TIRANE- Në kuadrin e projektit “Pameca IV”, të financuar nga Bashkimi Europian për reformimin e policisë dhe konsolidimin e Kapaciteteve për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, propozohen së fundmi disa ndryshime në ligjin “Antimafia” që synojnë hetimin edhe të korrupsionit pasiv. Ndryshimi i propozuar është pikërisht shtesa, për të hetuar jo vetëm korrupsionin aktiv, por edhe atë pasiv. Në këtë pikë, në qëndrimin e vet “Euralius” thotë se çdo vepër korrupsioni, aktive dhe pasive, janë anë të së njëjtës monedhë. Më tej shikohet për t’u ngushtuar rrethi i personave të afërm me shtetasin nën hetim. “TCH” raportoi dje se ndërkohë misioni “Euralius” ka vënë në dijeni Presidentin, Bujar Nishani, Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani si edhe zyrtarë të tjerë nga fusha e së drejtës, se ndryshimet në ligjin “antimafia” duhet të përshtaten në procesin e reformës në drejtësi, me hartimin e Kodit të Procedurës Civile dhe Penale.

NDRYSHIMET NË LIGJ
Ndryshimet parashikojnë që të përfshihen në hetim pasuror bashkëshortët, fëmijët, vëllezërit, motra dhe bashkëjetuesi, ndërkohë që lihen jashtë vjehrri e vjehrra, njerku e njerka, nipërit e mbesat. “Euralius” e mbështet këtë propozim me agrumentin se, në këtë mënyrë shmanget shtrirja e tepruar e subjekteve, e po ashtu shmangen hetimet e ndërlikuara, që në praktikë zgjasin e kthehen në komplekse, e rrallë sjellin konfiskime. Për herë të parë, në ligjin “antimafia” po diskutohet të futen për llogari të procesit të sekuestrimit e konfiskimit të pasurive, që vijnë nga krimet e parashikuara në ligj, edhe dëshmitari dhe eksperti, të cilët mund të asistojnë në proces.

Ndërkohë që gjykatës i jepet po ashtu edhe një kompetencë tjetër. Ajo mund të thërrasë për të raportuar në seancë drejtorin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Zyrtari duhet të paraqitet për të dhënë informacion për pasuri të caktuara, përpara se Gjykata e Krimeve të Rënda të shpallë vendimin për konfiskimin e kësaj prone, që kalon në favor të shtetit.

HETIMET
Më shumë se një vit pasi u miratuan ndryshimet në ligjin “antimafia”, që përcakton hetimin pasuror jo vetëm për vepra të krimit të organizuar, por edhe korrupsionit, aktorë të ndryshëm, mes të cilëve edhe misionet e huaja këshillimore, kanë nisur sërish diskutimet për ndryshime të tjera. Aktualisht, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nën hetim pasuror 7 raste, që kanë lidhje me çështje korrupsioni dhe 86 të tjera për pasuri e asete, për shtetas të implikuar në trafiqe droge e krim të organizuar. Projekti për Konsolidimin e Kapaciteteve për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri (PAMECA IV) dhe Projekti për Konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS IV) janë projektet kyç të financuar nga Bashkimi Evropian që sigurojnë asistencë teknike profesionale për institucionet shqiptare të zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore, me qëllim që veprimtaria e tyre të përputhet me standardet e kërkuara të BE-së në fushën e Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb