Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka deklaruar se sulmet ndaj televizionit News24 nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama lidhen me faktin se kjo media, sipas tij, pasqyron realitetin dhe shqetësimet e qytetarëve.
I ftuar në studio, Hoxha foli edhe për protestat e fundit qytetare, duke u ndalur te tubimi i banorëve të Klosit kundër projektit për reformën territoriale, që parashikon ndryshime në hartën e bashkive.
“News24 sulmohet sepse pasqyron hallet e qytetarëve. Është një nga mediat më informative në Shqipëri dhe një nga mediat që reziston pavarësisht sulmeve që janë bërë ndaj saj”, u shpreh Hoxha.
Ai kritikoi politikat e qeverisë për zhvillimin urban, duke akuzuar kryeministrin Rama se ka favorizuar ndërtimet.
“Rama është dashnor i betonit, atë ka pasion ai. Ai i ka dhuruar Shqipërisë vetëm ligje për ndërtime dhe beton, dhe kjo duhet hetuar”, deklaroi ai.
Duke komentuar protestën qytetare, e cila sipas tij vijon prej disa muajsh, Hoxha tha se këmbëngulja e qytetarëve ka krijuar shqetësim te qeveria.
“E quajti protestën me terma të ndryshëm, por rezistenca dhe qëndrueshmëria po e trembin më shumë. Është një protestë e pashembullt, njerëzit vijnë me fëmijë dhe karroca, madje kujdesen edhe për pastërtinë e ambienteve ku zhvillohet”, tha ai.
Hoxha u ndal edhe te hetimet që lidhen me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë çështje si “Kutinë e Pandorës” së politikës shqiptare.
Sipas tij, kjo dosje mund të zbardhë mënyrën se si janë menaxhuar fondet publike, tenderët dhe raportet mes politikës dhe pushtetit ekonomik.
“Dosja Balluku është ‘Kutia e Pandorës’ së politikës shqiptare. Do të zbulojë se si janë dhënë tenderët, si janë mbyllur gojët, si janë marrë peng njerëzit dhe si është ndarë pushteti”, deklaroi Hoxha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron Ballukun dhe kërkoi që institucionet e drejtësisë të vijojnë hetimet. Sipas tij, zbardhja e plotë e kësaj çështjeje do të sjellë pasoja të rëndësishme për politikën shqiptare.
“Zullumi i Ramës dhe Ballukut është aq i madh sa, nëse zbulohet dhe hapet, do të mësohet gjithçka. Kjo mund të sjellë një Shqipëri të re dhe të vërtetë”, u shpreh Hoxha.
