TIRANË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani asistoi sot në seancën dëgjimore në Këshillin e Lartë Gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës për masën disiplinore “shkarkim nga detyra” për magjistraten Enkeleda Hoxha me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani u shpreh dakord me kërkesën e magjistrates Enkeleda Hoxha, e cila i kërkoi kohë KLGJ-së për të përgatitur parashtresat e saj për raportin hetimor të paraqitur nga ILD. Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e magjistrates dhe caktoi seancën e rradhës dëgjimore më 29 Janar ora 11.00.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë e nisi verifikimin e gjyqtares Enkeleda Hoxha pas raportimeve në media të vendimeve për lirimin e Hekuran Billës, Ilir Pajës dhe Endrit Dokles.

Ilir Paja, i dënuar më 17 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, kërkoi lirim të parakohshëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë tre herë brenda vitit 2017. Ndërsa dy prej kërkesave u rrëzuan, kërkesa e tretë u pranua nga gjyqtarja Hoxha.

Në janar, gjyqtarja Enkeleda Hoxha vendosi të lironte me kusht Endrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm si anëtar i Bandës së Durrësit për një sërë akuzash. Më herët, përmes 7 vendimesh të tjera, ajo i ka llogaritur Dokles kohë paraburgimi shtesë nga viti 2012 deri në vitin 2014 dhe i ka njohur atij përfitimin e 4 viteve ulje dënimi nga 3 amnisti radhazi dhe një ulje tjetër dënimi.

Në shkurt të vitit 2019, Hoxha vendosi të lirojë me kusht edhe Hekuran Billën, i cili ishte dënuar në vitin 2008 me burgim të përjetshëm në Mbretërinë e Bashkuar për një vrasje të kryer në 2006-ën.

Pas ekstradimit për vuajtjen e dënimit në Shqipëri, Gjykata e Apelit Tiranë e uli dënimin në 25 vite burg në vitin 2016 dhe në shkurt 2019, gjyqtarja Enkeleida Hoxha vendosi lirimin e tij. Një vit e gjysmë më pas, Billa u ekzekutua me armë zjarri në Tiranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb