Në datat 11-12 maj u zhvillua mbledhja vjetore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër me temë “Të influencojmë ndryshimin-25 vitet në vijim”, në të cilën ishte i pranishëm Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë mbledhje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.

Ndër këto veçojmë takimin me Z. Philip Bennett, Zëvendëspresident i Parë dhe Drejtori Kryesor Operacional, z. Henry Russell, Drejtor për Institucionet Financiare të Ballkanit Perëndimor, Bjellorusi, Moldavi dhe Ukrainë, z. Christoph Denk, Shef i Zyrës së BERZH në Shqipëri dhe përfaqësues të tjerë të lartë të BERZH-it.

Gjatë takimeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike, si dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Duke përfituar nga rasti, Guvernatori Sejko falënderoi përfaqësuesit e BERZH-it për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë dhe i ftoi të vazhdojnë të vlerësojnë potencialet që ofron Shqipëria.

Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, përfaqësuesit e BERZH-it falënderuan Guvernatorin për bashkëpunimin e deritanishëm institucional si dhe diskutuan lidhur me projektet e ardhshme në fushën e sistemit financiar dhe më gjerë. Z. Philip Bennet, Zëvendëspresident i Parë dhe Drejtori Kryesor Operacional i BERZH-it, vlerësoi potencialet e vendit dhe shprehu angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në fusha me interes të veçantë për Shqipërinë si energjia, agro-industria, etj.

Në përfundim, Guvernatori Sejko ndoqi dhe punimet e tryezës së Ministrave të Financave të Ballkanit Perëndimor me temë “Ballkani Perëndimor si një destinacion investimi – Perspektiva Rajonale”, ku Shqipëria u përfaqësua nga Zëvëndësministri i Financave, z. Erjon Luçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: