Protestuesit janë stacionuar para Kryeministrisë, pas marshimit të nisur nga sheshi “Skënderbej”, në kuadër të ditës së 70-të të qëndresës qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët kanë mbërritur përpara Kryeministrisë përmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa vijojnë protestën me thirrje kundër qeverisë. “Rama, jep dorëheqjen!” është një prej sloganeve kryesore që dëgjohet nga turma.

Protestuesit kanë zënë hapësirën përpara godinës së Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin dhe përsërisin kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe institucionale. Protesta e sotme shënon ditën e 70-të të qëndresës qytetare, e cila sipas organizatorëve nisi fillimisht si reagim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, por më pas u shndërrua në një lëvizje me kërkesa të drejtpërdrejta politike.

Pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime të thella politike dhe institucionale, ndërsa një prej kërkesave kryesore mbetet dorëheqja e Edi Ramës dhe ndryshimi i modelit aktual të qeverisjes. Protesta vijon aktualisht para Kryeministrisë, ndërsa qytetarët deklarojnë se do të qëndrojnë në shesh për të vijuar qëndresën e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: