Ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit Universitar “Luarasi”, e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj. Kryebashkiaku ka përcjellë një mesazh urimi për të rinjtë e “Luarasit” që diplomohen, ndërsa ka shprehur mirënjohje për prindërit e tyre, dhe pedagogët e “Luarasit”.

“Sot është një ditë shumë e veçantë, kanë ndodhur dy gjëra. Së pari disa djem dhe vajza të mrekullueshëm diplomohen, dhe së dyti pas tre vitesh kam vënë kostum dhe kollare, dhe kjo është fuqia e oligarkëve, vetëm ata të detyrojnë të bësh gjëra të tilla. Përtej humorit dua të falënderoj themeluesit, rektorin, dhe administratorin. Fakti është që sot luhet derbi Tirana-Partizani, por pavarësisht kësaj të gjithë prindërit janë këtu, dhe kjo tregon shumë. Dua të them se pa ju atje, nuk do të ishin këta këtu. Kjo është një shkollë private, dhe jo të gjithë do të kishin mundësi të ishin në një shkollë të tillë, me kushte të tilla, dhe profesorë të këtij niveli. Ndaj them se ju jemi shumë mirënjohës të gjithë prindërve. Po kështu i jemi mirënjohës mësimdhënësve, jo ata që vijnë për atë rrogën, për 8 orëshin, po e kam fjalën për ata që bëhen mentorë, që kujdesën për botën tënde shpirtërore, që të bëhen si vëllezër. Kjo është ajo që ndihmon për të ardhmen e gjeneratës tonë. Unë them që në punën tonë, nëse dëmtohet një pemë, apo një pllake, e zëvendësojmë, ndërsa puna e një mësuesi, e një mentori, është një punë që ndodh vetëm njëherë. Nuk mund t’i thuash një nxënësi hajde ta bëjmë dhe një 3-vjeçar se nuk e bëmë mirë. Ndaj meritojnë gjithë respektin dhe mirënjohjen tonë për punën tyre.

Edhe dy fjalë për studentët. Kam një pyetje për ju: Ne e gjejmë veten apo e krijojmë? ëse fillojmë të shajmë shokët e klasës, ne jemi bërë sharës të ardhshëm, dhe çfarëdo që të bëhemi nesër, do të jemi sharës profesionit. E nëse kërkojmë gjërat më të virtytshme në shoqëri, i rrahim shpatullat dikujt edhe kur nuk ia ka dalë, kjo do të na bëjë t’ia dalim me sukses në këtë frymë solidariteti. Nëse sot jemi dekurajues, të tillë do të jemi për tërë jetën, do të krijojmë nesër dikë që do të na tregojë vetëm dështimet.

Ndaj miqtë e mi, ju që diplomoheni sot, jeni formuar, dhe do formoheni edhe më tej. Ne jemi si enë, nëse mbushemi me mjaltë do të jemi të dobishëm, e nëse mbushemi me helm, do të jemi të dëmshëm. Arsimi është një gjë që vazhdon. Unë dua që t’ju uroj të gjithëve shumë sukses, e di që studioni për shumë lëndë që ndoshta ka inflacion, por asnjëherë nuk ka inflacion për ata që arsimohen. Edhe në juridik, ndonëse ka shumë që diplomohen, ka gjithmonë vend për më të mirët. Ndaj iu them miqve të mi studentë, mos u shqetësoni që në këtë treg ka plot të tjerë, por përpiquni që të jeni më të mirët. Dhe unë jo vetëm që jam krenar për ju sot, si prindërit dhe profesorët tuaj, por jam edhe fansi juaj më i madh”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb