Nuk ka paqe për Romelu Lukakun. Sulmuesi belg sapo ishte kthyer nga dëmtimi në përkulësit e kofshës së majtë dhe përsëri detyrohet të ndalojë për shkak të miotendinozës së kërdhokullës së të njëjtës kofshë.

Simone Inzaghi pra e humb atë për ndeshjen e Champions-it ndaj Bayern Munich dhe pothuajse me siguri kundër Juventusit. Klubi zikaltër bën të ditur se kushtet e Lukakut do të rivlerësohen brenda pak ditësh. Ekziston një mundësi konkrete që pjesa e parë e sezonit të ketë përfunduar tashmë për të.

Rikthimi te zikaltrit deri më tani ka qenë zhgënjim për “Big Rom”. Vetëm 5 paraqitje, 4 në Serie A dhe një në Champions League, kundër Viktoria Plzen, ku gjeti edhe golin pas dy muajsh mungesë. Dhe të mendosh se fillimi i sezonit përkoi me një gol ndaj Lecce në javën e parë, pastaj 60 ditë jashtë fushave të blerta për 12 ndeshje të humbura në total.

Rikthimi në Champions League, të mërkurën e kaluar, u shënjua nga goli i tij në fitoren 4-0 dhe 22 minuta të tjera të shtunën kundër Sampdorias. Inzaghi mendoi se kishte gjetur referencën e tij sulmuese, të cilën do të kishte dashur t’i jepte më shumë minuta kundër Bayern Munich, më pas ta përdorte si titullar kundër Juventusit.

Asgjë nga këto, do t’i mbetet ende Lautaro Martinez, Dzeko dhe Correa që të tërheqin sulmin e Interit, duke shpresuar që nga janari e në vazhdim Lukaku të gjejë përfundimisht shëndetin dhe formën e nevojshme për një pjesë të dytë të sezonit si protagonist.

E shqetësuar është edhe Belgjika. Një ndalesë e tillë një muaj para Kupës së Botës nuk premton mirë, pasi gjymtyra e prekur është e njëjtë me dëmtimin e gushtit. Në ditët në vijim do të dihet më shumë, madje është i interesuar edhe trajneri Martinez.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb