Lëvizja Socialistë për Integrim ka prezantuar sot kandidatin e saj për deputet dhe njëkohësisht koordinator për zonën e Kuçovës, Urës Vajgurore dhe ish/komunës Otllak, zotin Lefter Maliqi. Drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Çela, gjatë prezantimit të Maliqit ka deklaruar se ai ka qenë themeluesi i LSI-së në qarkun e Beratit dhe ka fituar edhe komunën e Otllakut nën siglën e LSI.

“Sot prania ime dhe e Lefterit së bashku tregon se Lefter Maliqi është në shtëpinë e tij dhe do të jetë një kontribut i jashtëzakonshëm në fitoren e Lëvizjes Socialistë për Integrim në qarkun e Beratit, në fitoren e opozitës së bashkuar në qarkun e Beratit dhe nga ky qark do të fillojë fitorja në të gjithë Shqipërinë. Projekti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit është një projekt që e vendos këtë qytet në qendër të zhvillimit ekonomik, duke hapur vende të reja pune. Vizioni i LSI është vizioni që do të ndalojë shpopullimin dhe largimin e të rinjve, duke e kthyer Beratit në shtëpinë e tyre dhe në 25 Prill opozita e bashkuar do ta shpartallojë Rilindjen në çdo qendër votimi. Ne si LSI do ta plotësojmë ekipin tonë me njerëz me vlera e që i shërbejnë komunitetit dhe 3 mandatet e LSI-së në qarkun e Beratit janë sot realitet për faktin se kemi mbështetjen e mijëra të rinjve që po i bashkohen LSI, kemi mbështetjen e biznesit që është shkatërruar nga Rilindja, kemi mbështetjen e fermerëve që nuk kanë parë një ditë të bardhë nga rilindja dhe mbështetjen e mijëra socialistëve të zhgënjyer që rilindja jo vetëm që nuk i ka pa përfaqësuar por i ka keqtrajtuar”, tha Ardit Çela.

Kandidati i LSI-së, Lefter Maliqi, duke falënderuar kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi për vlerësimin ndaj tij, ka deklaruar se sot ndodhet në krah të Ardit Çelës, që i ka dhënë edhe më parë provat në detyrat e tij ekzekutive.

“Prej 2 vjetësh në Parlamentin e Shqipërisë kam bërë një opozitë të fortë kudër Rilindjes, babëzisë, oligarkëve, korrupsionit, krimit, zaptimit të institucioneve, cenimit të demokracisë lokale dhe qendrore dhe rreshtohem sot me bindje të plotë përkrah Arditit dhe stafit fitues të 7 kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit. LSI sfidën e ka direkt me Rilindjen e mashtrimit dhe të krimit dhe në këtë qark do marrim 3 mandate. LSI është e vetmja forcë politike që do integrimim e Shqipërisë, është e vetmja forcë politike që u fut në grevë urie në vitin 2009 dhe më pas ka kërkuar lista të hapura dhe sistem përfaqësimi dinjitoz ku populli me votën e vetë të zgjedhë deputetët e tij. Fitorja e LSI-së në qarkun e Beratit dhe do jetë shumë herë më e thellë se në vitin 2017 dhe humbja e Partisë Socialiste do të jetë po as e thellë. Kush do të guxojë të vjedhë e të prekë votën do të marrë ndëshkimin e merituar sipas ligjit, ne nuk kemi frikë nga të fortët dhe bandat sepse banda është kjo qeveri. Partia Socialiste ka nevojë për një lider të ri me vizion perëndimor sepse ky është djali i Kristaqit. Nuk kam qenë asnjëherë anëtar i Partisë Socialiste dhe duke parë keqqeverisjen e saj vendosa ti bashkohem LSI për të cilën kam detyrime të mëdha”, është shprehur Maliqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb