NGA: ARMIR MEHAJ
PUKË-Situata e krijuar nga reshjet e bores dhe ngricat në rajonin e Pukës duket se shkaktoj një luftë të heshtur mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila drejton dhe Ministrin e Transporteve. Deputeti Pjerin Ndreu i vënë në krye të menaxhimit të kësaj situate në bashkitë Pukë e Fushë-Arrëz ankohej për hedhjen e kripës në akset rrugore nacionale, çfarë po sjell rrezikun për qarkullimin e përdoruesve të këtyre rrugëve.
“Rrugët janë të hapura por duhet të kriposen pasi kështu po rrezikohet jeta e njerëzve”, tha Ndreu teksa shtoj se situatë është e rëndë.

Duket se kane qenë këto deklarata që mbrëmë vonë ccuan për të inspektuar rrugët dhe vetë ministrin e Transporteve, Sokol Dervishaj, i cili i shoqëruar nga deputeti Ndreu dhe drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Rrugëve të Shqipërisë inspektuan të gjithë akset deri në Qafë Mali.

Ministri Dervishaj tha se duhet kuptuar se jemi në një situatë dimri dhe ngricash ndaj duhet mirëkuptuar dhe kompanitë, ndërsa shtoi se jo çdkund kompanitë kishin punuar ashtu siç e kanë detyrim, ndaj dhe pas situatës Ministria dhe Autoriteti i Përgjithshëm i Rrugëve do të bënin një analizë me masat konkrete. Pavarësisht kritikave dhe kundërpërgjigjeve, nga terreni deputeti i PS-së, Ndreu nuk ka nguruar që të bëjë një foto me ministrin Dervishaj, duke nënkuptuar kështu se ‘tensionet’ ishin lënë pas.

AKSET E BLLOKUARA
Moti i keq vijon të shkaktojë problemet në disa akse rrugore, të cilat janë ende të bllokuara.

Problematike padyshim ngelet situata në Pukë, ku mjeteve u duhet të qarkullojnë me zinxhirë në akset nacionale, ndërsa ato rurale janë të gjitha të bllokuara.

Ndërkohë, raportohet se në Fushë-Arrëz termometri shënon -19 gradë celsius, duke sjell probleme me ujësjellësin, pasi tubacionet kanë ngrirë. Temperaturat nën zero dhe dëbora e rënë kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor pothuajse në të gjithë vendin, e shoqëruar kjo edhe me probleme të furnizimit me energji elektrike.

Ndërkohë siç u njoftua dhe nga buletinet meteorologjike, pritet që të ketë ulje të mëtejshme të temperaturave të ajrit sidomos në zonat malore.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: