TIRANE- Pas zbardhjes në media të përmbajtjes së ligjit të ri mbi taksimin e të ardhurave që po përgatit qeveria, vjen edhe reagimi zyrtar I Ministrisë së Financave. Me anë të një deklarate për mediat MF-ja sqaron se të dhënat e publikuara në media nuk janë zyrtare. MF sqaron se shifrat e përdorura janë marrë si ilustrim, ndërsa skema aktuale e taksimit nuk do të ndryshojë.

“Ministria e Financave është e detyruar të hedh poshtë të gjitha spekulimet e bëra në lidhje me draft ligjin për të ardhurat tatimore. Varianti i shpërndarë për mendim është jo zyrtar, por në shenjën e vullnetit të bashkëpunimit të mirë me palët e interesuara për të fituar kohë pasi javën e parë të shtatorit ne duhet të vazhdojmë dialogimin me ekspertin e FMN. Në të gjithë draftin dhe jo vetëm në nenin 25, shifrat dhe disa nga konceptet e reja janë vendosur gjithmonë në kllapa dhe në gërma korsive për të dalluar faktin që ato janë thjesht ilustrime. Koincidenca e përputhjes me disa nga ato që.përdoren aktualisht, është keqkuptuar duke dhënë shkas për spekulim”.

“E vërteta është qe ministria e Financave po përgatit një ligj të ri për tatimin mbi të ardhurat duke shfuqizuar legjislacionin ekzistues të mbingarkuar nga ndryshimet e shumta në vite dhe për të pasur në një ligj tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin”,- sqarohet më tej.

“Gjithçka tjetër që po komentohet e thuhet është, në mos dashakeqe, spekulative. Asnjë diskutim dhe asnjë vendimmarrje nuk ka në lidhje me mundësinë e ndryshimit të skemës aktuale të tatimit progresiv mbi të ardhurat personale. Kur projekt ligji do të dërgohet zyrtarisht për mendim, do të jetë gjithë hapësira e duhur dhe transparenca maksimale për diskutim”,- përfundon deklarata.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: