Duke qenë se duhet mbyllur çdo gjë brenda 2 gushtit për t’i lënë hapësirë Champions League dhe Europa League, në mbledhjen e sotme që Liga Profesioniste e Serie A zhvilloi nëpërmjet videokonferencës, u propozua dhe u votua nga pjesa dërrmuese e klubeve që kampionati të rinisë më 13 qershor.

Serie A ka ende 12 javë për të luajtur dhe katër ndeshje të prapambetura për të rikuperuar: Inter-Sampdoria, Atalanta-Sasuolo, Verona-Kajliari e Torino-Parma. Nëse çdo gjë shkon mbarë dhe sezoni rifillon më 13 qershor, atëherë do të ketë mundësi që të luhen edhe gjysmëfinalet e kthimit dhe finalja e Kupës së Italisë.

Në ditët e fundit klubet kanë thirrur në bazë lojtarët e huaj dhe stërvitjet individuale kanë nisur. Nga e hëna do të mund që të nisen seancat normale në grup, ku natyrisht nuk do marrin pjesë lojtarët që janë duke kryer karantinën. Tani pritet vendimi përfundimtar i qeverisë, që, duke u bazuar në deklaratat e fundit të ministrit të Sporteve, Spadafora, duhet të vijë brenda një jave kur të jetë vlerësuar më së miri kurba e infektimeve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb