TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka hapur Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, që ka nisur pak më parë tek Amfiteatri te Liqeni i Tiranës.

Rama e nisi fjalën e tij para socialistëve duke kujtuar kohën e 7 viteve më parë, kur mori detyrën si kryeministër, duke thënë se “Kur jemi ulur në detyrë dhe kemi parë mbi tryezë të dhënat reale të vendit kemi qenë përballë sfidës së madhe të financimit të rrogave dhe pensioneve pa pasur nevojë që t’i ulim ato”.

Më tej, ai tha se në bisedën e parë që ka pasur me përfaqësuesit e FMN në Shqipëri, këta të fundit i kanë kërkuar të ulnin pagat dhe pensionet, por ai nuk ka pranuar.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Kur bëhen 7 vjet nga dita kur ne morëm detyrën mund të thuhet me plot gojë se jemi në kushtet kur e keqja më e madhe është harruar ose duhet kujtuar dhe rikujtuar, sepse dita kur ne nisëm këtë rrugëtim nuk ka asgjë të ngjashme në raport me punët e vendit me ditën ku jemi sot, por në të njëjtën kohë sic e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund. Ne duhet të mbajmë parasysh që teksa numërojmë me të drejtën tonë ato që kemi bërë, në asnjë moment të mos ja themi vetes dhe të mos lëmë për më tepër përshtypjen te të tjerët se jemi të kënaqur me sa kemi bërë. Kur kthejmë kokën pas është e vështirë të zgjedhësh cfarë të kujtosh më parë në raport me sa shumë na është dashur të bëjmë. Mandati i parë ishte përpjekja për të ndaluar një inerci rrënimi dhe një hemorragji të rrezikshme në raport me financat e vendit. Kur jemi ulur në detyrë dhe kemi parë mbi tryezë të dhënat reale të vendit kemi qenë përballë sfidës së madhe të financimit të rrogave dhe pensioneve pa pasur nevojë që t’i ulim ato.

E kujtoj si sot bisedën shumë të vështirë me FMN, i cili insistonte që duhet ta fillonim nga ulja e rrogave dhe pensioneve dhe refuzonte idenë tonë se ne do të kompensonim boshllëkun e atëhershëm me një reformë shumë agresive në fushën e energjisë, që ishte dhe burimi kryesor i hemorragjisë së vendit në aspektin financiar. S’e harroj kur përfaqësuesit e FMN më janë drejtuar dhe më kanë thënë se “këtë e kemi dëgjuar nga të gjithë kryeministrat e mëparshëm, por në të vërtetë kjo reformë në Shqipëri nuk bëhet”. Sot, atyre që ankohen për gjithçka, iu duhet kujtuar se mbanin radhën në shi për të paguar fatura afrofe të energjisë elektrike, që i paguanin për vete dhe për gjysmën e dynjasë, që nuk denjonte të paguanin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb