MAL I ZI

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ndodhet në Mal të Zi, teksa po merr pjesë në një konferencën 3-ditore të Kryetarëve të Gjykatave Supreme dhe Prokuroreve të të gjithë rajonit. Ajo mbajti fjalën e saj mbi “mbrojtjen penale juridike dhe mekanizmat e luftës kundër terrorizmit dhe migracioneve të paligjshme”.

Arta Marku tha se Shqipëria i ka marrë të gjitha masat ligjore për të goditur çdo tentativë rekrutimi. Kryeprokurorja tregoi edhe profilin socio-ekonomik të atyre që janë bërë palë me grupet e rrezikshme ekstremiste. Sipas saj, qytetarët që kanë një arsim të ulët dhe një ekonomi të dobët janë burim për rekrutuesit.

“Shqipëria ka marrë masat e saj ligjore e teknike për të goditur këdo që synon të bashkohet me terroristët ose që rekruton luftëtarë kundër njerëzve të pafajshëm. Në Shqipëri, nga hetimet e deritanishme, rezulton se personat që i janë bashkuar këtyre formacioneve janë persona me nivel të ulët arsimor dhe vështirësi të mëdha ekonomike.

Pra, janë njerëz, të cilët besojnë se duke u bashkuar me terrorin, mund të jetojnë më mirë. Në vende të ndryshme ka arsye të ndryshme se përse individët i bashkohen grupeve të terrorit. Pavarësisht arsyeve, sapo këta individë bashkohen me terroristët, kanë një të përbashkët të frikshme – nga ai moment kthehen në vrasës potencialë. Megjithatë, vlen të theksohet e ritheksohet se këto fenomene nuk luftohen nëse shtetet nuk bashkëpunojnë me njeri tjetrin. Bashkëpunimi duhet te jete shume i gjerë dhe jo vetëm për hetimin e çështjeve. Bashkëpunimi duhet të jetë i hershëm, i vazhdueshëm, me një shkëmbim intensiv informacionesh”-tha Marku.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb