Me thirrjet “Poshtë patronazhistët”, “Edi Rama jep dorëheqjen” dhe “Ju erdhi fundi”, protestuesit kanë vijuar marshimin drejt zonës së ish-Bllokut, pas përfundimit të tubimit para Kryeministrisë.
Për të 68-ën ditë radhazi, qytetarët po zhvillojnë protesta kundër kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave dorëheqja e kreut të qeverisë, krijimi i një qeverie teknike dhe hetimi i Ramës nga SPAK.
Marshimi nisi menjëherë pas përfundimit të fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit përsëritën akuzat ndaj qeverisë dhe kërkuan ndryshim politik.
Gjatë marshimit në rrugët e kryeqytetit janë dëgjuar thirrje si: “Parlament analfabet”, “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëria e rinisë, jo e partisë”, “Rama në burg” dhe “Ju erdhi fundi”, ndërsa protestuesit kanë bërë thirrje që gjithnjë e më shumë qytetarë t’u bashkohen protestës.
