrestuarve i ka kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprat penale: “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”, “organizatë kriminale”, “grup i strukturuar kriminal” si dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.

Grupi kriminal “Babagjyshët” u arrestua vitin e kaluar, pas një morie vjedhjesh të bujshme me armë në Tiranë dhe rajon. Ai drejtohej nga një i arratisur nga burgjet greke, Ilir Kupa.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb