Ligue 1 është ndalur dhe PSG është shpallur kampion i Francës. Por nuk ka mbaruar me kaq. Vendimi i marrë nga Liga Franceze e Futbollit ka bërë që të shpërthejnë shoqëritë më të penalizuara, duke nisur nga Tuluza që ra prej kategorisë e deri te Lioni i presidentit Zhan Mishel Ola, që u rendit i shtati dhe jashtë Kupave të Europës. “Po varim veten. Ky ndalim u kushton shumë shoqërive dhe vetë ligës,” tha fillimisht ai.

Numri një i OL-it është gati të luftojë për të ndryshuar vendimin, që e cilëson si një gabim të rëndë, sikundër edhe kreu i federatës franceze. “Jam në thelb dakort me atë që ka thënë Noel. Ai, ndryshe nga liga, kërkon që kampionati të përfundojë dhe unë jam 100% dakort. Në fillim u krye një gabim politik. Përse duhej të nxitoheshim dhe të thonim se nuk mund të luajmë deri përpara gushtit? Franca e sportit është si Franca e biznesit, ka garë”.

Propozimi i Olas është që të mbyllet sezoni me playoff dhe playout, por ai duhet të mbrohet dhe nga ata që sulmojnë se nuk do të kishte marrë një pozitë të tillë nëse nuk do të ishte presidenti i Lionit, që gjendet në këto kushte. “Do të kisha të njëjtin mendim edhe sikur të ishim të dytët. Do të provonim të gjenim një zgjdhje dhe të shpalleshim kampionë”.

Në përfundim mendimi i fundit i Zhan Mishel Ola. “Kërkoj që këto vendime të rimerren me rastin e asamblesë së përgjithshme ose në atë të 23 majit. Për momentin, kërkoj të përdor arsyen dhe të këshillohem me UEFA-n. Nëse kampionati ndalet, si do të mund të luajë PSG dhe Lioni në fund të korrikut në rast të një finale të Kupës ose të Champions League?”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb