Presidenti i Biznes Albania Luan Bregasi i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se politikanët tanë duhet që të mbështesin sa më shumë turizmin dhe produktet shqiptare në këtë kohë pandemie të koronavirusit.

Ndërsa, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha se po japin mbështetjen maksimale për turizmin shqiptar, që të mund të ringrihet sërish pas pandemisë së Covid-19.

Luan Bregasi, president i Biznes Albania: Unë do thosha që para se të kalojmë tek paketa e tretë, qeveria duhet të kalojë paketën e dytë. Politika e hapjes graduale duhet të shoqërohet me hapjen graduale për kompanitë. Duhet bërë protokolli i garancisë sovrane. Hapësira e kthimit të kredisë nuk duhet të jetë më e vogël sesa 5 vjet.

Mos harrojmë se shumë kompani kanë kredi. Edhe kjo kredi i zhyt ata më shumë në kredi. Një propozim mund të ishte edhe shtyrja e kredive të principalit. Në këtë paketë mund të propozohet shtyrja e taksave vendore. Garancia sovrane nuk është lëvruar totalisht. Produkti konsumo shqip duhet të shndërrohet në lajthmotiv të politikës shqiptare. Ne kemi hotele dhe zona të mirë-administruara dhe është shumë e thjeshtë të bësh reklamë pozitive.

Ministri Blendi Klosi: Ne jemi këtu për të diskutuar për turizmin, për të qenë afër si atij që është afër një hoteli në Valbonë, si atij që ka hotel në jug. Ne nuk dimë se ku është fundi, pra nuk ka njeri që thote se në këtë kohë përfundon gjithcka. Kemi sakrificën e përbashkët për menaxhim të situatës. Ne kemi pritshmëri pozitive. Shqiptarët i ftojmë që të mbështesin komunitetin e biznesit në Shqipëri. Situata në 2020 është gjendja e mbijetesës, ndërsa më 2021 na duhet rikuperim, e më 2022 të kemi rikthim si me 2019. Ne ishim në kulmin e turizmit dhe u pësua goditja.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb