NGA: FATMIRA NIKOLLI
E kaluara na ka lënë një trashëgimi arti e kulture të pasur, por të diskutueshme dhe kur ke të bësh me këtë trashëgimi është e rëndësishme të theksohet kompleksiteti i së kaluarës socialiste dhe të nxirren në pah prirjet e ndryshme, duke filluar nga mohimi dhe përbuzja, te nostalgjia dhe fetishizmi. “Ballafaqimi me të kaluarën”, ka qenë sistematikisht shqetësimi i shumë institucioneve të artit dhe projekteve në rajon. Në fakt, “Tirana Art Lab” është pjesë e projektit “Heronjtë që ne duam” dhe në prill të këtij viti kemi organizuar një konferencë ndërkombëtare “Arti i periudhës socialiste mes përbuzjes, fetishizmit dhe tranzicionit” ku kuratorë, historianë arti, artistë dhe arkitektë u ftuan për të diskutuar. “Pamja” ime kuratoriale është gjysma brenda meje e gjysma jashtë meje”. Adela Demetja është në Vjenë ndërsa jep këtë shpjegim për ndjesinë që endet mes përbuzjes e nostalgjisë. Përballë ka me gjasë, edhe njerëz që pak munden ta kuptojnë këtë ndjesi të ndërmjetme, ndërsa përreth saj, artistë të lindjes përcjellin artin e ditëve tonakrejt modern. Citimi është shkëputur nga një intervistë dhënë mediave të huaja ndërsa gjendet si kuratore në Vjenë.

“Në fokus: Ish-Jugosllavia dhe Albania” kuruar nga Adela Demetja është pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Artit në Vjenë. Kjo ekspozitë e veçantë e kuruar Adela Demetja, merr në shqyrtim një rajon të Evropës Juglindore: ish- Jugosllavia dhe Shqipëria. Ndërsa hapësira alternative e të pavarura të artit u themeluan në vitin 1970 në Evropën Perëndimore dhe në SHBA; në kundërshtim me tregun e artit, me zhvillimin e tyre ato luajtën një rol të rëndësishëm për shfaqjen e kritikës kundrejt institucioneve; ndërkaq skena e artit alternativ në ish- Jugosllavi dhe Shqipëri eci në anën tjetër të rrymës dhe u zhvillua ndryshe; në mungesë të institucioneve të artit bashkëkohor dhe në mungesë të një tregu të artit. Prandaj, hapësirat e pavarura të artit kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e një sistemi të artit bashkëkohor në këtë rajon dhe në komunikimin e tij përtej kufijve. Në disa raste, ato janë të vetmet vende ku komunikimi dhe diskursi rreth artit bashkëkohor mund të bëhet. Në dritën e ndryshimeve historike që kanë ndodhur në këtë rajon dhe krizave financiare, kultura është fusha që ka pësuar më së shumti. Efektet mund të lexohen nga problemet aktuale të institucioneve kulturore publike. Për këtë arsye, hapësirat e pavarura të artit janë aktualisht ambientet vendimtare për artin bashkëkohor.

“The Focus” përfshin vepra nga artistët të rinj dhe emra të njohur nga këto vende prezantuar nga këto institucione: Igor Eskinja, Andrea Knezovic, Neven Korda (Galeria Alkatraz, Ljubjana, Slloveni); Dalibor Martinis, Damir Oèko, Dino Zrnec (Apoteka Space for Contemporary Art, Vodnjan, Kroaci); Dusan Percinkov, Nada Prlja, Ilija Prokopiev (Serious Interests Agency, Shkup, Maqedoni); Milan Nesic, Slavica Obradovic, Slobodan Stosic (Sok Zadruga, Novi Sad, Serbi) dhe Lumturi Blloshmi, Alketa Ramaj, Aurora Kalemi (Tirana Art Lab – Center for Contemporary Art, Tiranë, Shqipëri). Sot mbahet biseda me temë “Të spekulosh mbi të ardhmen e hapësirave alternative të artit”, ku do flasin veç Demetjes, Branka Bencic, kuratore dhe drejtuese e “Director Apoteka Space for Contemporary Art” Kroaci, Jadranka Plut, drejtore artistike e “GALERIA ALKATRAZ” në Slloveni, Nada Prlja artiste e drejtore e “Serious Interests Agency” Maqedoni dhe artisti serb Slobodan Stosic. Adela Demetja ka mbaruar masterin e saj në “Studime kuratioriale– Teori – Histori – Kritikë” në “Städelschule and at the Goethe University” në Frankfurt. Është bashkëthemeluese dhe drejtuese e Tirana Art Lab – Center for Contemporary Art dhe ka kuruar një numër të madh ekspozitash ndërkombëtare, përfshirë ekspozitat tematike “The Aesthetics of the Small Act”, festivalin e arteve pamore në Selanik dhe “Zërat e të vërtetës” më 2012 në “Villa Romana” në Firence. Më 2015 ka kuruar bienalen “D-0 Ark Underground” në Konjic, Bosnjë dhe Hercegovinë, që u mbajt në një bunker atomik ndërtuar gjatë regjimit të Titos. Adela Demetja jeton e punon mes Shqipërisë e Gjermanisë.

ARTISTET
Krahas informacionit mbi “The Focus: Ex-Jugoslavia and Albania” ka një informacion të detajuar edhe mbi jetën e artisteve veprat e të cilave ekspozohen, informacion që arsyeton edhe përzgjedhjen kuratoriale të Adela Demetjes. Nis me Lume Blloshmin. E lindur më 1944, ajo u diplomua në vitin 1968 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Si pothuajse të gjithë artistët e kohës së saj, ajo pikturoi deri në fund të viteve ’80 në stilin e realizmit socialist. Pas viteve ’90 ajo qe një nga pak artistë të brezit të saj që arriti të ripozicionojë veten dhe punën e saj brenda diskursit të artit bashkëkohor. Veprat e saj në pikturë, fotografi, instalacion dhe performancë janë karakterizuar nga një qasje ironike dhe satirike që sjellin reflektim dhe kritikë ndaj realitetit në të cilin ajo jeton. Blloshmi qëndron në mes të kozmosit saj pa qenë një shikuese pasive, përkundrazi është një pjesëmarrëse aktiv. Kjo i lejon Lumes të shprehë haptas pikëpamjet e veta në lidhje me botën e artit, skenën politike dhe shoqërinë ku bën pjesë. Pamja e saj është ajo e një gruaje, një gruaje të fortë që kritikon me humor dominimin nga burrat. E bën këtë me butësi, thjeshtësi dhe optimizëm anipse ka të bëjë me një realitet të ashpër. Ndërsa kultivon dhe mbron një qasje femërore, Blloshmi u ka rezistuar pa pushim regjimeve dhe zhvillimeve të ndryshme duke u bërë një nga artistet më të rëndësishme dhe inovative bashkëkohore shqiptare. Veprat e saj janë ekspozuar në grup dhe në ekspozita vetjake në institucione si Muzeu “Chelsea Art” në New York, “Municipal Art Gallery of Bydgoszcz” në Poloni, “Alexandria Biennale for Mediterranean Countries” Egjipt, Shqipëri; Galeria Kombëtare e Arteve, Galeria Kombëtare e Kosovës. Ajo jeton e punon në Tiranë, Shqipëri. Aurora Kalemi (lindur 1993 në Tiranë, Shqipëri) ka ndjekur studimet bachelor dhe master në Akademinë e Arteve në Tiranë. Punët e saj zhvillohen mes mediumit të pikturës dhe Video Artit. Kalemi, i përket një brezi artistësh të rinj që mund të konsiderohen individualistë, pasi ata kanë vendosur me vetëdije të mos të merren direkt me ngjarjet, por me ndikimin dhe pasojat që ngjarjet socio-politike kanë mbi individët. Praktika e saj është e karakterizuar nga një qasje individuale ndaj mediumit dhe mënyra si puna bëhet mundëson që të merresh me perceptimin individual të ekzistencës dhe të realitetit. Nga pafundësia e ideve të botës së brendshme, përmes procesit të pikturës, ato bëhen mënyrë komunikimi me realitetin.

Është brenda këtij diskursi ekzistencial dhe individual, midis të Qenit dhe të dukurit që praktika e saj del dhe kjo duhet të kuptohet, si në përmbajtje dhe në formë. Ajo ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme artistike brenda dhe jashtë vendit, të tilla si: “Tirana Open- Festivali i Artit dhe Letërsisë” Shqipëri; Festivali Multikulturor i Beratit; “Inside Out” -Tirana Art Lab; Art Vision Project, Venecia dhe Puglia, Itali. Jeton dhe punon në Tiranë. Alketa Ramaj (1983, Përmet) është diplomuar në vitin 2006 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Marrëdhënia emocionale që artisti ndërton me mjedisin ku jeton në terma të lidhjes sociale, historike dhe kontekstit politik janë pasqyruar në praktikën e saj që zhvillohet në mediume të ndryshme nga piktura te fotografia, nga video tek instalacioni. Puna e Ramajt karakterizohet nga një kureshtje e pandërprerë dhe studime të përhershme të formave të reja të shprehjes, që zbulojnë një pavarësi të mrekullueshme në drejtim të aplikimit të metodave të saja kritike dhe personale të punës. Ramaj ka fituar çmimin “Onufri 2012” dhe atë “Ardhja 2013”.

Punët e saj janë ekspozuar në Shqipëri dhe jashtë vendit në ekspozita ku përfshihen: Bienal del Fin del Mundo, Mar De Plata, Valparaiso, Venecia; Fondazione Museo “Pino Pascali”, Bari; “International Studio & Curatorial Program”, New York; Stacion Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; “Basement”, Basel; “Artistë në rezidencë” Artpoint Gallery, Vjenë; “La Fenice Gallery”, Venecia; Galeria Kombëtare e Tiranës; “BADISCHER Kunstverein” në Karlsruhe. Jeton dhe punon në Tiranë. “Vienacontemporary” është një nga panairet më frymëzuese dhe provokuese të mendimeve mbi artin. Me mbi 112 galeri nga 28 vende, ajo ofron koleksione të gjera të artit bashkëkohor nga Austria, Evropa Lindore dhe galeritë e tjera ndërkombëtare. Ajo mbledh së bashku artistë të rinj dhe artistë të afirmuar nga e gjithë bota. Mbahet në datat 22-25 shtator me sloganin “Art/ Must/September”, shfaq talentet e reja të artit në botë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: