TIRANË- Të shtënat me armë kanë tronditur kryeqytetin shqiptar pasditen e sotme. Tre persona janë qëlluar me armë rreth orës 18 e 40 përballë Maternitetit të vjetër. Njëri prej tyre ka mbetur i vdekur në vend ndërsa dy të tjerët kanë humbur jetën në spital, ndërsa ngjarja duket se ka si motiv hakmarrjen.

Viktimat janë identifikuar si: Mentor Lufi (Doçi), 39 vjeç; Gerti Goxha, 33 vjeç; Besnik Sulku, 34 vjeç.


39-vjeçari Mentor Lufi ka qenë duke pirë kafe me Gerti Goxhajn ndërsa nipat e tij Markeljan dhe Klevis Doçi bënin roje jashtë lokalit. Kjo, pasi Mentor Lufi kishte konflikte dhe në dhjetor të vitit të kaluar ishte plagosur në një atentat. Në momentin që 39-vjeçari Lufi ka dalë nga kafja dhe është futur në makinë me Goxhajn janë qëlluar nga Besnik Sulku dhe shtetasi italian Salvatore Letizia, mik me Sulkun. Më pas dy nipat e Lufit, Markeljani dhe Klevisi kanë vrarë 34-vjeçarin Sulku. Shtetasi italian ka tentuar ti shpëtojë policisë, duke ikur nga vendi i ngjarjes dhe duke u strehuar në një hotel. Shtetasi italian është gjetur i gjakosur nga policia.

Gazetari Spartak Koka raportoi nga vendi i ngjarjes se viktimat kanë qenë në një automjet tip “BMW”, kanë pikasur diçka të dyshimtë dhe kanë tentuar të kthejnë makinën duke u ngjitur në trotuarin që përshkon mes përmes Bulevardin “Zogu I”, duke vënë në rrezik edhe jetën e qytetarëve. Pasi makina nuk ka mundur ta kalojë trotuarin, viktimat kanë zbritur nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen më këmbë por janë qëlluar me automatik nga Sulku dhe shtetasi italian, të cilët ishin më këmbë.

ARRESTIMI

Vetëm pak minuta pas përplasjes me armë, policia ka arrestuar rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes Markeljan dhe Klevis Lufin, si autorë të kësaj ngjarjeje. Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe drejtues të tjerë të Policisë. Dyshohet se vrasja ka si motiv hakmarrjen.

KUSH JANË TRE VIKTIMAT?

Të tre personat sipas Policisë së Shtetit janë persona me precedentë penalë dhe madje disa herë janë bërë subjekt i lajmeve të kronikës së zezë. Kështu Besnik Sulku rezulton si person me precedentë penalë, i implikuar në trafikun e drogës. Një i afërm i tij, është vrarë në Roterdam, Holandë dhe sipas mediave atje, vrasja kishte të bënte me trafikun e drogës.

Gerti Goxha është arrestuar në Kukës me drogë, bashkë me 5 persona të tjerë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë ku do të kalonin 198 pako me kanabis. Goxhajt iu sekuestrua edhe një armë dhe personave të ndaluar iu bllokuan edhe disa automjete. Për këtë operacion, në News24 janë transmetuar edhe pamjet filmike të kamionit me drogë. Mentor Lufi, ka një vendim penal nga Gjykatat e Dibrës për kanosje. Më 20 dhjetor 2014, Mentor Lufit i është bërë një atentat dhe është plagosur me 2 plumba në zonën e “Komunës së Parisit”.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË

Më  datë 27.05.2015, në orën 19:20,  Salla  Operative  e  Drejtorisë së Policisë së Tiranës  ka  marrë njoftim  se  në vendin e quajtur, Bulevardi Zogu I-­rë, përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës kishte ndodhur një shkëmbim zjarri  mes dy grupeve. Nga hetimet e para hetimore ka rezultuar se dy grupe me  preçedent  të mëparshëm  penal  kanë pasur  shkëmbim  zjarri mes tyre. Me konkretisht :

Shtetasi Mentor Lufi (Doçi) së bashku me shtetasin Gerti Goxhaj kanë qënë ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyres. Jashtë kafes ishin duke pritur dy nipërit e Mentor Lufit. Pasi
kane dalë nga kafja, shtetasi Mentor Lufi ka hipur në mjetin tip BMW me targa AA 001IK si pasagjer dhe drejtues mjeti ka  qenë shtetasi Gerti Goxhaj.

Ndërkohë pas tyre vinte mjeti tip “Touareg” me targa AA 097 KE  në të cilën  udhëtonin dy nipat e shtetasit  M.Lufi, konkretisht shtetasi Markeljan Doçi dhe shtetasi Klevis Doçi. Në momentin
kur mjeti tip BMW ka filluar lëvizjen, në këmbë kanë qenë dy shtetas të cilet kanë hapur zjarr duke qëlluar në drejtim të dy shtetasve që udhetonin në mjetin tip tip BMW me  targa AA 001 IK.

Në këtë moment menjehere janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dy nipat e M.Lufit (Doçi) duke goditur me mjet një nga autoret e dyshuar shtetas Italian i identifikuar me emrin Salvatore LETTICIA, i cili ka mundur të largohet nga vendngjarja duke u fshehur në një hotel në afërsi dhe duke u përpjekur të fshihte provat e krimit. Ndërkohë shtetasi  Markeljan Doçi ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Besnik Sulku i cili hapi zjarr i pari ndaj xhaxhait të tyre dhe mikut të tij.

Kjo ngjarje ka ndodhur në një fragment kohe shumë të shkurtër dhe punonjesit e policisë në kohe rekord kanë mberritur në vendngjarje për tre minuta. Policia ka bërë rrethimin e zonës dhe falë veprimeve të shpejta ka bërë të mundur neutralizimin e të dy autoreve të dyshuar, ku shtetasi Markeljan Doçi mbante në dorë armën me të cilën kishtekryer krimin e rëndë.

Disa metra me tej, në një hotel në afersi të vendgjarjes u ndalua autori i dytë i dyshuar shtetasi Italian, i cili kishte demtimë në trup dhe i gjakosur në fytyrë. Në vendin e ngjarjes u gjeten dhe u sekuestruan dy automjete.
Një automjet tip “BMW” me targa AA 001IK, mjeti tip “Touareg” me targa AA 097 KE si dhe dy arme zjarri tip pistolet. Vikimat dhe autorët e kësaj përplasje me armë, kanë qenë të evidentuar më parë nga Policia si persona me  preçedentë kriminalë në fushën e Trafikut ndërkombëtar të Lëndëve narkotike, armëmbajties pa leje etj.

Në Drejtorinë e Policisë Tiranë aktualisht janë të shoqëruar 3 shtetas, dy nipërit e Mentor Lufit dhe
shtetasi Italian, ku vijonë veprimet  proceduriale  dhe  hetimore  nga  Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda  në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë nën  kryesimin e Prokurorit.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: