LUSHNJË- Mbi 6 dynymë sera të kultivuara me kanabis sativa janë asgjësuar mbrëmjen e sotme në fshatin Kadiaj, rreth 5 kilometra nga qyteti i Lushnjës. Bimët narkotike ishin mbjellë në sera dhe kultivoheshin pa asnjë problem nga autorët. Policia ka arrestuar 6 persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Aksioni ka nisur pasditen e sotme dhe është ende në vijim. Sipas të dhënave paraprake, numri i bimëve të kultivuara dhe asgjësuara nga forcat e policisë është 12 470 rrënjë të llojit kanabis sativa.

Bimët me lartësi nga 40 deri në 60 cm ishin në prag të vjeljes dhe teknologjia që zbatohej për rritjen e tyre nga kultivuesit ishte e njëjtë me kulturën e domates, pasi ujitja kryhej me pika. Kjo është hera e parë që kapet një numër i tillë bimësh pikërisht kur mendohet se sezoni ka mbaruar. Serat në të cilat kultivoheshin bimët narkotike ishin fare pranë rrugës dhe në brendësi të fshatit. Duke qenë se ky fshat ka qenë gjithmonë një ishull dhe pa rrugë të asfaltuara edhe pse fare pranë rrugës nacionale, i ka dhënë mundësinë autorëve që ta kultivojnë pa problem deri sa kanë rënë në duart e policisë.

Zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier deklaron se si rezultat i informacionit të marrë nga struktura policore, u bë i mundur realizimi i operacionit “Kadie”. Si rezultat i këtij operacion u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Ferdinand Kadillari.
-Xhuliano Kadillari.
-Mimoza Kadillari.
-Zenel Arapi.
-Hajdar Arapi.
-Alban Arap.
Gjithashtu u shpall në kërkim e shtetasit Kristaq Kadillari.

Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kultivuar në 4 sera, pronë e tyre, rreth 12.470 rrënjë Cannabis Sativa. U kryen veprimet procedurale dhe po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: